BASHKIM ZENELI

Vdekja e Gedafit, despotit ekscentrik dhe brutal, në duart e forcave kryengritëse, u dha fund 4 dekadave të regjimit diktatorial në Libi. Natyrisht, roli i SHBA-ve, BE-së dhe angazhimi ushtarak i NATO-s janë të pazëvendësueshëm dhe vendimtarë në këta 7 muaj. Është e natyrshme që fundi i pushtetit të Gedafit ka lindur pikëpyetje të shumta për të ardhmen e vendit që sapo ka nisur, në kushtet e Libisë me mungesë kulture demokratike, të partive demokratike, të sistemit zgjedhor demokratik etj. etj. Shoqëria libiane është tepër e fragmentarizuar dhe e thyer, e përbërë pre 140 fiseve tribale, arabëve dhe berberëve, Lindjes dhe Perëndimit, forcave ende pro Gedafit, të islamistëve dhe sekularëve. Kjo situatë nuk mund të mos përbëjë një shqetësim për ndërtimin e një sistemi demokratik. Vetë Gedafi ishte produkt i nacionalizmit post-kolonial dhe në një fare mënyre kjo është një ideologji për shoqërinë e prapambetur libiane.
Por natyrisht, SHBA dhe BE që bënë aq shumë ushtarakisht, por dhe politikisht – për të ndihmuar sjelljen e një ndryshimi politik në Libi, do të vazhdojnë këtë angazhim me sfidat e shumta e të vështira që ka vendi.
Sfida e sigurisë do të ishte e para në vend.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi të ndërpresë mandatin e NATO-s në Libi më 31 tetor, pavarësisht se Këshilli Kombëtar i Tranzicionit kishte kërkuar që NATO të vazhdonte. Tani për tani, mbështetësit e Gedafit nuk janë të pakët, jo për mundësinë e rezistencës masive, por për mundësinë e revanshit nëpërmjet akteve dhe sulmeve terroriste në vend. Nga përfaqësues të tyre ka pasur deklarata se sensi i thellë i poshtërimit për mënyrën se si u vra lideri i tyre, do të shërbejë si një nxitje për akte terroriste. Fiset tribale, jashtë çdo koncepti demokratik dhe të mbetura në një lloj vetëqeverisjeje, kanë kërkuar të shtrojnë çështjen e legjitimitetit dhe autoritetit të KKT-së. Konflikti duket se ka nisur. Edhe në radhët e vetë kryengritësve, që natyrisht janë të çorganizuar, ka pasur manifestime që kanë shprehur rrezikun real të konfliktit se kush e ka legjitimitetin e qeverisjes ne Libi. Në vetë radhët e këtyre kryengritësve janë problematike dhe të rrezikshme dasitë e shumta krahinore, etnike, fetare e po kështu edhe prania e islamistëve ekstremmistë dhe salafistëve të vijës së ashpër. Shefi i Këshillit Ushtarak të Tripolit, Belhadj p.sh., është një figurë e njohur e këtij trendi islamik ekstrem. Forcat anti-Gedafi, të përbëra edhe nga dezertorë të njësive ushtarake apo shumica forca vullnetare të patrajnuara, po ndeshen që në fillim me sfidën e sigurisë. Ato e kane ende të vështirë të shërbejnë si njësi që të sigurojnë rendin, qetësinë, paqen ne periudhën që sigurisht do të zgjasë të tranzicionit. Dhuna në shoqërinë post-konfliktuale edhe pas rënies së regjimeve diktatoriale mbetet për një kohë të gjatë e pranishme. Rezulton se çdo shoqëri post-konfliktuale ka deri në 40% mundësi që të ripërfshihet në konflikt. Mbas Irakut, natyrisht edhe Libia nuk bën përjashtim nga ky rrezik i përhapjes së dhunës, të pa ose të organizuar për interesa kriminalë dhe për përfitime financiare në një treg jashtë çdo kontrolli.
