LENO LUCI: Atentati i rremë ndaj Enver Hoxhës që na ndau familjen

Mar 6, 2011 | 12:15

Përbetimet rinore, nga ato kur ndër lot shkëmben me njeriun e dashur besën, se asgjë e askush nuk mund t’ju ndajë, nuk është e thënë që të përmbushen gjithnjë. Por nëse në rastin kur ndonjëri e shkel, ato betime përpiqesh t’i largosh nga kujtesa, nuk mund të ndodhin në rastin tjetër, kur të tjerë përpiqen me të gjitha mënyrat t’ju përçajnë, pavarësisht që arsyeja është shumë larg logjikës. “Shkeljen” e fjalës për dashuri të përjetshme, në letra, iu desh ta thyente Leno Lucit, bashkëshortes së Namik Lucit, sado që ky i fundit vazhdimisht e refuzonte. E ç’mund të bënte tjetër një zonjë e vetme, me katër djem për të rritur? Partia kishte vetëm këtë si përgjigje. E ka qenë pikërisht një ditë si ajo e nesërmja, data 7 Mars, kur mësueses së letërsisë i është dashur të lërë nxënësit pas derës së mbyllur të shtëpisë, e të paraqitet në Gjykatën e Tiranës për të firmosur divorcin nga i shoqi. Mandej, për disa vite me radhë, ajo as që do të ishte më mësuesja së cilës nxënësit e gjimnazit të Laçit i dhuronin libra e lule. Sado që vitin pasardhës ata vendosën të mos shkojnë te mësuesi që kishte zëvendësuar mësuesen e tyre, por t’i riktheheshin kujtimeve të dikurshme. Por data 7 e 8 e çdo muaji Mars, nuk ishte e thënë për të, të kujtohej vetëm si dita në të cilën ajo shkëmbente buzëqeshje e fjalë të mira me nxënësit (në mungesë të të ëmblave për t’i gostitur, përjashto karamelen, edhe kaq me sforcim). Nënvetëdijshëm, një arsimtare që numëron 10-vjeçarë në punën e saj, nuk ka se si t’i lërë mënjanë, veçse më vonë, qysh prej vitit ’98, këto dy ditë të grave, do të ishin për të ditët që do kujtonte përvjetorin e vdekjes së të shoqit. Ende edhe sot që kanë kaluar jo pak vite nga koha kur doli në pension, e ndien prej zërit të telefonuesve, megjithëse i urojnë ditën e mësueses, ata thjesht duan të jenë prezent në përkujtimin e dhimbjes së saj. Leno i ka hedhur në letër kujtimet e mbresat e saj me të shoqin e me katër djemtë. Si një mësuese letërsie, kuptohet që nuk ishte asfare e vështirë për të, të radhiste kujtimet, veçse, ishte e vështirë të frenonte lotët, sa herë e shkuara i shfaqej qartazi përpara. Sidoqoftë, libri e pa dritën e botimit shumë shpejt, edhe pse pjesëmarrësit në të, ata që do ndanin mbresat e bukura me Namik Lucin nuk ishin të paktë, kështu që do të duhej një përmbledhje e të gjithave. E gjithë kjo në shenjë respekti ndaj emrit e njeriut që ishte, për ta kujtuar e për ta pasur ndër rafte librash, gjithsecili prej miqve e të afërmve të tij. Krahas kujtimeve të së ëmës, vend po kaq të rëndësishëm zë edhe një nga djemtë, Avniu. Edhe pse vetëm 11 vjeç në kohën kur i ati u arrestua “në emër të popullit”, fragmentet që i ndryshuan jetën fëmijës që nuk i mungonte asgjë, nuk kanë se si t’i shpëtojnë kujtesës. Kontrollet e herëpashershme të hetuesve në shtëpinë e tyre, të afërmit nga Kosova që i thoshin se donin më shumë ‘xhaxhi Titon’ se ‘xhaxhin Enver’, transferimi i së ëmës nga drejtoreshë shkolle në punëtore të Kombinatit të Drurit, emri i transformuar Namikoviç i të atit, të gjitha këto, edhe pse fare fëmijë, nuk mund të mos i ndiesh ende me mend e me trup. Ecejaket e Avniut (Anit) Laç-Qafë Bari (vendi ku ishte burgosur i ati në afërsi të Pukës), bashkë me ndonjërin prej vëllezërve, përçapjet e së ëmës për të rritur fëmijët herë me bukë e herë pa, vijnë sot, për rastësi, në pragpërvjetorin e vdekjes së Namik Lucit.
