I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, deklaroi dje në një konferencë të posaçme për shtyp se përgjegjësia për zgjedhje të lira bie mbi të dyja palët. Sipas diplomatit të lartë europian, palët duhet të zbatojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.Ai kërkoi një reformë të gjerë zgjedhore, përmirësimin e Rregullores së Kuvendit dhe zgjedhjen sa më parë të Avokatit të Popullit. Në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, Lajçak tha se kërkohet mbështetje e plotë e hetimeve të pavarura, gjithëpërfshirëse dhe të shpejta, për të vënë para drejtësisë të gjitha shkeljet penale.
Vizita
Diplomati europian nënvizoi më tej se kjo është vizita e tij e tretë në Tiranë që nga muaji janar. “Fakti që nuk kam qenë këtu 7 javët e mëparshme, është se ne nuk kemi parë të shprehur përpjekjen e ndershme të faktorit politik për të nisur një dialog politik. Pozitivja është se nuk ka pasur demonstrata vdekjeprurëse dhe njerëzit nuk po vdesin në rrugë, por nuk është e mjaftueshme për një vend si Shqipëria, që inspiron të bëhet kandidate për në BE dhe më pas të integrohet në BE”, tha ai.
Zgjedhjet vendore
Lajçak shtoi se ka ardhur në Shqipëri për të diskutuar në lidhje me zgjedhjet vendore. “E kam ndërmarrë këtë vizitë për t’i kujtuar Presidentit të Republikës, kryeministrit Berisha dhe kreut të opozitës rëndësinë dhe pritjet që komuniteti ndërkombëtar ka mbi këto zgjedhje. Unë këtu jam përfaqësues i BE-së, por do të doja t’ju kujtoja se të gjitha aktivitetet tona janë të ndërthura shumë mirë e në interesat e SHBA dhe, si rezultat, jam përçues i ideve të tyre në këtë takim me të gjithë politikanët shqiptarë. Ne mendojmë se është absolutisht e rëndësishme dhe jetësore për Shqipërinë t’i rikthehet procesit të integrimit europian, dhe kjo është e rëndësishme të kryhet jo vetëm nëpërmjet reformave, por dhe për interes të shtetit shqiptar. Drejtuesit politikë duhet të marrin përgjegjësitë për të siguruar progresin në Shqipëri. Vetëm reformat konkrete dhe që mbështeten gjerësisht mund të përshpejtojnë dhe të sigurojnë demokracinë, të përmirësojnë shtetin e së drejtës dhe ta çojnë Shqipërinë më afër BE-së. Parakushtet për të arritur progres janë rifillimi i menjëhershëm i dialogut ndërmjet politikanëve dhe institucioneve, të respektohen institucionet e vendit dhe të ndërtohet në mënyrë të shpejtë dhe efikase besimi ndërmjet Parlamentit politikanëve dhe qytetarëve. Vetëm këto përpjekje mund ta çojnë Shqipërinë sërish në rrugën e mbarë të BE-së”, deklaroi ai.
21 janari
I dërguari i BE-së tha më tej për 21 janarin se duhet të përfundojnë hetimet sa më shpejt. “Dhe për të qenë më specifikë, nga autoritetet shqiptare kërkohet: Mbështetje e plotë e hetimeve të pavarura, gjithëpërfshirëse dhe të shpejta të ngjarjeve të 21 janarit, për të vënë para drejtësisë të gjitha shkeljet penale. Komisioni i posaçëm parlamentar të përfundojë hetimet dhe t’i çojë gjetjet në Prokurori”, tha ai.
Reforma zgjedhore
Përsa i përket reformës zgjedhore ai tha se “do të donim të shikonim zbatimin e praktikave më të mira për garantimin e zgjedhjeve të 8 majit. Do të vlerësonim zbatimin e plotë të Kodit Zgjedhor dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për të përmirësuar sa më shpejt të jetë e mundur praktikën e zgjedhjeve dhe për të marrë masa për një fushatë të ndershme parazgjedhore. Presim bashkëpunim të ngushtë me të gjithë vëzhguesit për të shqyrtuar situatën parazgjedhore dhe rezultatet e zgjedhjeve”.