Një tranzicion politik dhe ekonomik në vend do të ishte i vështirë dhe i pamundur jashtë funksionimit të forcës së sigurisë. Duket se vështirësitë në vendosjen dhe mbajtjen e sigurisë në vend do të jenë të mëdha, edhe për shkak se KKT ka deklaruar se Libia nuk do të ketë nevojë për një prani të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare. Këshilli ka kundërshtuar gjithashtu edhe një mision vëzhgimi ushtarak të Kombeve të Bashkuara, që do të ishin rreth 200-300 trupa në krahasim me forcat paqeruajtëse, që do të shkonin deri në 80 mijë trupa. Me këtë qëndrim natyrisht që shtohet dyshimi për sfidën e sigurisë, po të shtojmë këtu edhe faktin se vetë forcat apo njësitë anti-Gedafi janë të patrajnuara dhe profesionalisht të dobëta për përmbushjen e detyrave në fushën e sigurisë. Opsioni i vetëm i shpallur nga Këshilli Kombëtar Libian është riintegrimi i një numri të madh të ish-trupave të policisë dhe ushtrisë së Gedafit nën një strukturë të re sigurie. Por natyrisht, reforma dhe trajnimi me këtë strukturë do të kërkojë muaj e ndoshta edhe vite. Këshilli ka shfaqur interes për ndihmë në trajnimin e këtyre njësiteve nga Egjipti dhe Tunizia, por edhe nga Jordania e Katari.
Stabiliteti politik është tjetër sfidë e rëndësishme për Libinë e post-Gedafit. Natyrisht, kundërshtarët e regjimit përbëjnë pjesën më të madhe të popullit libian. Megjithatë, ka shqetësime edhe për përbërjen e KKT-së, në të cilin bëjnë pjesë edhe përfaqësues të lartë të ish-regjimit, ish-ministra, ish-ushtarakë të lartë etj. Por kësaj i shtohet edhe fakti se vetë Këshilli ka një karakter kalimtar dhe se anëtarët e këtij që sot qeverisin, janë të privuar nga të qenët deputet, ministra apo zyrtarë të lartë mbas zgjedhjeve. Dhe kjo ka shtuar dyshimin për angazhimin e devotshëm në kryerjen e këtij misioni deri në zgjedhjet parlamentare, sidomos për të nxitur mirëkuptimin dhe dialogun politik mbarëkombëtar, aq të domosdoshëm për të siguruar një tranzicion paqësor dhe stabilitet politik. Ndonëse ka nisur procesi për përgatitjen e zgjedhjeve, ato do të mbahen mbas 8 muajsh. Kjo është një detyrë shumë e vështirë. Mungesa e përvojës demokratike, mungesa e partive të ndryshme e sidomos atyre opozitare, përbën një rrezik për të nisur sektarizmi rajonal, fetar, etnik apo tribal. Mbas dekadave dasie midis shtetit dhe shoqërisë libiane që nga mbreti Idriz dhe më pas Gedafi, Libisë më shumë se kurrë tani i nevojitet bashkimi për të nisur mbarë stabiliteti politik. Tributë kanë probleme të mëdha të konceptimit të demokracisë dhe, që nga nisja e rënies së regjimit, ato kanë qenë në konflikt edhe me vetveten, edhe me regjimin në rënie, por edhe me vetë forcat anti-Gedaf. Politika 40-vjeçare e Gedafit “përça dhe sundo”, duke favorizuar perëndimin mbi lindjen e vendit, arabët mbi berberët, islamistët fundamentalistë mbi myslimanët-sanusi, natyrisht që kanë ndikim edhe sot.
Është shprehur mendimi i diplomatëve dhe analistëve politikë se do të ishte më mirë që në fillim të zhvilloheshin zgjedhjet vendore dhe më pas 1-2 vjet më vonë të zhvilloheshin ato parlamentare, meqenëse vendi është pa përvojë dhe kjo do të shmangte retorikën e mundësisë së një revanshi fetar, etnik, apo sektarizmit tribal në ndërtimin e një Libie te re.
