Në Ditarin Për Çështje Ndërkombëtare (1980-1981) të Enver Hoxhës, i cili është për përdorim të brendshëm, në një nga numrat e tij kemi shkëputur disa paragrafë, ku siç shkruan ai, për kontradiktat ndërmjet vendeve të NATO-s, por në një realitet politik krejt të kundërt me atë çfarë po ndodh në këto kohë në çështjen e Iranit.
E ENJTE 14. GUSHT 1980 FRANCA DHE GJERMANIA FEDERALE NUK I NËNSHTROHEN DIKTATIT TË KARTERIT
Kam shkruar edhe më parë për mosmarrëveshjet që kanë lindur midis “Europës së Bashkuar”, veçanërisht Francës e Gjermanisë Federale dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto mosmarrëveshje janë manifestuar në mënyrë më të hapët këto kohët e fundit, që kur presidenti amerikan, Karter, kërkoi t’u impononte shteteve të “Europës së Bashkuar” diktatin e tij në lidhje me disa probleme e ngjarje politike ndërkombëtare.
Konstatojmë se aktualisht mosmarrëveshjet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Francës e Gjermanisë Federale, sidomos pas takimit të Zhiskar d’Estenit me Brezhnjevin në Varshavë dhe takimit të Shmidit me Brezhnjevin në Moskë, po bëhen më të theksuara e më të thella. Pas këtyre bisedimeve Zhiskari, në vazhdim të takimeve tradicionale për shkëmbim mendimesh bilaterale që kishin vendosur që në kohën e tyre Dë Goli me Adenauerin, bëri një vizitë miqësore zyrtare në Gjermaninë Federale. Bisedimet që ai zhvilloi me këtë rast me kancelarin Shmid përfunduan në përgjithësi me një mirëkuptim politik dhe ekonomik në mes Francës e Gjermanisë, dy shtetet më kryesore të “Europës së Bashkuar”.
Takimet dhe bisedimet e presidentit francez Zhiskar d’Esten me kancelarin gjerman Shmid treguan një unitet më të thellë e më të qëndrueshëm se më parë midis këtyre dy republikave evropiane dhe një qëndrim më të fortë, pa u vënë haptazi në kundërshtim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne shohim se aktualisht kancelari gjerman Shmid po bën deklarata, në të cilat thekson qëllimin e tij për të vazhduar më tej bisedimet gjermanoperëndimore me Bashkimin Sovjetik, domethënë për të vazhduar “Ost-politikën” që inauguroi Vili Brandi, ishkryetar i Partisë Socialdemokrate Gjermane, e cila tash është në fuqi në Bon.
SOVJETIKËT
Pas takimeve me Brezhnjevin, kancelari i Bonit ka deklaruar se do të takohet së afërmi edhe me Gierekun e Polonisë dhe me Honekerin e Gjermanisë Lindore, dy shtete këto që, pas Bashkimit Sovjetik, janë nga më të fuqishmet në Traktatin e Varshavës. Bisedimet e Shmidit me të dy këta udhëheqës revizionistë lindorë, sipas mendimit tim, do të kenë për qëllim “ndihmën” që Gjermania e Bonit, pra, kapitali gjermano-perëndimor, do t’u japë këtyre dy vendeve që gjenden në vështirësi të mëdha ekonomike dhe politike. Natyrisht kjo ndihmë e Gjermanisë Federale është në favor të fuqive perëndimore dhe në disfavor të sovjetikëve. Social-imperialistët sovjetikë janë të detyruar ta gëlltitin këtë situatë, pse gjendja brenda vendit të tyre dhe ajo në gjirin e Traktatit të Varshavës nuk është e lulëzuar.
Gjermania Lindore e sidomos Polonia janë të mbërthyera në një krizë të rëndë ekonomike, gjë që i bën t’u kenë shumë nevojë kredive të panumërta që kanë marrë e që dëshirojnë të marrin nga Gjermania e Bonit. Aktualisht në Poloni po zhvillohen greva të mëdha dhe të përditshme të punëtorëve, të cilët protestojnë për mungesën e mishit dhe të artikujve të tjerë ushqimorë dhe kërkojnë ngritjen e rrogave. Punëtorët, me grevat e tyre, e kanë vënë në vështirësi të jashtëzakonshme edhe politikisht qeverinë e Gierekut. Këto greva natyrisht, u shkaktojnë vështirësi edhe Bashkimit Sovjetik, po dhe gjithë kampit socialist. Pikërisht, të shkaktojnë vështirësi edhe Bashkimit Sovjetik, po dhe gjithë kampit revizionist.
