Krejt rastësisht, duke shfletuar pardje “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (Tiranë, 1980), hasa fjalën “llonxhë” dhe, duke qenë se nuk ia njihja kuptimin, nxitova t’i lexoja shpjegimin. Në përdorimin e saj si ndajfolje, gjeta këtë kuptim të figurshëm: “me të ngrëna e me të pira”, ndjekur nga ky shembull: “është mësuar llonxhë”. O Perëndi, mend thirra, ndonëse ateist i vjetër, sa aktual qenka ky fjalor më se tridhjetëvjeçar: Ashtu si në atë kohë – kohë diktature -, edhe sot – kohë demokracie – ka që janë mësuar llonxhë e çfarë llonxhe se! Cilët janë këta? Nuk është fare e vështirë të merret me mend: i shohim çdo ditë në ekranin e televizorit: pushtetarë e opozitarë, deputetë të djathtë e të majtë, prokurorë e gjykatës të të gjitha niveleve, biznesmenë të të gjitha ngjyrave, me një fjalë shefa të të gjitha hallkave strukturave, zyrave etj., etj. Vetëm një gjë duhet të ketë parasysh lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës: ata që janë mësuar llonxhë jo detyrimisht janë të gjithë barkmëdhenj, sepse ekzistojnë sot plot mënyra për ta tretur ushqimin: sauna, palestër, fitness etj., etj., pa përmendur disa mënyra më intime që kanë të bëjnë me privatësinë e jetës së personazheve në fjalë.
Mësova gjithashtu se një tjetër kuptim i fjalës “llonxhë” na jepet nga përdorimi saj i figurshëm si mbiemër: “që ka të gjitha të mirat”, ilustruar me fjalinë “e kishte shtëpinë llonxhë”. Gjithsesi, ndryshe nga tridhjetë vite më parë, sot nuk përdoret më termi “shtëpi” për personazhet e lartpërmendura, por ai “vilë”, pra, thuhet rëndom dhe nuk mund të thuhet ndryshe : “aksh ministër, kryetar bashkie, prokuror, gjykatës, biznesmen e ka vilën apo, më saktë, “vilat” llonxhë”!
Mirëpo habia ime arriti një cak më të lartë kur ndesha një tjetër kuptim të fjalës “llonxhë”: strofull, vrimë. Çuditërisht shembujt e zgjedhur për ilustrim, më lanë të zhgënjyer: “Llonxha e dhelprës (e lepurit)”. Më lanë të zhgënjyer sepse, në mendjen time, por edhe në kompetencat e mia si (bashk)autor fjalorësh edhe gjuhësorë, edhe erotikë, “strofulla e dhelprës” dhe “vrima e dhelprës” nuk janë gjithnmonë e njëjta gjë për arsyen e thjeshtë se dhelpra, në përgjigjësi, ka një strofull, por disa vrima, sidomos ato të trupit (e kam fjalën për dhelprën femër). Rrjedhimisht, nëse nuk harrojmë që jo pak nga politikanët tanë janë dhelpra – sigurisht në kupimin e figurshëm të fjalës -, duhet të tregohemi të kujdesshëm kur shkojmë në strofullën e tyre, qoftë kjo edhe vetë selia e partisë së cilës i përkasin, por në asnjë mënyrë nuk duhet të futemi në vrimat e tyre (sidomos kur bëhet fjalë për politikanet që më kujtojnë delegatet në kongreset e Partisë së Punës)!
Së fundi, por jo më së paku, habia ime kapërceu rrëmbimthi çdo kufi kur mësova kuptimin e katërt të fjalës “llonxhë”: “Kuvend i gjithë fshatit”, “Njerëzit që merrnin pjesë në kuvend”, “vendi a sheshi i fshatit ku bëhej kuvendi i tij”! Dhe nuk munda dot të mos e çoja mendjen te kuvendet (kongreset, asambletë, seminaret, tubimet, manifestimet, protestat, demonstratat etj., etj.) e partive, organizatave, forumeve të ndryshme sot në Shqipëri, te pjesëmarrësit në to, te sheshet e rrugët ku zhvillohen disa prej tyre. Bashkëngjitur këtij kuptimi, më zuri syri edhe këtë kuptim të figurshëm: “Zhurmë e madhe, që bëjnë shumë veta kur flasin njëherësh e nuk merren vesh njëri me tjetrin…; potere, rrëmujë”. O Perëndi, tamam si tani në Kuvendin e Shqipërisë! Tamam si këto kohët e fundit në rrugët e sheshet e kryeqytetit shqiptar, në mediat e shkruara e në ato elektronike, në mendjet e njerëzve të tipit homo albanens, i cili, herë pas here, nuk duket më si homo sapiens ! Zhurmë e madhe, potere (“pushtet” në italishte) e rrëmujë! Pikërisht llonxha e luftës së pamëshirshme për pushtet!
© Panorama.al












