‘Limaj’, Thaçi: UÇK-ja nuk ka bërë krime lufte

Mar 24, 2011 | 14:12

PRISHTINE- Një javë pas lëshimit të fletëarrestit të EULEX-i ndaj deputetit Fatmir Limaj, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se UÇK-ja nuk ka bërë krime dhe ka porositur qe per rastin ne fjale të respektohet Kushtetuta. “Qëndrimi i Qeverisë ka qenë shumë i qartë, edhe më herët, edhe sot dhe do të jetë përgjithmonë dhe qëndrim i politikës kosovare. UÇK-ja ka zhvilluar luftë të drejtë e të pastër për liri dhe pavarësi, ka zhvilluar luftë duke respektuar të gjitha normat dhe standardet ndërkombëtare, të konventave ndërkombëtare”, ka thënë kryeministri Thaçi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij  akuzat ndaj njerëzve të UÇK-së, kanë qenë edhe më herët, dhe janë edhe sot të padrejta.

“UÇK-ja nuk ka bërë krime në asnjë rrethanë. Edhe në rastin konkret, që ju pyesni, qëndrimi i Qeverisë ka qenë shumë i qartë; të gjithë deputetët, e në këtë rast edhe z Limaj, kanë imunitet. Ky është konstatim i yni dhe i EULEX-it dhe duhet të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Shumë zyrtarë kosovarë, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, kanë thënë se EULEX-i ka bërë shkelje ligjore duke lëshuar fletëarrest për krime lufte ndaj Limajt, të cilin e mbron imuniteti i deputetit.

© Panorama.al

Te lidhura