Pandev
Nga Maqedonia vijnë lajme jo shumë pozitive për gjendjen e Goran Pandevit, i cili ka braktisur ndeshjen me Leçen për shkak të një problemi. Stafi mjekësor i Kombëtares maqedonase ka shpjeguar gjendjen e lojtarit: “Pandev ka ardhur i dëmtuar, por koha e rikuperimit mbetet ende për t’u vlerësuar. Do t’u nënshtrohet analizave mjekësore, për të parë nëse është në gjendje të luajë me Maqedoninë. Do të fillojë menjëherë rikuperimin”.
Ibrahimoviç
Pas skualifikimit prej tri ndeshjesh, i cili do t’i kushtojë Zlatan Ibrahimoviçit derbin me Interin, mbi suedezin tashmë vërshojnë edhe thashetheme merkatoje. Sipas medias britanike dhe të përditshmes “Daily Star”, Mançester Siti, kërkon të tentojë një tjetër sulm ndaj gjigandit me origjinë boshnjake. Ibrahimoviç është ëndrra e Mançinit, i cili është i gatshëm të sakrifikojë në Milano Mario Balotelin. Siti kërkon të ndezë një tratativë këtë verë.
Zaneti
Nga grumbullimi i Kombëtares argjentinase, kapiteni i Interit, Havier Zaneti, ka shprehur kënaqësinë e tij për thirrjen e radhës nga trajneri i bardhekaltërve: “Është gjithnjë diçka e bukur të rikthehesh në kombëtare, – ka nënvizuar kapiteni i Interit.
– Është e rëndësishme që të mund të shtosh minutat e domosdoshme për të përmirësuar raportin me pjesën tjetër të skuadrës, duke qenë se me kombëtaren nuk luajmë shpesh”.
Bufon
Xhanluixhi Bufon do të mbajë në krahë shiritin e kapitenit dhe ai është gati për transfertën me Slloveninë, një ndeshje shumë e rëndësishme kjo për eliminatoret e “Euro 2012”. “Italia ka shfaqur shenja të mëdha përmirësimi, të cilat kërkojmë t’i përforcojmë në këtë ndeshje të radhës. Këtë turn kemi vetëm një ndeshje për eliminatoret, ndaj duhet ta fitojmë me çdo kusht. Mungesat e De Rosit dhe Balotelit? Janë dy lojtarë të rëndësishëm për ne, por vendimet e trajnerit nuk duhen diskutuar kurrë”.
Ronaldo
Kristiano Ronaldo nuk do të udhëtojë me përfaqësuesen portugeze këtë fundjavë për ndeshjet e vlefshme për “Euro 2012”, si pasojë e dëmtimit. “Nuk jam në formën time më të mirë, – tha 25-vjeçari. – Dua të rikuperohem në 100 për qind, pasi më ka ardhur në majë të hundës ky dëmtim”. Lidhur me tërheqjen muskulore që futbollisti pësoi në derbin me Atletikon, doktorët e Realit deklaruan se Ronaldo do të mungonte 2-3 javë.











