Malaj: Duhet model i ri, jo kurs i ri

Sep 16, 2011 | 11:39

Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, zhvilloi një takim të zgjeruar në qytetin e Fierit me të rinj dhe anëtarë të PS.Duke folur për platformën e tij për modernizimin e partive politike në Shqipëri, Malaj kërkoi një angazhim sa më të madh të qytetarëve dhe intelektualëve në politikë. Duke u ndalur te defektet e politikës shqiptare, Malaj bëri dallimin mes kursit të ri dhe modelit politik. “Nocioni ‘model i ri politik’ dallon nga ai i ‘kursit të ri politik’. PS duhet të ndalojë me statut dhe në rregulloren e Grupit Parlamentar përdorimin e bojkotit të Parlamentit si instrument politik i opozitës. Ky standard të jetë i detyrueshëm edhe për partitë e tjera politike. Ajo që nuk është e ndaluar lejohet, kjo është një aksiomë jo vetëm politike”, u shpreh Malaj. Të pranishëm në këtë takim, përveç të rinjve, ishin dhe ish-deputetja socialiste Rajmonda Stefa, Nazmir Bilani dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Enver Reçi. Malaj ka argumentuar në vijim arsyet pse deputetët duhet të ndalojnë bojkotin parlamentar. “Së pari, ne u kërkojmë votën shqiptarëve që të jemi deputetët e tyre në Parlament; së dyti, betohemi për të filluar mandatin e deputetit sipas një formule betimi të përfshirë në Kushtetutën e vendit, ku betimi ynë është në raport me vendin tonë, jo me partitë politike; së treti, ne përbetohemi publikisht se e duam Shqipërinë si gjithë Europa, e vërteta është që të gjitha partitë, të majta dhe të djathta në Europën e Bashkuar, nuk e përdorin bojkotin si instrument të luftës politike”, u shpreh Malaj. Anëtari i Kryesisë socialiste kërkoi që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të sjellin dhe fundin e modelit “Berisha” në politikë. “Viti 2013, për çdo socialist dhe progresist, duhet të jetë viti i fundit i qeverisë dhe modelit ‘Berisha’ në politikën shqiptare. Modelin e ri politik duhet ta krijojë PS. Ne duhet të rrisim kredibilitetin dhe autoritetin e institucioneve kushtetuese. Kjo e kufizon pushtetin absolut në pak duar, kjo rrit realisht liritë politike dhe ekonomike dhe besimin te të gjithë shqiptarët”, u shpreh Malaj. Sipas tij, demokracia e drejtpërdrejtë është reduktuar në ekstrem. “Është rritur përqendrimi i pushtetit politik dhe ekonomik në pak duar. Në disa vende europiane po diskutohet të hiqet dorë nga listat e mbyllura, nga sistemi politik i besnikëve të kryetareve. Në Shqipëri po krijohet kasta e njerëzve që bëjnë gjithçka për të qëndruar sa më gjatë në karriget e tyre partiake dhe qeverisëse. Kjo i zë frymën demokracisë, rrit korrupsionin dhe kapjen e shtetit”, u shpreh Malaj dje në Fier.

Korrupsioni
Malaj shikon si rrezik për vendin kapjen e pushtetit politik nga interesat ekonomike. “Hapja e partive politike, qarkullimi i elitave, rritja e mundësisë për sa më shumë konkurrim dhe sa më shumë përkushtim duhet të jetë pjesë e një vetëdije të re politike. Të gjithë shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen dhe angazhohen për sfidat e vendit të tyre. Duhet të jemi vigjilentë nga modeli ku kapja e pushtetit politik shërben për të rritur pushtetin abuziv ekonomik, ndërsa pushteti ekonomik tenton të vendosë kontrollin mbi zhvillimet e ardhshme politike në nivel vendor dhe qendror”, u shpreh Malaj.

Të martën, aleatët e PS japin propozimet për reformën zgjedhore
Krerët e partive opozitare do të mblidhen të martën e javës së ardhshme në një tryezë zyrtare tashmë për reformat. Kjo do të jetë dhe mbledhja e parë zyrtare e tyre pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, por nga koalicioni i gjatë opozitar, “Aleanca për të ardhmen”, këtij koalicioni i kanë mbetur vetëm pak parti. Rama do të takojë Paskal Milon e PDS, Skënder Gjinushin e PSD, Nard Ndokën e PDK, Vangjel Dulen e PBDNJ-së, Petro Koçin të PSV 91, Spartak Ngjelën e PDrLi dhe kreun e G 99-s, Ervin Mete. Koordinatori i tryezës së opozitës së bashkuar, Preç Zogaj, në funksionin e koordinatorit të këtij institucioni, pohoi mbrëmë se mbledhja e parë zyrtare do të zhvillohet ditën e martë. Kësaj mbledhjeje i kanë paraprirë javën e shkuar dhe gjatë kësaj jave, takimet informale, dreka pune me kryetarët e partive opozitare, ku janë hedhur ide dhe mendime se çfarë do të kërkojnë deputetët e Partisë Socialiste në reformën zgjedhore, reformën parlamentare, por dhe ndryshimet kushtetuese.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura