Partitë e maxhorancës do të firmosin sot marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të 8 majit. Sot në mesditë, në orën 12:00, në sallën e mbledhjeve të kryesisë së Kuvendit, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, LSI-së, PDIU-së dhe PR-së do të jenë aty në pritje të partive të opozitës, PS-ja dhe PBDNJ-së, që të gjitha bashkë, të pranojnë një angazhim maksimal në ndërtimin e një klime zgjedhore bazuar në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Draft marrëveshja me 16 pika e paraqitur nga kreu i grupit të deputetëve demokratë, Patozi, u mbështet dje dhe nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, i cili e cilësoi atë në frymën e rekomandimeve të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve të 2009. Por socialistët duket se janë ende të paqartë.
Kreu i grupit socialist Ruçi, kërkoi kohë dje në tryezën e partive parlamentare që ekspertët e të dy partive, PD-së dhe PS-së të ulen dhe të gjejnë bashkarisht përputhje të propozimeve të draft marrëveshjes dhe kushteve që ai vendosi për një proces sa më të drejtë dhe të ligjshëm. Mbledhja e djeshme u mbyll, madje me batutën e bërë nga Ruçi se “do të kthehet në tryezë jo pas një dite, por kur të jetë arritur në një draft të përbashkët të pranuar nga të dy palët”. Mësohet se dje, ekspertët e të dy partive nuk kanë pasur negociata për të përafruar qëndrimet mes palëve, ndërsa tryeza pritet të mblidhet sot pa sjellë asnjë rezultat nga debati i djeshëm prej më shumë se dy orësh dhe kohës së mjaftueshme prej 24 orësh për të biseduar mes palëve.
Me firmosjen e draft-marrëveshjes nga ana e partive të maxhorancës, palët hyjnë në muajin elektoral pa një konsensus për qëndrimet e tyre në zgjedhjet e 8 majit dhe pse pritej që ata të konkludonin në një mirëkuptim sa i takon ndërtimit të një klime sa më të qetë zgjedhore. Qëndrimet e largëta mes palëve vijnë në një ditë kur në Tiranë ndodhet misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it dhe do të jetë në një vizitë njëditore komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle.
Demokratët i cilësuan termat e marrëveshjes në përputhje me rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR-it pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, ndërsa kërkojnë nga komisionerët politikë të zgjedhjeve zbatimin e ligjit. Ndërsa socialistë, përmes kreut të Grupit Parlamentar, Ruçi, vendosën katër kushte përmes të cilave kërkojnë ribërjen e transparencës së zgjedhjeve pas çdo procesi, por dhe monitorim prej tyre të listës së zgjedhjeve. Gjithashtu, ata kërkuan dhe identifikim të kartës së identitetit në çdo qendër votimi. Këto kushte u cilësuan nga demokratët jashtë objektit të tryezës së partive, por dhe të rekomandimeve të OSBE-së.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











