Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka shtyrë seancën plenare për ditën e hënë ora 10:00.

Vendimi u mor pasi deputetët e opozitës kanë marrë kartat e votimit të socialistëve, duke pamundësuar në këtë mënyrë procedurën e votimit në Kuvend.
Spiropali tha se seanca e radhës do të mbahet të hënën, teksa bëri thirrje që deputetët të respektojnë etikën dhe rregulloren e Kuvendit.
Spiropali: Kartat e deputetëve janë marrë nga vendet e tyre në mënyrë krejt të paarsyeshme. Për shkak të situatës së krijuar, akteve të dhunës të përsëritura dhe të tjera probleme të rënda të mbarëvajtjes së seancës, për shkak të dhunës së ushtruar, kjo seancë shtyhet për të hënë në orën 10:00. Uroj që të hënën të vini me mend të tjera dhe të respektoni rregulloren.
Burime bëjnë me dije se ka qenë deputetja Elda Hoti ajo që ka marrë kartat e deputetëve socialistë për të penguar votimin në Kuvend.
Kjo situatë ndodhi gjatë ndërprerjes së seancës plenare pas tensioneve mes deputetit Flamur Noka dhe ministrit Taulant Balla.
© Panorama.al











