Masakra e Cërrikut, dëshmitari tregon vrasësit e 6 gardistëve

May 18, 2011 | 10:33
Besnik Gajo, dëshmitar i masakrës së Cërrikut në gjyq

TIRANE – Një dëshmitar i prokurorisë lakoi dje emrat e disa prej të akuzuarve për “masakrën e Cërrikut” te Krimet e Rënda, si të përfshirë direkt në ngjarjen e 23 majit 1997 në Cërrik. Në seancën e djeshme në ngarkim të të akuzuarve për ngjarjen ku u vranë 6 punonjës të Gardës, Gjykata u njoh me dëshminë e Besnik Hajos. Hajo rrëfeu para gjykatës momente kur kishte parë të pandehurin Roland Xhepexhiu të armatosur t’i drejtohej postës së policisë së Cërrikut, mbledhjen e banorëve një natë para ngjarjes në qendër të Cërrikut, si dhe momente ku të pandehurit Meti Bozi dhe Skënder Cani i kishin pohuar atij përfshirjen e tyre në vrasjen e punonjësve të Gardës.
DËSHMIA
“Në vitin 1997 kam banuar në Cërrik. Kam pasur një bufe dhe një bilardo. Më 22 maj 1997, pak para se të errej, dëgjuam ca krisma në hyrje të qytetit. Po vinte një turmë e armatosur. Doli Fatos Xhepexhiu dhe u përpoq të ndalonte turmë. Në darkë morëm vesh që kishin sulmuar postën e policisë. I kishin përzënë policët dhe kishin marrë ato që kishin gjetur aty. Tek të armatosurit kanë qenë Land Xhepexhiu dhe disa të tjerë. Tos Xhepexhiu donte ta ndalonte turmën të mos sulmonte policinë apo institucionet. Aty pashë edhe një person që i gjuajti me grusht një personi tjetër që ishte polic, civil. Në darkë dëgjova që po bënin thirrje në radio. Ishte ora rreth 9 e darkës kur unë po shkoja për në shtëpi, dëgjova zërin e Meti Boxit. Ishte aty edhe Land Xhepexhiu. Atë natë i mblodhën ca veta te sheshi i qytetit dhe krijuan një si lloj këshilli. Ishte Meti Bozi dhe Fatos Xhepexhiu. Në fillim propozuan Metin kryetar, por ai nuk pranoi. Pastaj, më duket se u vendos Fatosi në atë pozicion. Atë natë aty ishte dhe Llazari. Llazar Prifti, që ishte kryetar i Partisë Socialiste. (I pandehuri identifikon këtë emër të pandehurin Llazar Bicja në kafazin e sallës së gjyqit). Të nesërmen unë ika në Elbasan. Kur u kthyem i kemi rënë nga Paprri. Nuk dinim ç’kishte ndodhur. Në qytet ishte një makinë si postbllok. Te krahu i shoferit ishte Meti Bozi. Ai na tha që ishte bërë luftë. ‘Erdhi Policia e Salës. E pritëm me armë. U dogj një makinë e policisë. Një e qallita (vrava) unë’, na tha Meti. Nuk na dha detaje se si apo se ku. Personi tjetër që ishte me mua i tha: ‘Na e the ne këtë, mos ia thuaj njeriu tjetër se na fut në probleme’. Aty u afrua edhe Skënder Cani. Po vinte nga parcela andej nga ana e përroit të Garunjës. Ishte me armë në dorë. Edhe ky na tha, mbase për t’u mburrur: edhe unë e hodha një në jonxhë. Më vonë kemi marrë vesh se është gjetur një polic i vdekur në jonxhë. Pastaj mësova se dy veta ishin djegur në tank. Mësova edhe se janë vrarë dhe dy të tjerë”, tha dëshmitari.       ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura