Ka dashur që hyrja e saj të ishte triumfale dhe në vdekje. Aktorja, e cila u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare, ka kërkuar që ceremonia mortore të fillojë me vonesë. Vdekja e Tejlor u shoqërua edhe me një rast interesant: Nekrologu që kishte shkruar për vdekjen e saj në “New York Times”, kishte vdekur 6 vjet më parë. Nekrologjia e Liz ishte gati prej vitesh.
Ajo bëri divën edhe në funeral. I la të gjithë të prisnin.
Në fund të fundit, kështu kishte ndodhur gjithnjë. E madhja dhe e pakorrigjueshmja, Elisabeth Taylor, e cila u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare, u përcoll në banesën e fundit, në një ceremoni, ku nuk u lejua prania e mediave. Pas ceremonisë fillojnë e dalin edhe ca të “fshehta”. Nga detajet e pakta që dalin nga funerali i Liz Taylor, disa janë me të vërtetë të pazakonshme. Ceremonia fetare ka filluar me vonesë, mbi bazën e një dëshire të shprehur nga aktorja, përpara se të vdiste. Këtë fakt e ka bërë të njohur agjenti i saj, përmes një komunikate për shtyp. “Ceremonia ishte parashikuar të fillonte në orën 2.00, por duke u mbështetur mbi një kërkesë të Elisabeth Taylor, të shprehur para se të vdiste, nisi më vonë”, thuhet në komunikatë. “Aktorja ka kërkuar që ceremonia të nisë, të paktën me 15 minuta vonesë nga orari i parashikuar, sepse dëshironte që të ishte me vonesë edhe në funeralin e saj”. Gjithnjë duke iu referuar agjentit të aktores, në ceremoni ishte i pranishëm edhe aktori Colin Farrel, mik i ngushtë i saj, i cili lexoi një poezi të Gerard Manley Hopkins. Të tjera lexime janë bërë edhe nga fëmijët dhe nipërit e saj.
Nekrologjisti, i vdekur 6 vjet para Taylor
Kur të mërkurën paradite u hap lajmi i vdekjes së Elisabeth Taylor, ndoshta të shumtë kanë qenë ata që janë çuditur me shpejtësinë që agjencitë dhe të përditshme on line, publikuan nekrologjitë, albumet fotografike e dokumente historike mbi divën e kinemasë. E vërteta është që në shumë redaksi, nekrologët i përgatisin këto materiale qysh më parë, me qëllim që të përdoren menjëherë në momentin kur jepet lajmi i vdekjes së personazhit të famshëm. Një ndër këto redaksi është edhe ajo e “New York Times”, e cila menjëherë i bëri homazh aktores së famshme. Por, interesantja në gjithë këtë histori është se gazetari që kishte përgatitur këtë nekrologji, Mel Gussow ka vdekur 6 vjet më parë. Komentet mbi këtë fakt kanë qenë të panumërta.
Precedenti
“Diva e fundit e kinemasë”, “Mbretëresha e Hollywoodit”, “Perëndesha me sy ngjyrë vjollcë”… Me këta tituj mediat i bënë homazh aktores. Aktorja arriti të jetojë më gjatë se të gjitha koleget e famshme të kohës së saj, që nga Rita Hayworth tek Marilyn Monroe. Madje jetoi edhe më gjatë se nekrologu i saj, Mel Gussow, i cili ka shkruar tekstin për “New York Times” dhe ka vdekur në vitin 2005. Gussow kishte punuar për 35 vjet si kritik teatri për gazetën “Big Apple”. Komentet mbi këtë fakt kanë qenë të shumta. NYT kishte vendosur një shënim në fund të nekrologjisë së Liz Taylor: “Mel Gussow ka vdekur në vitin 2005. William McDonald, William Grimes e Daniel E. Slotnik kanë aktualizuar tekstin”. Por, nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, pikërisht në NYT. Bob Hope ka vdekur në vitin 2003, ndërsa kritiku kinematografik, Vincent Canby, që kishte shkruar nekrologjinë e artistit, kishte vdekur përpara tij.











