Letërporosi për predhën e Aleks Nikës

Mar 18, 2011 | 10:11

Ekspertiza e personit të katërt, që u vra në demonstratën e 21 janarit në Tiranë, ka mbetur pezull, për shkak se predha që i ka marrë jetën atij ndodhet ende në Turqi.I riu nga Lezha, Aleks Nikaj, gjeti vdekjen në një spital në Turqi rreth dy javë pas ngjarjeve të dhunshme të ndodhura pranë Kryeministrisë në Tiranë. Pasi qëndroi një javë në koma në spitalet shqiptare, ai u dërgua për kurim të specializuar në Turqi, por nuk arriti të mbijetonte për shkak të plagës në kokë. Pas vdekjes së të riut, mjekët turq nxorën predhën nga organizmi i viktimës, por ndërkohë që trupi i tij u riatdhesua e më pas iu dorëzua të afërmve, predha që kishte goditur Aleks Nikën mbeti në Turqi. Pak ditë më pas, Prokuroria e Tiranës dërgoi një letërporosi në adresë të autoriteteve turke. Letërporosia përmbante një njoftim, sipas të cilit Prokuroria e Tiranës është duke zhvilluar hetime për vrasjen e djalit nga Lezha. Në letrën e dërguar autoriteteve turke, thuhej më tej se predha e gjetur në organizmin e tij ishte e nevojshme të ekzaminohej në Tiranë, për arsye të hetimit të ngjarjes. Për këtë shkak, Prokuroria kërkonte administrimin e plumbit dhe dërgimin e tij në Shqipëri për realizimin e ekspertizës. Që prej datës 24 janar 2011, Prokuroria ka mbajtur fillimisht 51 armë të Gardës së Republikës të sekuestruara. Më pas organi i akuzës bllokoi edhe 25 armë të tjera dhe së fundi ka sekuestruar edhe një numër pistoletash. Bllokimi i këtyre armëve u bë për të krahasuar predhat e gjetura në trupat e viktimave të 21 janarit, me armët që kanë pasur efektivat e Gardës në shërbim, gjatë ruajtjes së selisë së Kryeministrisë. Një krahasim i tillë gjeti se predha që vrau Ziver Veizin, ishte qitur nga arma e Agim Llupos, major i Gardës tashmë i arrestuar për vrasje. Për viktimën tjetër Hekuran Deda, grupi i hetimit ka thënë se nuk është gjetur gëzhojë, pasi plaga ka qenë tejshpuese. Plumbi që ka vrarë viktimën tjetër, Faik Myrto, nuk është përputhur me asnjë nga armët e Gardës që janë  ekspertuar deri tani. Ndërkohë që verifikimet për tri viktimat e para thuajse kanë përfunduar, çështja e vrasjes së Aleks Nikës ka mbetur e hapur, për shkak se ende nuk është bërë e mundur të realizohet përcaktimi i armës që ka qitur predhën e cila i ka marrë jetën demonstruesit. Burime të Prokurorisë së Tiranës kanë pohuar se letërpororia, sipas procedurës, është nisur nëpërmjet drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, në Ministrinë e Drejtësisë. Prokuroria veç predhës, mësohet se ka kërkuar edhe të gjitha dokumentet mjekësore të hartuara nga spitali turk gjatë kohës së kurimit të Aleks Nikës. Në mënyrë të veçantë janë kërkuar të dhëna për dëmtimet dhe natyrën e plagës, e cila pas kthimit të të riut në Shqipëri, ka qenë e dëmtuar nga kryerja e mjekimeve në shtetin turk. Për rrjedhojë, kjo këqyrje, sipas hetuesve, duhet të plotësohet me dokumentet mjekësore të spitalit turk për të pasur vlerë procedurale.

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura