Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, komentoi sot situatën politike në vend, aksionet e opozitës me protesta dhe zgjedhjet brenda saj, duke folur edhe për debatet e kandidimit apo përjashtimit të Ervin Salianjit nga PD.
I ftuar në studion e “News24”, ai ka dhënë mendimin e tij për situatën e brendshme në Partinë Demokratike, duke u ndalur te përplasjet mes lidershipit dhe ish-deputetit Ervin Salianji, si dhe përjashtimet e fundit të disa anëtarëve për shkak të mbështetjes ndaj tij në Durrës dhe Elbasan.
Duka theksoi se edhe një grup tjetër brenda PD-së e ka mbështetur ish-deputetin. Sipas tij, do të kishte qenë më e udhës që kjo mbështetje të kanalizohej në një garë të hapur brenda partisë.
“Do ishte e udhës të gjenin mënyrën dhe të flisnin që ky grup të nxirrte kandidatin e vet në garë për kryetar partie, edhe pse një kryetar në detyrë është e vështirë të mundet. Rrezaton një figurë, unë po të isha do e kisha lejuar garën” u shpreh ai, duke nënkuptuar se kandidimi i Salianjit do ishte i përshtatshëm.
Duka u ndal konkretisht te dy raste në Durrës, duke përmendur emrat e Arlind Boshkut dhe Dritan Burgijës, për të cilët tha se i njeh personalisht dhe ka bashkëpunuar gjatë fushatave elektorale, duke thënë se përjashtimet e dobësojnë opozitën.
“Dy raste në Durrës, Boshku dhe Burgija. I kam takuar të dy, kam bërë fushatë edhe unë në Durrës. Janë të dy të PD-së, por Burgija, me komunikimet që kam pasur unë, ka pasur hatërmbetje me PD, por kurrë nuk ka votuar PS. Boshku është takuar disa herë me mua në takime elektorale dhe ka mbështetur kandidatin e PAA në listën e PD. Nuk e di pse i marrin këto vendime në PD, por besoj se kjo çon në bjerrjen e opozitës. Nuk forcohet kështu opozita, nuk besoj…”, tha Duka mes të tjerash.
Ish-deputeti opozitar kritikoi edhe standardet demokratike brenda partisë, duke thënë se zgjedhjet duhet të jenë të ndershme e të drejta.
“Nga një anë kërkojnë zgjedhje të ndershme, kjo nuk më duket e ndershme. Për këta dy personazhe që i njoh dhe i di si kanë rrjedhur ngjarjet në fushatë, jam i detyruar të flas”, vijoi ai.
Kreu i PAA foli edhe për aksionet e opozitës, veçanërisht protestat. Duka theksoi se brenda strukturave të opozitës, veçanërisht në Partia Demokratike e Shqipërisë si forca kryesore opozitare, duhet të ekzistojë një strukturë e posaçme që vëzhgon sjelljen e qytetarëve.
“Unë gjykoj se brenda strukturave të opozitës dhe PD si partia kryesore, duhet një zyrë që merret me sensibilitetin e publikut shqiptar. Nëse ka sensibilitet për protestë, atëherë të organizohet protesta. Nëse ndërthuren këto mund të ketë rezultat,” u shpreh ai.
Sipas Dukës, organizimi i protestave duhet të jetë i lidhur ngushtë me reagimin dhe gjendjen reale të qytetarëve, duke shtuar se frekuenca e lartë e tyre mund të ulë efektivitetin.
“Besoj se protestat kur bëhen kaq shpesh nuk japin rezultat si duhet. Protestat duhet të bëhen atëherë kur duket se ka zemërim nga populli shqiptar, jo vetëm nga një pjesë e strukturave të PD. mendoj se ato nuk duhet të bëhen shpesh sepse janë të sforcuara”, tha ai.
© Panorama.al












