Shtetet e Bashkuara po largohen nga roli i “ndërmjetësit të paanshëm” në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tha sot Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov.
“Sa i përket SHBA-së, duke gjykuar nga veprimet e saj, duket se ka braktisur çdo pretendim për rolin e një ndërmjetësi të paanshëm dhe në vend të kësaj po ndjek rrugën e intensifikimit të presionit të sanksioneve ndaj Rusisë”, tha Lavrov, duke iu drejtuar diplomatëve të huaj në Moskë.
Në të njëjtën kohë, ministri rus deklaroi se duke i ofruar mbështetje ushtarake Ukrainës, “Evropa po bëhet përsëri kërcënimi kryesor për paqen dhe sigurinë globale”.
Më tej, ai tha se Rusia është e gatshme të rifillojë bisedimet me Ukrainën.
“Jemi të gatshëm të flasim me Kievin, siç kemi qenë gjithmonë”, theksoi Lavrov para gazetarëve, duke iu referuar bisedimeve që u zhvilluan në Stamboll menjëherë pas fillimit të luftës në vitin 2022 dhe që rifilluan në vitin 2025.
© Panorama.al












