Kapiteni i Shqipërisë kërkon një lojë të fortë në maksimumin e mundësive të të gjithë lojtarëve: “Të luajmë fort dhe të përqendruar”, ka pohuar ai. “Nëse do të luajmë bashkë me njëri-tjetrin dhe seriozisht, atëherë do t’ia dalim mbanë kundër Bjellorusisë. Ky është çelësi i suksesit”. Kapiteni e ka të qartë se duhet rrezikuar për të arritur fitoren e dytë në këto eliminatore (pas Luksemburgut) dhe të parën historike kundër bjellorusëve. Mesfushori i Hanover, me aktivizimin e tij kundër Bjellorusisë, do të bëhet lojtari me më shumë ndeshje me fanellën kuqezi, duke qenë gjithmonë i duartrokitur nga tifozët për shpirtin e garës dhe pjekurinë që ai tregon në lojë. “Tifozët janë të rëndësishëm për ne. Shpresojmë që edhe këtë ndeshje të vështirë që kemi të na mbështesin. Atëherë mund të themi se mund t’ia arrijmë qëllimit”, tha mesfushori 35-vjeçar, i cili luan me Kombëtaren që nga viti 1998. Aktualisht, pas 4 ndeshjeve në eliminatoret e Euro 2012-s, Bjellorusia është ekipi i vetëm që nuk ka pësuar humbje në grupin D, por në “Qemal Stafa”, Kombëtarja jonë nuk ka humbur asnjë takim.