Ekonomia është një tjetër sfidë e rëndësishme mbas rënies së regjimit. Libia zë vendin e 9-të në botë për sa u përket rezervave të naftës, me rreth 50 miliardë fuçi rezerva. Libia ka të ardhurat më të mëdha për fryme në Afrike dhe, pavarësisht kësaj, papunësia është mbi 50% dhe 1/3 e popullsisë, nën nivelin e varfërisë. Rreth 60% e forcave të punës në vend është e punësuar në shtet dhe kjo do të jetë tepër e vështirë për ta mbajtur në të ardhmen. Nuk ekziston koncepti i ekonomisë së tregut, nuk ekziston mekanizmi i taksave dhe përballja me një koncept të ri ekonomik do të kërkojë shumë kohë. E gjithë ekonomia e Gedafit mbështetej te nafta dhe 90% e të ardhurave në shtet vinin prej saj. E fokusuar vetëm në një drejtim, nuk ekziston asnjë balancë tjetër.
Së fundi, fakti që misionet e NATO-s nuk do të jenë më të pranishme në Libi (KKT-ja kërkoi vazhdimin e pranisë së NATO-s, ndërkohë që më parë ishte shprehur kundër saj), përbën një sfidë të veçantë për sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e Libisë. Gjithsesi, Libia sot ka nevojë jo vetëm për një çarmatim të brendshëm te popullatës, por edhe të një embargoje në kufijtë e saj detarë, por edhe tokësorë, që aktualisht janë të pakontrolluar. Ndër afro 6 mijë km kufij, rreth 1800 km janë kufij detarë dhe rreziku i trafikut të armëve, kontrabandës së tyre, është shumë i madh. Është folur për një marrëveshje midis Libisë dhe fqinjëve të vet për sigurinë e kufijve. Por niveli politik i marrëdhënieve me fqinjët do ta vështirësonte mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje të tillë, sidomos me Algjerinë.
Gjithashtu, në mungesë të pranisë së NATO-s, është shprehur interesi për një mision trajnimi të NATO-s, në modelin e atyre të Irakut dhe Afganistanit. Natyrisht, kjo do të kërkonte rreth 32 milionë euro ne vit, plus shpenzimet për një personel prej 200 vetash dhe gjithashtu do të kërkonte një prani për rreth 2 dekada, duke llogaritur se te forcat e armatosura libiane me historinë dhe praktikat e tyre nuk mund të transplantohen përvojat perëndimore.
Ajo që do të zbuste çdo situatë problematike dhe konfliktuale në Libinë e post-Gadafit, në një fare mase do të ishte nëse NATO-ja do t’i ofronte Libisë anëtarësimin në Dialogun Mesdhetar, një partnership që ekziston me të gjitha shtetet e Afrikës së Veriut. Kjo do të ishte edhe një mundësi jo vetëm për konsultime të rregullta, por do të shërbente edhe si një hap i parë e do të kontribuonte natyrisht në një shkallë të vogël në riintegrimin e Libisë në Magreb (Maroku, Algjeria, Tunizia dhe Egjipti) janë të gjitha vende anëtare të Dialogut Mesdhetar. Në kontekstin e Dialogut Mesdhetar, Libia do të mund të përfitonte nga iniciativa e bashkëpunimit për Trajnim te NATO-s, edhe pas mundësisë së trajnimit të drejtpërdrejtë të NATO-s në Libi.
Pra, largimi i një regjimi diktatorial është njëra anë shumë e rëndësishme, një fitore e popullit Libian, por nga ana tjetër instalimi dhe ndërtimi i një regjimi demokratik të qëndrueshëm është diçka krejt ndryshe, e vështirë por e domosdoshme, një sfidë për popullin libian, sfidë në të cilën do të ketë sigurisht mbështetjen dhe ndihmën e veçantë të Perëndimit.
© Panorama.al











