Nëse projektligji për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar miratohet sot, atëherë prishja e piramidës do ndodhë pas tre muajsh.Ky afat përcaktohet për prishjen në projektligjin e hartuar nga Kuvendi. Në nismën ligjore prej 29 nenesh, Kuvendi merr të gjitha përgjegjësitë për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Referuar procedurave të shpejta që përcaktohen në ligj, Kuvendi i ri duhet të jetë gati brenda datës 28 nëntor 2012, përkatësisht me festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Sipas projektit, ende nuk ka një kosto financiare për ndërtimin e kompleksit parlamentar, ndërsa në tenderin që do të zhvillohen për ndërtimin e saj, do të kërkohet si kriter koha e shkurtër e ndërtimit dhe një kosto sa më e leverdishme. Vetëm 10 ditë pasi ligji të hyjë në fuqi, Kuvendi do të marrë në pronësi Piramidën. Më pas Sekretari i Përgjithshëm do të marrë në dorëzim punën së bashku me një Komision Shtetëror, i cili do të mbikqyrë procedurat. Kuvendi do të zhvillojë një tender me negocim. “Kuvendi i Shqipërisë, në cilësinë e autoritetit kontraktor për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar përdor procedurën me negocim sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij. Për zbatimin e këtij ligji, ngarkohet Komisioni Shtetëror të përcaktojë rregulla më të detajuara për prokurimin”, thuhet në projektligj, ndërsa firma fituese do të përjashtohet edhe nga taksat. Më tej, në projektligj thuhet se çdo insititucion tjetër është i detyruar të veprojë sipas kërkesave të Kuvendit. Negocimi i kontratës për ndërtimin bëhet vetëm për 5 ditë dhe për 5 ditë është i detyruar edhe Insituti i Ndërtimit të bëjë oponencën, ndërsa KRRTRSH-ja duhet ta miratojë brenda 15 ditëve. Sipas nenit 10, Kuvendi i Shqipërisë negocion për lidhjen e kontratës si dhe kryen supervizionin. Më pas thuhet se Kuvendi, brenda 5 ditësh nga marrja në dorëzim e projektit të zbatimit, do të publikojë kërkesën për shprehje interesi për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar nëpërmjet botimit të saj në gazetën zyrtare të BE-së si dhe në “Financial Times”. Njëkohësisht, një kërkesë zyrtare do t’i dërgohet edhe 10 kompanive më të njohura në botë për ndërtimin e godinave shtetërore. Firma fituese e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, njofton çdo muaj Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit për planin e veprimit dhe realizimin e detyrave të kontratës. “Ngritja përkohësisht e kantierit të punimeve bëhet në sheshin e liruar të ndërtimit, në përputhje me kushtet dhe kriteret teknike në fuqi”, thuhet në projektligj.
Projektligji per kuvendin e ri
Objekti
Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave dhe procedurave, të drejtat, detyrimet dhe afatet në dispozicion të institucioneve respektove, për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar dhe funksionalitetin e tij deri në datën 28 nentor 2012.
Statusi juridik i pronës
Këshilli i Ministrave, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, vendos për transferimin e përgjegjësisë së administrimit të pronës; Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, “Pjeter Arbnori”, në bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, Tirane, nga inventari i Ministrisë se Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve në inventarin e Kuvendit të Shqipërisë.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme brenda 5 ditëve nga miratimi i vendimit.
Negocimi i Kontratës për projektin e zbatimit
Kuvendi i Shqipërisë negocion për lidhjen e kontratës, me studion e projektit fitues për hartimin e projektit të zbatimit në të gjitha fazat e tij, si dhe paraqitjen në institucionet përkatëse për miratim. Kontrata negociohet për një periudhe 5 ditore dhe në përfundim të saj i paraqitet relacion me shkrim Komisionit Shtetëror për përfundimin me sukses të saj ose propozimin për fillimin e negocimit me studion tjetër për projektin teknik të zbatimit. Investitori rezervon të drejtën që të sigurohet, se komentet e bëra në miratimin e projekt-idesë fituese, do të reflektohen gjatë hartimit të projekt-zbatimit.
Çmimi i kontratës së hartimit të projektit
Çmimi dhe koha e kontratës së hartimit të projektit të zbatimit, përcaktohet me vendim të Komisioni Shtetëror.
Komisioni Shtetëror, për përcaktimin e vlerës dhe të kohës së kontratës, mban parasysh vlerat përkatëse në vendet e Bashkimit Europian për objekte të ngjashme.
Modalitetet e pagesës përcaktohen me vendim të Komisionit Shtetëror.
Oponenca teknike
Brenda 24 orësh nga data e dorëzimit të projektit të zbatimit prej studios fituese të projektit të konkursit ndërkombëtar, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i dërgon me shkrese zyrtare Institutit të Ndërtimeve, projektin për vlerësim dhe oponence teknike. Instituti i Ndërtimeve realizon oponencën pa marrëveshje paraprake dhe pa pagese për një afat brenda 5 ditësh.
Njoftimi dhe paraqitja e ofertuesve
Kuvendi i Shqipërisë brenda 5 ditësh nga marrja në dorezim e projektit të zbatimit:
a) publikon kërkesën për shprehje interesi për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, nëpërmjet njoftimit ne “Gazetën Zyrtare” të Komisionit Europian dhe gazetën “Financial Times”.
b) i dërgon zyrtarisht kërkesën për shprehje interesi të paktën 10 kompanive më të njohura në fushën e ndërtimeve të godinave shtetërore.
Lista përcaktohet me vendim të Komisionit të Posaçëm Shtetëror. Kandidatët e interesuar të dorëzojnë shprehjen e interesit, jo me vonë se 15 ditë nga publikimi i kërkesës për shprehje interesi.
Procedura e prokurimit
Kuvendi i Shqipërisë, në cilësinë e autoritetit kontraktor për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, përdor procedurën me negocim, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim te tij. Për zbatimin e këtij ligji ngarkohet Komisioni Shtetëror të përcaktojë rregulla më të detajuara për prokurimin.
Përjashtimi nga taksat
Firma fituese ndërkombëtare për ndërtimin e kompleksit parlamentar përjashtohet nga taksat doganore dhe detyrimet tatimore.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