Rregullorja e Kuvendit dhe integrimi
Në fund të fjalës së tij Lajçak shtoi se duhet të përmirësohet Rregullorja e Kuvendit si dhe të zgjidhet Avokati i Popullit. “Tjetër kusht është fusha e integrimit në BE. Presim punë serioze për axhendën e reformave, sidomos në 12 pikat që janë caktuar nga opinioni i KE-së. Nga pikat më të rëndësishme janë:
1-Përmirësimi i Rregullores së Parlamentit mbi bazën e praktikave më të mira parlamentare.
2-Sigurimi i një procesi të ndershëm e të shpejtë të zgjedhjes së Avokatit të Popullit, i cili është ngadalësuar shumë.
3-Fillimi i një reforme të gjerë zgjedhore, duke përfshirë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe zbatimet e rekomandimeve të ODIHR-it.
4- Presim një bashkëpunim më të mirë të opozitës e qeverisë që të plotësohen kushtet e tjera në interes, si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, mbrojtja e të drejtave të minoritetit etj. Integrimi i BE-së mbështetet nga pjesa më e madhe e popullsisë tuaj dhe BE në këtë kuadër është i angazhuar që të bashkëpunojë dhe mbështesë qeverinë në realizimin e këtij objektivi. Ajo çka presim është një proces gjithëpërfshirës, i cili bën të mundur zbatimin e reformave që do ta çojnë Shqipërinë drejt BE-së.
Këto janë pritjet e BE-së për Shqipërinë. Nuk kemi thënë asgjë të re, janë gjëra që janë përsëritur, por presim që të shikojmë ndryshime. Kam përshtypjen se kam qenë mjaft i qartë në takimet me të gjithë partnerët që kam takuar paraditen e sotme dhe shpresojmë që së shpejti të mund të shohim tregues të veprimeve të qenësishme nga ata”, deklaroi Lajçak.
Z. Lajçak, ju zhvilluat një takim me kreun e opozitës, i cili ka ngritur shqetësimin e manipulimit të zgjedhjeve. A u kërkua garanci nga opozita dhe a dhatë ju ndonjë garanci për zgjedhjet lokale?
Ky është vendi juaj, ky është sistemi juaj zgjedhor, këto janë partitë tuaja politike, që janë përgjegjëse për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet vendore apo për zgjedhje të tjera, pa dyshim, politikanët janë të interesuar për rezultatin përfundimtar të tyre. Por, për ne, komunitetin ndërkombëtar, është e rëndësishme që procesi zgjedhor të jetë transparent, demokratik, i lirë dhe i ndershëm. Dhe kjo mund të arrihet vetëm me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve të rëndësishëm politikë. Në të njëjtën kohë është e qartë se në të gjitha vendet është përgjegjësi e qeverisë të organizojë zgjedhje që arrijnë standardet për të qenë të lira dhe të ndershme. Kur lexoni rekomandimet e ODIHR-it pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, ka dispozita të qarta që kanë të bëjnë me përmirësime për KQZ-në, me qeverinë dhe me partitë politike. Një pjesë e këtyre ndryshimeve kanë të bëjnë më ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por ka edhe shumë dispozita të tjera që jo domosdoshmërish lidhen me ndryshimin e Kodit, dhe këto rekomandime lidhen me mënyrën të kryerit të zgjedhjeve apo praktikën zgjedhore. Ne duam të shohim që raportimet në fund të këtyre zgjedhjeve do të ishin më të mira sesa ato të zgjedhjeve të përgjithshme. Ka ende kohë dhe shumë gjëra mund të bëhen nga ato që ka identifikuar ODIHR-i pas zgjedhjeve të fundit. Dhe një nga qëllimet e misionit tim është t’i nxit politikanët që të angazhohen në zgjidhjen e këtyre çështjeve. Dhe ka ende kohë.
Z. Lajçak, kë shihni si përgjegjës për mbajtjen e zgjedhjeve të lira?
Këto janë zgjedhjet tuaja, qeveria juaj, ky është vendi juaj, këto janë partitë tuaja politike dhe është në interes të të gjithëve që zgjedhjet të bëhen të lira. Jemi këtu për të monitoruar procesin nëpërmjet ODIHR-it. Dhe për t’ju ofruar çdo lloj ndihme që do t’ju konsiderohet e nevojshme. Është përgjegjësia juaj të organizoni zgjedhjet të lira, nuk është përgjegjësi e ndërkombëtarëve.
ERALD KAPRI











