Lajm i keq, apo lajm i mirë?

Mar 22, 2011 | 10:31

SAMI NEZA

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, edhe dje ka lënë në lojë mëdyshjen e tij të madhe për kandidimin ose jo për Bashkinë e Tiranës, duke shënuar një rast të rrallë në politikë, atë të përforcimit politik në parti përmes mosmarrjes së vendimeve. Megjithatë, duke folur dje pasdite për gazetarët u përpoq, por nuk ia doli t’i jepte udhë vendimit të tij. “Nuk do ta jap sot lajmin e keq për Berishën”, tha Rama. Po kush do të ishte lajm i keq për Berishën? Kandidimi i Ramës, apo moskandidimi i tij?
Shumë njerëz mund ta kenë kuptuar deklaratën e tij se Rama paska vendosur të kandidojë. Por bëj pjesë në atë grup njerëzish që e konsideroj këtë deklaratë si mungesë vendimi, ose një dhënie udhë mëdyshjes së tij edhe në këto pak ditë, deri më 27 mars. Dhe duke qëndruar në këtë pozicion, vërtet është vështirë t’i japësh një përgjigje shteruese, por një përgjigje racionale mund të jepet rreth asaj se kush është lajmi i keq e kush është lajmi i mirë.
Pse do të ishte kandidimi i Ramës një lajm i keq për Berishën? Në rastin e kandidimit të Ramës, fushata në Tiranë për PD-në do të jetë më e vështirë, sesa në rastin e kandidimit të figurave të tjera në PS. Kjo nuk do të thotë se Rama është fitues i padiskutueshëm, por se Rama do t’i detyrojë kundërshtarët e tij, ashtu si dhe partinë e vet, të investohet fort në Tiranë. Përkushtimi i të dyja palëve do të bëjë që të prishen ekuilibrat e një ndeshjeje lokale. Në këtë rast gara për kryeqytetin merr pamjen e zgjedhjeve politike, ku në garë është kryetari i PS-së dhe lideri i opozitës, dhe në krahun tjetër një figurë e rëndësishme e së djathtës, por jo i pari. Pra Rama kërkon të përfitojë përmes kësaj diference në ekuilibër, e cila edhe pse është relative (Rama është më i miri në PS, por kjo nuk është garanci se është më i miri në garë), mund të ketë efekt. Por ndërkohë, kryetari i opozitës zbeh përgjegjësinë e kryetarit të Bashkisë nga qeverisja e keqe që i ka bërë Tiranës të paktën gjashtë vitet e fundit, duke sjellë në garë cilësinë e qeverisjes së Berishës në vend të cilësisë së qeverisjes së Tiranës.
Pra rreziku që vjen prej kandidimit të Ramës në Tiranë nuk është më vetë Rama si figurë, por aseteve që ai aktivizon në këtë garë dhe përkufizimi që i jep asaj.
Pse do të ishte kandidimi i Ramës një lajm i mirë për Berishën?
Rama është përsëritës. Si i tillë, ai detyrohet të luajë në mbrojtje ose të paktën Basha e ka shumë më të lehtë ta detyrojë atë të luajë në mbrojtje. Duke qenë në mbrojtje si kryetar bashkie e ndërkohë në opozitë pa mundësinë e projekteve reale e të mëdha për qytetarët, loja zhvillohet para portës së tij dhe dihet që mundësia në këtë rast është që Rama të hajë gola. Por edhe nëse nuk ha gola, Rama do të duhet të ruajë portën pa i dhënë mundësinë të bëjë gola në anën tjetër.
Rama po kandidon për të katërtën herë. Është një numër i madh për një garë të madhe. Dalëngadalë edhe suksesi më i bujshëm i përket retrospektivës pas dhjetë vitesh në krye të Tiranës. Edhe përvoja e grumbulluar kur përdoret vetëm prej burimit ka efektin e antibiotikut të përdorur pa karar, nuk është më e shëndetshme, madje është edhe e dëmshme. Për më shumë, në dhjetë vjet, banorët e një kryeqyteti në zhvillim pësojnë shndërrime të mëdha që tejkalojnë çdo lloj statuskuoje në qeverisjen lokale. Edhe për miqtë e Ramës, kandidimi sërish është i bezdisshëm, tek të tjerët sjell mërzi, në një pjesë është lajm i keq. Është lajm më i madh ai se Rama nuk ka vendosur nëse do të kandidojë, sesa Rama ka vendosur të hyjë në garë.
Pra nuk ka entuziazëm, sepse mungon lajmi. Në këto rrethana, PD-ja është e favorizuar. Dhe nëse Basha do të fitojë, fitorja do të shkëlqente edhe më shumë kur kryetari i PS-së mundet.
Po nëse Rama nuk futet në garë? Në rastin e daljes prej mëdyshjes ku Rama vendos të mos kandidojë, krijohen mundësi për të afirmuar figura të tjera brenda PS-së. PS-ja rrezikon Tiranën pa Ramën në garë, ashtu si do ta rrezikonte me Ramën në garë, por nuk rrezikon Ramën si një figurë qendrore.
Edhe nëse PS-j humbet aksionet për garën e 2013-s, ato nuk bien aq thellë siç mund të ndodhte nëse Rama do ta humbiste personalisht Tiranën.
Përveç kësaj, efektet e humbjes së PS-së në kryeqytet nuk janë përcaktuese për fitoren në 2013-n. Rezultati në Tiranë nuk ka përcaktuar prirjen e zgjedhjeve parlamentare. PD-ja humbi Tiranën në vitin 2007, por fitoi zgjedhjet parlamentare përsëdyti në vitin 2009. Dalja e Ramës prej gare mund të ulë tonet e fushatës dhe krijon mundësi për një konkurrencë më të qetë, ndërsa PS-ja mund të përqendrohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, duke ofruar alternativa menaxhimi dhe jo politike. Nuk duhet harruar se PS-ja humbi shumë bastione të saj në komuna në zgjedhjet e 2007-s për shkak se nuk ofroi programe e projekte reale për këto njësi vendore, por vetëm politikë, diçka e rëndë për t’u mbajtur në kurriz prej fshatarëve me kërkesa modeste.
Edhe pse dje ai ka luajtur me fjalët, e sigurt është se ai nuk ka vendosur ende. Vazhdon të vuajë luftën midis kushtit të nevojshëm dhe kushtit të mjaftueshëm, pra nevojës për të pasur nën sqetull Bashkinë për shkak të sigurisë në krye të partisë dhe anasjelltas, të qëndrojë në krye të partisë për të pasur mundësinë e mbajtjes së Bashkisë.

© Panorama.al

Te lidhura