Bashkimi Sovjetik jo vetëm që nuk i furnizon aleatët e tij me lëndët e para të nevojshme, sidomos me naftë, me energji elektrike, gaz e materiale të tjera, por u imponon atyre edhe armatime të reja moderne, të cilat ua shet me çmime të larta, ashtu siç bën edhe për materialet e tjera që ka kontraktuar me këto shtete. Prandaj qoftë Polonia, qoftë Gjermania Lindore, apo vendet e tjera vasale të Evropës Lindore, me kohë janë futur në borxhe kolosale jo vetëm ndaj social-imperializmit sovjetik, por edhe ndaj imperializmit amerikan e veçanërisht imperializmit gjermano-perëndimor.
GJERMANIA
Republika Federale e Gjermanisë është bërë sot një shtet i fuqishëm ekonomik, që, së bashku me Francën, sfidojnë, deri diku, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo sfidë e tyre qëndron në mospranimin e politikës së Karterit për sa u përket sanksioneve politike dhe ekonomike kundër Iranit, në mospranimin e marrëveshjeve të Kemp Dejvidit për Lindjen e Mesme, në mospranimin e vendosjes në vendet e tyre të raketave “Pershing-2” dhe “Kruiz”, sipas qejfit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës etj. Këto çështje, pra, kanë krijuar fërkime midis Francës e Gjermanisë Federale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht, përpiqen të mos i lënë “aleatët” e vet në NATO të shkojnë shumë larg, sidomos në bisedimet me social-imperialistët sovjetikë. Kështu, përveç presioneve të tërthorta e të drejtpërdrejta, Uashingtoni ka vënë Italinë e falimentuar që të kundërshtojë kursin e politikës së Parisit e të Bonit në bisedime me Bashkimin Sovjetik.
Në një artikull që ministri i Jashtëm italian, Emilio Kolombo, botoi para disa ditësh në gazetën “Republika”, kritikonte Francën dhe Republikën Federale të Gjermanisë për politikën e veçuar që bëjnë brenda “Evropës së Bashkuar”, në drejtim të Bashkimit Sovjetik. Ai i kritikonte Parisin dhe Bonin se gjoja flasin në emër të “Evropës së Bashkuar”, pa marrë më parë pëlqimin e pjesëtarëve të tjerë të këtij komuniteti. Përveç të tjerave Kolomboja thotë se, kur flitet për “Evropën e Bashkuar” dhe për politikën e saj, duhet kuptuar se ajo është e lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kolomboja theksonte se “mirëkuptimi franko-gjerman është i nevojshëm për Evropën Perëndimore dhe shtonte se për këtë “Italia nuk është xheloze”. “Por, vazhdonte ai, në rast se anëtarët e tjerë të Komunitetit Evropian vihen përpara fakteve të kryera dhe bëhen përpjekje për të vendosur vetë për vijat e përgjithshme të politikës evropiane, atëherë ne nuk jemi dakord”.
FRANCA
Pastaj ai vinte në dukje se midis Francës dhe Republikës Federale të Gjermanisë nuk ekziston unitet i plotë mendimesh dhe se ka “divergjenca në lidhje me mbrojtjen e përbashkët”. Me këtë frazë të fundit ai kërkon të bëjë të njohur botërisht se ka kontradikta midis Francës dhe Italisë. Këtu, e tërë çështja qëndron në atë që Italia mbështet plotësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veprimet e tyre. Këtë ajo e bën pse ua ka atyre nevojën më shumë se Franca dhe Gjermania Perëndimore; Italia është një shtet i falimentuar ku mbretëron kaosi dhe ku fashizmi vepron haptas.
Megjithëkëtë ditët e fundit Shmidi e ritheksoi edhe një herë politikën e tij drejt zbutjes me Bashkimin Sovjetik dhe me vendet e tjera të Traktatit të Varshavës. Duket qartë, pra, se Boni dhe Parisi dëshirojnë jo vetëm të mos i presin urat me Bashkimin Sovjetik, po përkundrazi t’i zbutojnë gjakrat, pse ata e dinë se një acarim mes Bashkimit Sovjetik dhe vendeve kapitaliste të Evropës Perëndimore do të rezultojë me një gjakderdhje. …derdhje katastrofike për Evropën, dhe se nga kjo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si kurdoherë, do të kenë përfitime të mëdha. Këtyre pasojave kërkojnë t’u shpëtojnë Franca dhe Gjermania Federale. Shmidi dha shpresa, gjithashtu, se politika e Bonit drejt Lindjes, do të ketë efekte pozitive edhe për konferencën e ardhshme të Madridit mbi “sigurimin dhe bashkëpunimin evropian”.