Së pari, 7 Marsi ju ka përkitur, sepse numëroni shumë vite që keni qenë mësuese, mandej, vite më vonë, kjo festë do t’ju ngacmojë edhe kujtime të trishta…
Së pari, në vitet e shkuara, natyrisht që kjo ditë ishte e mbushur për të gjithë mësuesit, sado që aso kohe kishte nga ata që edhe detyroheshin të mos e hapnin derën e shtëpisë, sepse nuk kishin me ç’të qerasnin nxënësit. Libri a ndonjë lule e këputur nga kopshti, ishin dhuratat e gjithhershme. Mandej, 7 marset e mi do ndryshonin. Në njërin prej tyre, kur nuk më kishte prekur ende ‘shpata’ e kohës, duhet të isha në Gjykatën e Tiranës, për t’i kërkuar pa dëshirë tim shoqi të burgosur, divorcin. Nxënësit kishin trokitur në shtëpi, nuk kishin gjetur njeri dhe kishin ikur. Këtë ma thanë sapo u ktheva, sepse nuk donin të mendoja që ata nuk po vinin për shkak të fjalëve, që me të shpejtë po përhapeshin në qytet. Pastaj më hoqën nga shkolla, por edhe 7 Marsin vijues, po të njëjtët nxënës, erdhën tek unë në vend që të shkonin te mësuesi zëvendësues i letërsisë. Por historia sa vjen e bëhet më e trishtë, sepse ishte sërish data 7 e muajit mars, që tashmë nuk do ngacmonte më gëzim, sepse im shoq, Namik Luci, u largua nga jeta. Ka ende miq që më marrin për të uruar në këtë ditë, porse e ndiej që përtej atij urimi, ata duan thjesht të më tregojnë që më janë pranë.
Ta nisim historinë nga fillimi, atë të takimit tuaj me Namikun…
Namiku ishte nga Peja e Kosovës. Ndër të tjerë, në ’61-shin erdhën prej Kosove edhe dy mikesha të miat, prej të cilave do njihesha me Namikun, e më pas, të pëlqeheshim e të shoqëroheshim më tepër. Por nuk ishte kaq e thjeshtë. Që të lidhja besën me të, unë duhet të hiqja dorë nga familja ime. Im atë kishte qenë pjesëmarrës aktiv në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë. Përkushtimi i tij luftarak spikaste në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme që kaloi historia e luftës së popullit, kështu që nuk mund ta pranonte këtë lidhje. Megjithatë, më tha vetëm “Dy fjalë ndajnë Stambollë. Po ti si do bësh: Po, jo?!”. Unë zgjodha të rrija me Namikun, por përveç dy lotëve që pashë në sytë e tij, nuk dëgjova më fjalë tjetër.
Kështu shkuan punët deri në fund me familjen tuaj?
Jo, për fat u riktheva te ta në vitin 1966. Ishte jo vetëm lumturi imja, por edhe e tim shoqi që më thoshte shpesh “sikur të mos mjaftonte që lashë familjen në Kosovë, por të ndava edhe ty nga prindërit”. Megjithatë, vuajtjet që më kishin shkaktuar mospranimet e para do të kompensoheshin, aq të lidhur u bëmë me njëri-tjetrin.
Kjo do të zgjaste derisa njëri prej kosovarëve në qendër të vëmendjes, do të dënohej me pushkatim…
Kjo ishte akuza e parë, që për fat më pas u zbut e u bë dënim me 18 vjet burg. Por derisa ta mësonim këtë, duhet të kalonin muaj të tërë.
Cila ishte akuza, ngjarjet?
Ngjarje nuk kishte. Kushdo në Laç e në qytete të tjera, ku Namiku punonte në shkencën e kimisë industriale, e njihte punën e kontributin e tij, siç do tregonin edhe më vonë me çudinë e mungesës së tij. Shumë prej tyre, nga mosbesimi thoshin se Namikun kush e di ku e kanë dërguar me shërbim, nuk është në burg. Në ’84-ën, në një kohë kur ndiheshim mirë, pasi ishim të dy profesionistë në fushat tona, me fëmijë të mirë, vjen mbrëmja e zezë. Namikun erdhën e kërkuan në mbrëmje me pretekstin për punë, por që e çuan pas hekurave. Njoftimi i nesërm ishte se kishte shkuar për një avari në Kombinatin e Elbasanit. Deri këtu, asgjë ndryshe, ishim mësuar, çudia erdhi kur hetuesia erdhi për kontroll të befasishëm në shtëpi. Kërkuan nëpër shtëpi, sidomos nëpër libra e në punët studimore të Namikut.
Çfarë kërkonin, çfarë gjetën?
