Lambrinidis: Të zbatohet marrëveshja e detit

Sep 8, 2011 | 18:28

PRISHTINE- Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis, i ka bërë thirrje Shqipërisë të respektojë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy vendeve për ndarjen e hapësirës ujore.

Pas vizitës që ka pasur me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, Lambrinidis ka thënë se po shkon në Shqipëri për t`iu dhënë përkrahje perspektivës së anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE.

“Ne dëshirojmë që Shqipëria të jetë sikur vendet në rajon, në një pozitë që të jetë një vend kandidat. Ne dëshirojmë që Shqipëria të ketë perspektivë dhe ardhmëri në BE. Kemi investuar shumë në rajon dhe vazhdojmë të investojmë aty dhe të kemi marrëdhënie të mira me Shqipërinë”, ka thënë Lambrinidis.

Kryediplomati grek i ka bërë thirrje edhe një herë Tiranës zyrtare që të zbatojë marrëveshjen e nënshkruar për ndarjen e ujërave detare ndërmjet dy shteteve.

“Kjo marrëveshje është e nënshkruar nga dy shtete të lira, prandaj presim që kjo marrëveshje të implementohet”, ka thënë Lambrinidis.

Shqipëria dhe Greqia patën arritur marrëveshje për ndarjen e ujërave detare, por Gjykata Kushtetuese e ka quajtur antikushtetues paktin për ndarjen e territoreve ujore mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Sipas saj, marrëveshja ka shkelje procedurale dhe substanciale dhe shkelë Kushtetutën dhe Konventën e OKB për të Drejtën e Detit.

Javën e ardhshme, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini dhe ai grek, Stavros Lambrinidis do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Tiranë, me qëllim nxitjen e dialogut politik mes partive politike në Shqipëri.(Express)

© Panorama.al

Te lidhura