Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë që kur Gjykata Kushtetuese i dha të drejte dhe e riktheu në detyrë.
Me anë të një postimi në Facebook, Veliaj përshëndeti vendimin, duke thënë “drejtësia kushtetuese foli”, ndërsa thekson se “vendimi nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës”.
Sipas Erion Veliajt, Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull.
“Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar”, tha Veliaj ne postimin e tij ne Facebook.
Reagimi i Erion Veliajt
Të dashur miq,
Për shkak të kushteve ku ndodhem, vetëm tani munda të çoj këtë pusullë-postim me avokatët.
Drejtësia kushtetuese foli.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës.
Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij.
Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron.
Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua.
Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar.
Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë!
Vendimi i Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese vendosi më 3 nëntor të rrëzojë vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Kryetarja e Gjykates Kushtetuese, Holta Zaçaj tha se vendimi u mor me shumicë dhe se shumica e gjeti vendimin e Këshillit të Ministrave të papajtueshëm me Kushtetutën. Zaçaj theksoi se qeveria nuk kishte referuar shkelje të rënda të Kushtetutës që do justifikonin shkarkimin.
“Po kështu, Gjykata, vlerësoi, me shumicë votash, se Këshilli i Ministrave, teksa vendosi shkarkimin e kërkuesit nga detyra sipas nenit 62, shkronja “c”, të ligjit nr. 139/2015, nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat ai mund të mbahet përgjegjës. Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Gjykata Kushtetuese gjeti gjithashtu se vendimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt ishte i papajtueshëm me Kushtetutën e vendit. Ndër arsyet kryesore ishte fakti se ishte cenuar e drejta e Veliajt për t’u dëgjuar. “Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur”, thuhet në njoftim.













