Libi, Geddafi sulmon me tanke e avionë, viktimat nuk numërohen

Mar 7, 2011 | 9:45

Forcat e Geddafi-t kanë kundërsulmuar të dielën qytetet Brega, Zawiya dhe Benghazi, me shpresën për të rimarrë pushtetin. Thuhet se 18 persona kanë humbur jetën gjatë betejës. Në Tripoli, ku janë dëgjuar të shtëna “gëzimi” në ajër nga besnikët e Geddafi-t, lajmi u dha nga vetë koloneli, “rimorëm qytetet dhe kemi rrethuar Benghazi-n”. Benghazi, qyteti i dytë nga madhësia në Libi, është epiqendra e protestuesve dhe opozitarëve. Geddafi tha se e ka fituar luftën kundër rebelëve. Sipas njoftimeve nga televizioni shtetëror libian, nga duart e rebelëve janë marrë Tobruku, Misurata dhe Ras Lanuf. Por menjëherë pas këtij lajmi, ka reaguar një nga gazetarët e “France Presse”, i cili tha se po sheh me sytë e tij, që të paktën Ras Lanouf është ende në duart e rebelëve. Geddafi ka kërkuar heqjen e sanksioneve nga OKB, duke propozuar një ndërtimin e një komisioni nga Kombet e Bashkuara apo Liga Arabe për të vlerësuar situatën në terren. Geddafi vazhdon të fajësojë gazetarët e huaj, se raportimet e lajmeve të tyre nga terreni nuk janë reale dhe situata në Libi është shumë ndryshe nga sa përshkruhet në perëndim. Lideri libian tha se ai po përpiqet të luftojë terrorizmin, por me sa duket ka mbetur i vetëm në këtë luftë, pasi askush nuk po e ndihmon. Ndërkohë, rebelët duke përdorur rrjetin social Tweeter, kanë përgënjeshtruar edhe marrjen e dy qyteteve të tjera nga forcat qeveritare, Misurata dhe Tobruku. Në përpjekje për të marrë mbështetjen e BE-së, Geddafi paralajmëroi se meqë situata është e tillë, mijëra persona do të pushtojnë Europën në kërkim azili. Gjatë ditës, një njësi e forcave speciale britanike u arrestua nga rebelët, por u lirua sërish më vonë, kur u mësua se nuk ishin palë e Geddafi-t.  Koloneli dje ka përdorur avionët, tanket dhe mercenarët për të bombarduar dhe mësyrë në qytetet e çliruara nga protestuesit. Franca ndërkohë ka dalë sërish në mbështetje të protestuesve, duke përshëndetur formimin e Këshillit nacional të opozitës libiane, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme franceze, Bernard Valero. Në tv është shfaqur edhe infermierja personale ukrainase e Geddafi-t, e cila tha se ai është në gjendje shumë të mirë shëndeti dhe një psikolog i shkëlqyer. Për Geddafi-n ish ministri i Drejtësisë në Libi, Mustafa Abdeljalil, tani kreu i Këshillit nacional, tha se ai është i aftë të kryejë gjenocid përpara se të japë dorëheqjen. “Amnisty Intrenetional” ka deklaruar se ndërsa në Libi luftimet mes besnikëve dhe kundërshtarëve të Geddafi-t vazhdojnë, viktimat nuk mund të numërohen më.

© Panorama.al

Te lidhura