Jo vetëm që nuk gjetën asgjë, por ma do mendja që edhe ata e dinin se asgjë nuk kishin për të gjetur, veçse mund të na kenë vënë mikrofona për të regjistruar bisedat tona të përditshme, si e komentonim mungesën e tij, ç’qëndrim mbanim. Sepse u rikthyen më pas për të marrë regjistrimin e tyre në të cilin gjithashtu nuk kishte asgjë, sepse asgjë nuk ndryshoi. Tek e fundit, nuk kishte ç’të ndryshonte, të gjithë ishim të shtangur.
Mësuat më vonë diçka…
Mbi inteligjencën kosovare në Shqipëri po përgatitej një goditje e fortë. A thua se kjo ishte një përgatitje për t’i treguar UDB-së bashkëpunimin e Sigurimit Shqiptar për të goditur ata kosovarë që kishin emër jo vetëm këtu. Në interesimet e mia të para për të mësuar ‘Pse’, më përgjigjeshin: “Ki besim te partia!”.
Të gjithë të ardhurit e afërm të familjes do të shërbenin si material i hetuesisë. Kështu do shënohej edhe ardhja e Drita Shoshit, pedagoges së Universitetit të Prishtinës, në ’79-ën në Tiranë. Ajo u lejua të vinte në familjen tonë, por pasojat u panë më vonë. Midis alibive, veçoj presionin që m’u bë për të pranuar se, në ’75-ën, Namiku kishte takuar rastësisht bashkëshorten e një punonjësi të Ambasadës Jugosllave në Tiranë. Së pari, nuk ia pranova hetuesisë, më pas më ballafaquan me të, pa e parë, vetëm zërin i dëgjoja, në një dhomë me tavolinë e stola të betonuar. Pas shumë refuzimesh, pranova, sepse pasojat do të binin mbi mua.
Të afërmit kosovarë ishin preteksti që ata ngrinin, por në fakt akuza ishte një tjetër, apo jo?
Dëshmia e Gjykatës së Lartë e dënonte për tradhti ndaj atdheut në formë “vënie në shërbim të shteteve të huaja, vepra terroriste e mbetur në fazën e përgatitjes, agjitacion-propagandë në bashkëpunim kundër shtetit”. Pra, akuzohej se në bashkëpunim me një grup intelektualësh kosovarë, që punonin në Laç, Fushë-Krujë, Lezhë e Shkodër, do t’i bënin atentat Enver Hoxhës, kur ai të kalonte në ato zona.
Po me ju e fëmijët ç ’ndodhi më pas?
Së pari, pasi më detyruan të kërkoja divorcin, më lanë aty ku isha në shkollë. Duhet medoemos ta bëje këtë gjë, Namiku do kuptonte, përndryshe nuk kishte ç’bëhej me familjen që duhet të ushqeja, 4 djemtë e nënën time. Por më pas duhej të edukohesha në gjirin e klasës punëtore në Kombinatin e Drurit, për të transportuar ristela druri, për t’u paguar në fund të muajit me 3900 lekë. Më pas mora në punë edhe djalin e madh, Ilirin, për të shtuar sadopak ndihmesën në familje. Por djalin e morën ushtar, kështu që u detyrua Petriti të linte gjimnazin, megjithëse ishte me 10-ta. Me shumë vështirësi do të punësohej në montim në Shkodër, edhe pse 15 vjeç.
Ndërkaq, me babanë ishin vënë në kontakt, sepse ju pas divorcit nuk mundeshit apo jo?
Namiku ishte në burgun e Qafë-Barit, zonë afër Pukës. Fëmijët shkonin një herë njëri e një herë tjetri, çonin atë ushqim për të cilin punonim, e vet hanin bukë me ç’të mundeshin. Kur jua jepja me vete për rrugës, as atë nuk arrinin ta hanin. Por përveç takimeve, shkëmbenin vazhdimisht letra njëri me tjetrin, i çonim libra, materiale shkencore, sepse studionte e punonte edhe atje. Edhe me mua, edhe pse jo në mënyrë direkte, në letra shkruanim me pseudonime.
Sidoqoftë, ai nuk i bëri 18 vitet e parashikuar sepse për fat u dënua, kur regjimit po i vinte fundi. Po momenti i takimit si ishte, a pati pengesë si pasojë e firmosjes së divorcit?
Ishte vetëm një çast pauze që edhe për shkak të viteve që kishin kaluar, asnjëri prej të dyve nuk dinte si të reagonte. Por zgjati shumë pak, fluturimthi, sepse më pas do të më merrte në krahë për të lënë gjithçka pas. Edhe pse ato vuajtje nuk mund të harrohen, të paktën 4 djemtë e mi justifikuan gjithçka.

 

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura