LSI konteston Poshnjen: Votat e pavlefshme iu kaluan PS-së

May 16, 2011 | 10:31

Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar rivlerësimin e votave të pavlefshme në komunën Poshte, ku kandidati i kësaj partie, Kujtim Pelivani, ka humbur me dy vota diferencë ndaj kandidatit të Partisë Socialiste, Meleq Lila. Sipas përfaqësueses së LSI-së për këtë çështje, gjatë numërimit të votave, 56 prej tyre kanë dalë të pavlefshme për shkak se zgjedhësit kishin votuar për të dy kandidatët. Ndërkohë, kur janë rivlerësuar votat nga 56, 38 kanë kaluar në favor të kandidatit socialist. “Ky rivlerësim ka ndikuar në rezultatin përfundimtar, pasi diferenca mes dy kandidatëve është vetëm dy vota. KZAZ-ja e mori vendimin me shumicën e katër anëtarëve të saj, ndërsa tre anëtarët e tjerë nuk pranuan të firmosnin. Fletët që ishin shpallur të pavlefshme kishin shenja në të dyja emrat e kandidatëve”, tha përfaqësuesja e LSI-së. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Partisë Socialiste i kërkuan KQZ-së ta rrëzojë këtë kërkesë si të pambështetur në ligj dhe prova. Me gjashtë vota pro dhe 1 kundër të Pandeli Varfit u pranua kërkesa për të administruar disa nga provat që ndodhen në kutinë e materialeve zgjedhore dhe, pasi ato të verifikohen, do të jepet vendimi për këtë çështje. Gjithashtu, u vendos të administrohen provat edhe për një çështje në Finiq, ku kandidati humbës i PBDNJ-së akuzoi kandidatin e MEGA-s se në cilësinë e kryetarit të komunës ka ndryshuar listën përfundimtare 10 ditë pas afatit të fundit.

© Panorama.al

Te lidhura