Lëvizja Socialiste për Integrim do të hapë sot fushatën elektorale për kryeqytetin. Sipas një njoftimi zyrtar të LSI-së kreu i LSI-së Ilir Meta, do ndalet gjerësisht tek problematikat që shoqërojnë sot qytetarët e kryeqytetit, alternativat që ofron LSI-ja për zgjidhen e tyre, si dhe mbi marrëveshjen e ndarjes së zonave elektorale mes mazhorancës qeverisëse. Ndërkohë, kreu i LSI-së ndodhej dje në Lezhë nga ku kërkoi mbështetjen e qytetarëve për kandidatin Viktor Tusha. “Prandaj duhet ajo linja e tensionit të lartë që mungon, e cila do të bëhet shumë shpejt. Me këtë rast ju ftoj të zgjidhi përfaqësuesit më të mirë në të gjitha listat e LSI-së për këshilltarë, përfaqësuesit më shembullorë, të vlerave më të mira të qytetarisë dhe të komunitetit lezhjan, dhe njëkohësisht të jemi shembull i një fushate të kulturuar”, tha Meta. Ai u shpreh se 8 maji do të jetë një ditë feste dhe fitoreje. “Ju e shikoni sa i angazhuar është komuniteti ndërkombëtar, në krye të Komisionit të ODIHR-it do të jetë një nga ekspertët më të mirë të SHBA-ve. Të gjitha forcat politike duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që ky të jetë një proces shembullor. Fokusi i kësaj fushate për ne do të jenë hallet dhe problemet e qytetarëve te Lezhës, të banorëve të lagjeve të veçanta dhe të çdo komune në Lezhë dhe kudo në të gjithë Shqipërinë”, shtoi Meta.