Në këtë mbledhje Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të marrin pjesë, edhe pse nuk janë vend evropian, do të kërkojnë të ngrihet çështja e pushtimit të Afganistanit nga ushtria sovjetike, kurse Bashkimi Sovjetik e kundërshton një gjë të tillë. Prandaj Helmut Shmidi dhe Zhiskar d’Esten do të përpiqen që të gjejnë një modus vivendi për këtë çështje, domethënë të mos e prishin me asnjërin, as me Bashkimin Sovjetik, as me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si të thuash do të përpiqen që edhe “mishi të piqet, por edhe helli të mos digjet”. Kështu, ata duan të paraqiten deri diku si të paangazhuar në veprimet e shpejtuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë pasur edhe karakter elektoral. Siç dihet, Karteri këto veprime i ndërmori edhe sepse i ranë mbi kokë shkëmbinj të mëdhenj që e tronditën prestigjin e tij si president, dhe i duhej patjetër t’u tregonte opinionit botëror dhe atij amerikan se ishte një president “i fortë”, por në të vërtetë u duk se ishte një “makaronë”. Pra Franca dhe Gjermania Federale mendojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur të kenë një president të ri, ka mundësi që ai të jetë përsëri Karteri, do të ndjekin një politikë tjetër, më elastike ndaj Bashkimit Sovjetik dhe natyrisht edhe ndaj partnerëve dhe aleatëve të vet, veçanërisht ndaj Francës dhe Gjermanisë Federale.
SHANTAZHET
Në këto situata Boni dhe Parisi janë në gjendje t’i bëjnë dhe po i bëjnë edhe ata shantazhe Uashingtonit dhe kështu forcojnë pozitat e tyre. Është e kuptueshme që këto dy vende, të cilat janë fuqizuar ekonomikisht dhe politikisht, bëjnë si me thënë ligjin në NATO derisa arrijnë të kundërshtojnë, në mënyrën e tyre, edhe planet amerikane dhe kërkojnë të ruhet statu quo-ja nga e cila ata kanë përfitime. Gjermania Federale dhe Franca e shtrojnë çështjen kështu: A duhet ne ta lëmë këtë rrugë, ta braktisim këtë politikë drejt Lindjes dhe të futemi në konflikte të përgjakshme me Bashkimin Sovjetik, kur gjatë gjithë kësaj kohe kemi investuar shuma të mëdha në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera të Evropës Lindore, dhe, nga ana tjetër, kjo politikë ka sjellë mosmarrëveshje të rënda në gjirin e vendeve të Traktatit të Varshavës? Kriza e madhe ekonomike botërore ka prekur thellë edhe Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të Traktatit të Varshavës. Nga kjo krizë e përgjithshme e kapitalizmit janë prekur edhe Gjermania Federale dhe Franca, por mund të thuhet se këto janë superiore ndaj vendeve të Evropës Lindore, të inkuadruara në Traktatin e Varshavës.
Këtu e kam fjalën për anën ekonomike, pse ushtarakisht në një konflikt të mundshëm evropian Bashkimi Sovjetik dhe ato janë më të forta nga Franca, nga Gjermania Federale dhe nga NATO-ja, në rast se nuk ndërhyjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra me këtë politikë, Franca dhe Gjermania Federale u thonë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe aleates së tyre, Kinës, në qoftë se ju dëshironi një konflikt me Bashkimin Sovjetik, bëjeni atë në Lindjen e Largme, në Siberi dhe jo në Evropë, jo në Lindjen e Afërt e të Mesme ku gjenden puset e naftës, të cilat furnizojnë me energji edhe Evropën. Këtu ndeshen në kundërshtim të madh politika hegjemioniste e imperialiste e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me politikën tjetër kapitaliste dhe kolonialiste të Francës, të Gjermanisë Federale të cilat kishin hyrë marrëdhënie më të thellë e më të qëndrueshme më parë midis këtyre dy republikave evropiane dhe një qëndrim më të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ne shohim se aktualisht, pa u vënë haptazi në kundërshtim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kancelari gjerman Shmid po bën deklarata, në të cilat thekson qëllimin e tij për të vazhduar më tej bisedimet gjermano-perëndimore me Bashkimin Sovjetik, domethënë për të vazhduar “Ost-politikën” që inauguroi Vili Brandi, ish-kryetar i Partisë Socialdemokrate Gjermane, e cila shihte për nga vendet e Evropës lindore.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












