Forcat e Geddafi-t në Libi, kanë përparuar shumë më tepër gjatë ditës së djeshme, duke marrë edhe qytete të tjera të cilat ishin në duart e opozitës dhe rebelëve. Dje ata kanë mundur të marrin sërish sundimin mbi qytetin e rëndësishëm Zawiya, pas disa javësh përpjekje për ta rimarrë pushtetin, duke e kthyer qytetin në një shesh lufte. Sheshi kryesor i qytetit, sheshi i martirëve, është i shkatërruar nga bombardimet, rreth tij qarkullojnë tanke të armatosura, dhe mjete të tjera ushtrie. Mbështetësit e Geddafi-t kishin dalë në këtë qytet me flamujt e gjelbër dhe slogane: “Sot Zawiya, nesër Benghazi”. Mjekët në këtë qytet thanë për reporterët, se ushtria kishte vrarë dhe plagosur rëndë shumë civilë, ishte masakër. Vetëm dje ishin gërmuar 20 varre të reja. Qyteti ishte i qetë dje, dyqanet ishin mbyllur dhe shtëpitë ishin braktisur, sipas korrespondentit të CNN. Minarja e xhamisë ishte shkatërruar, plumba dhe municione të tjera gjendeshin në tokë bashkë me rroba të përgjakura ushtarake. Televizioni shtetëror i Libisë raportoi lajmin, duke thënë se “të droguarit, tradhtarët dhe qentë” ishin mundur. Forcat e Geddafi-t kanë hyrë shtëpi më shtëpi në Zawiya. Sipas dëshmitarëve ata kanë arrestuar shumë njerëz. Beteja ka vazhduar edhe në qytetin lindor Ras Lanuf, por edhe qytete të tjera, ku forcat e regjimit kanë përdorur avionë dhe artileri të rëndë për të rimarrë zonat e qeverisura nga opozita. Televizioni shtetëror libian ka deklaruar se edhe “Ras Lanuf është pastruar nga bandat e armatosura që kanë lidhje me Al Kaedën”. Forcat e opozitës kanë pranuar se janë tërhequr për shkak të bombardimeve të rënda. Ata thanë se ndodhen në një pikë kontrolli 5 milje larg qytetit lindor. Saif Gedfafi, djali i fuqishëm i Moammar Geddafi-t dhe një zëdhënës për regjimin, tha se do ta marrë Libinë lindore dhe këmbënguli se ai që qeveriste dhe duhej nga populli, ishte ende babai i tij. Ai tha se merr qindra telefonata në ditë, ku populli i kërkon t’i shpëtojnë. Sa për opsionin e ndërhyrjes ushtarake, Said tha se “populli libian nuk do t’i mirëpresë kurrë NATO-n apo amerikanët. “Libia nuk është një copë torte dhe ne nuk jemi Mickey Mouse”, tha ai.











