Bombardimet me avionë vazhduan për të tretën ditë radhazi, sipas disa dëshmitarëve. Protestat shpërthyen për herë të parë në kryeqytetin Tripoli, ku një njeri i armatosur qëlloi në ajër për të shpërndarë turmën që thërriste, “Geddafi është armik i Zotit”. Forcat e Geddafi-t kanë hedhur gaz lotsjellës dhe kanë qëlluar kundër turmës në Tripoli, duke tensionuar edhe situatën në kryeqytet, i cili ishte i vetmi vend i sigurt për Geddafi-n, ku kryengritësit nuk kishin mbërritur ende. Forcat e Geddafi-t kanë sulmuar gjithashtu sërish edhe qytetin Zawiya, i cili ishte në duart e protestuesve, duke vrarë të paktën 18 vetë, përfshirë edhe komandantin e forcave lokale rebele, Hussein Darbouk, kolonel që kishte dezertuar ushtrinë e Geddafi-t për të mos vrarë popullin. Luftëtarët rebelë kanë sulmuar forcat qeveritare në portin e naftës, Ras Lanouf, në Libinë Qendrore, por mercenarët po rezistojnë. Shërbimet e internetit në vend janë shkëputur tërësisht. Ndërkohë Interpoli ka nxjerrë një njoftim në të gjithë botën kundër Geddafi-t dhe 15 anëtarëve të rrethit të tij më të ngushtë, për të përforcuar respektimin e sanksioneve të OKB-së. Presidenti Barak Obama një ditë më parë ka paralajmëruar se ushtria amerikane do të ketë “kapacitet të plotë për të vepruar, potencialisht shpejt” në Libi, nëse situata përkeqësohet. I kujdesshëm, Obama është shprehur se SHBA do të konsultohet me komunitetin ndërkombëtar. “Rajoni do të vështrohet me kujdes, për t’u siguruar se ne jemi në anën e drejtë të historisë”, tha ai. Ndërkohë, në kufijtë e Libisë gjendja është kaotike, mijëra njerëz në ditë përpiqen të largohen nga vendi. Autobusët janë ndër mjetet e pakta të mbetura për transport, pasi një pjesë e mirë e aeroporteve nuk funksionojnë. Sipas agjencisë shtetërore kineze “Xinhua”, pas nëntë ditësh emergjence të evakuimeve, Kina ka tërhequr më shumë se 35.000 qytetarët e saj nga kaosi i Libisë.











