Bombardime të tjera ka pasur gjatë natës së mbrëmshme në Tripoli, ku po sulmohen bazat e mbrojtjes se Kolonel Gedafit, i cili nuk e ka respektuar armëpushimin e shpallur prej vetë atij.Edhe gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, amerikanët kanë hedhur dhjetë raketa të tjera në bazat e tij të mbrojtjes. Ndërkohë avionët britanikë “Typhoon” nisën mbrëmë misionin e parë sulmues. Regjimi libian po deklaron se “shumë kanë mbetur të vrarë” nga bombardimet ajrore kundër shënjestrave përfshirë aeroportin në qytetin e lindjes së Muammar Gedafit, në Sirte, sipas agjencisë Reuters. Në mëngjesin e djeshëm një avion bombardoi një zonë pranë rezidencës së Gedafit, ku një ndërtesë u rrënua.
Burime ushtarake kanë detajuar pak pjesë të planit ushtarak për “Guardian” duke konfirmuar se aksioni do te vazhdonte edhe natën e tretë. Gjatë natës së dytë skuadrat ndërkombëtare kanë kryer 70 deri në 80 mësymje dhe kanë hedhur 10 deri në 12 raketa. Një avion RAF Tornado i cili ishte nisur për të goditur mbi tritoli ka ndaluar sulmin pasi civilë dhe gazetarë u gjendën brenda zonës së shënjestrës, ku edhe një gazetar i CNN po raportonte situatrën drejtpërdrejtë. Ndërkohë ushtria e Gedafit ka deklaruar se e ka marrë qytetin e Misratës, aty më parë u raportua se civilët kanë përdorur si mburojë njerëzore. Ndërkohë mes amerikanëve dhe britanikëve duket se vlerësimi nëse rezoluta 1973, e sheh vetë Gedafin si shënjestër reale apo jo, është i ndryshëm. Sekretari britanik i mbrojtjes, Liam Foks, tha se Geddafi konsiderohet si shënjestër e mundshme e bombardimeve.
Deklarata e tij ka pasur mjaft reagime nga mediat në të gjitha botën, që po mbulojnë ngjarjet në Libi dhe kërkojnë të zbardhin një itinerar më të qartë të planit ushtarak të koalicionit. Por gjenerali amerikan, Karter Ham tha se sulmi kundër liderit libian nuk ishte pjesë e planeve të misionit të tij. Edhe David Riçards, shefi britanik i mbrojtjes, tha se Gedafi nuk ishte absolutisht një shënjestër. “Nuk na lejohet nga rezoluta e OKB-së dhe nuk dua ta diskutoj më gjatë këtë çështje”, tha ai për BBC. Kryeministri britanik, David Kameron ka evituar pyetjen nëse Gedafi mund të shihet si shënjestër. “Në nuk do të bëjmë një koment të detajuar”, tha ai duke shtuar se shënjestrat duhet të jenë “plotësisht në përputhje” me rezolutën e OKB-së, por ai nuk do të thotë më asgjë më shumë në këtë pikë. Kameron tha se forcat e koalicionit e kanë neutralizuar mbrojtjen ajrore libiane. Ai tha se aksioni kishte ndodhur “ne kohën e duhur”. Kameron shtoi se për Britaninë, zgjidhja më e mirë është largimi i Gedafit nga pushteti.











