
Një tjetër skandal abuzimi seksual ka tronditur qytetin e Korçës, ku dy vajza të mitura janë ngacmuar seksualisht nga xhaxhai i tyre për 4 vite me radhë.Nëna e tyre 26-vjeçare ka denoncuar kunatin e saj për ngacmime seksuale me dy vajzat e mitura, me inicialet S. Z. dhe G. Z., 6 dhe 4 vjeçe. Për 4 vite vajza e madhe është ngacmuar nga xhaxhai 30-vjeçar, Mikel Z. dhe më pas dhe e vogla. Veprimet e turpshme ai i justifikonte me një lojë. Nëna e vajzave, Juliana Z., tregon me detaje si e ka zbuluar këtë veprim dhe e ka denoncuar rastin në polici, pasi nuk ka gjetur mbështetjen e bashkëshortit apo të familjarëve. “Me të gjitha fjalët që më kanë treguar vajzat e mia, po luaj mendsh. E akuzoj sepse i ka ngacmuar. ‘Hajt të luajmë doktorësh’, u thoshte vajzave dhe kur u thosha çfarë është kjo lojë, me thoshin kaq: ‘E dimë ne lojën dhe xhaxhi’. Ai i mbulonte në krevat me batanije dhe futeshin poshtë batanijes. Unë doja t’i zbuloja, gjyshja thoshte ‘lëri se po luajnë’. Kur i mora vajzat t’i laja, ato tregonin: ‘Keli na bën këto veprime’. Kur i kam kontrolluar me vëmendje vajzat dhe kam parë shenja, jam tmerruar. Siç ishte e madhja, ishte dhe e vogla”. Mungesa e mbështetjes nga bashkëshorti duket se ka qenë një tjetër faktor pengues për nënën, e cila, përveç traumës së vajzave, i është dashur të përballet edhe me presionet kërcënuese të bashkëshortit. “I thosha burrit se nuk dua t’i lë në shtëpinë e nënës tënde. Burri thoshte se ‘nuk ndodh ajo që mendon ti’ dhe me rrihte. I thashë një herë, dy herë, pastaj më ai me kërcënonte se do të më vriste, ndaj unë nuk hapa më gojë. Durova derisa shpërtheva, sepse tmerri që po vuanin vajzat e mia ishte i madh. Kam katër ditë që kam ikur nga shtëpia, familja ime është shumë larg, në Tropojë, i kam të varfër e nuk më ndihmojnë dot. Nuk kam ku të fle, ku të rri me vajzat e mia. Uroj, kush ka zemër, të më ndihmojë”, ka përfunduar mes lotëve 26-vjeçarja. Gruaja rrëfen se jetonte me bashkëshortin dhe vajzat e saj në një banesë me qira, po në të njëjtën lagje ku jetonte edhe vjehrra dhe kunati beqar. Sipas burimeve, gjendja e tyre psikologjike ka rezultuar tepër e rënduar, si pasojë e tmerrit të përjetuar prej 4 vitesh. Pas denoncimit, vajzat u janë nënshtruar kontrolleve mjekësore, nga të cilat ka rezultuar se ato nuk janë përdhunuar, ndërsa nga vetë rrëfimet e tyre, të bëra në prezencën e psikologes, është reflektuar fakti se ato janë ngacmuar seksualisht nga 30-vjeçari Mikel Z., i cili është edhe xhaxhai i tyre.
Nëna me vajzat largohen nga shtëpia
Nisur dhe nga fakti që ka rrëfyer nëna e të miturave, se babai i tyre e rrihte, ajo është zhvendosur për të jetuar në një hotel në periferi të qytetit të Korçës. Sipas Policisë, gruaja do të merret në mbrojtje nga ana e tyre, ndërsa pritet që t’i sigurohet strehë në një nga qendrat e mbrojtjes së viktimave të dhunës.
Vjehrra: Denoncimi, i sajuar nga nusja
Sanije Z., nëna e të arrestuarit ka mohuar akuzat e ngritura ndaj djalit të saj për ngacmime seksuale të mbesave. “Nuk është e vërtetë që e ka bërë diçka të tillë, unë jam kujdesur vetë për vajzat dhe të gjithë e dinë se unë nuk i lija asnjë moment vetëm. Ajo i ka sajuar të gjitha sepse nuk është e zonja të mbajë familjen, se s’ka mendje për shtëpinë dhe burrin”.
Precedenti në Korçë, daja shfrytëzoi nipin
Më 19 korrik të këtij viti, Policia e Korçës arrestoi një 45-vjeçar pasi u kap teksa shfrytëzonte nipin e tij 9 vjeç, djalin e motrës. Ai e shfrytëzonte atë në kryeqytet për lypje dhe seks në pedofili kundrejt çmimit 4 mijë lekë për person. Blutë organizuan operacionin e koduar “Porosia” dhe arrestuan shtetasin Arben Hajdinllari, banues në Lagjen Nr. 6 të qytetit. Pas arrestimit ai nuk e pranoi akuzën, por gjykata e la në burg.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











