Kryetari i Partisë Lidhja Demokristiane Shqiptare, Nikollë Lesi, reagoi dje duke thënë se mjaft KZAZ në mjaft vende, po shkelin ligjin. “Lidhja Demokristiane Shqiptare (LDK) deklaron me shqetësim të madh se shume KZAZ në Shqipëri, si ne rrethet Sarandë, Burrel, Kavajë, Elbasan, Berat, Korçë, Peshkopi, Malësi e Madhe, Gramsh etj, nuk njohin Kodin Zgjedhor ose veprojnë me keqdashje ndaj forcës sonë politike, duke mos pranuar të regjistrojnë listat tona për këshilltarë në komuna e bashki. Për ketë i jemi drejtuar KQZ-së dhe na ka dhënë të drejtë me gojë, por akoma nuk ka ndëshkuar apo tërhequr vëmendje këtyre KZAZ-ve të ngritura në bashki apo komuna”, thuhet në reagimin e kësaj partie. Në të njëjtin reagim, kjo parti jep raste kur janë ndaluar këto regjistrime. “Flagrante janë rastet e KZAZ-së në komunën Ksamil në rrethin e Sarandës, ku kryetari i KZAZ-së, zoti Guri Tatari, apo në rrethin e Beratit ku nën pretekste absurde, këto komisione zgjedhore vendore nuk pranojnë të regjistrojnë LDK-në për këshilltare, se gjoja “është parti e re dhe nuk ka marre pjesë asnjëherë në zgjedhje vendore apo se nuk ka deputet në Parlament”! Kodi Zgjedhor e thotë qartë se kur një parti, e në këtë rast nënkuptohet edhe për LDK, e cila është në një koalicion me një parti e cila ka deputete në Parlament, nuk ka nevoje të ketë vetë deputete apo këshilltarë në komuna apo bashki. Prandaj, LDK-ja, duke qenë në Koalicion me PD-në e disa parti të tjera politike si në rastin e Koalicionit që quhet “Aleanca për Qytetarin”, duhet të regjistrohet nga çdo KZAZ, sapo të paraqesë listën shumemerore për këshilltare”, thuhet në reagim, duke shtuar se “nëse vazhdohet kështu, duke bllokuar regjistrimin e LDK-se për këshilltarë në komunat e bashkitë e vendit, atëherë kemi të drejtë të themi se zgjedhjet janë të kontestuara që në fillim”.











