Lacio, tratativa për Canën, ndërhyn Tare

Mar 29, 2011 | 12:21

Lacio ka kërkuar zyrtarisht kartonin e Lorik Canës. Sipas mediave franceze dhe turke, emisarë të presidentit lacial, Klaudio Lotito, (jo Igli Tare) kanë biseduar me drejtuesit turq, por tratativa ka mbetur vendnumëro.E përditshmja sportive “Fotomaç” ka njoftuar se klubi turk Galatasaraj, sapo ka nisur tratativat, ka rritur pazarin për lojtarin e vetëm, duke kërkuar 8 milionë euro për ta lejuar tranferimin e Canës në Itali. Por kjo shumë, për italianët, është konsideruar e ekzagjeruar, ndaj zyrtarët kanë anuluar përkohësisht bisedimet. Ndërkaq, i kontaktuar nga Panorama, Drejtori Sportiv i Lacios, Igli Tare, ka pranuar tratativat dhe ka shtuar se ai do të bëjë të pamundurën për ta marrë Canën te skuadra e tij. “Po, është e vërtetë, por ndoshta nuk është momenti që të flas për çështjen e Lorikut, sepse aktualisht jemi në hapat e parë të tratativave. Megjithatë, ajo që mund të them tani, është fakti se gjithçka mbetet e hapur për ardhjen e tij te Lacio. Në ditët në vijim, do të shikojmë se çfarë mund të bëhet. Unë jam optimist se ky transferim do të realizohet”, ka pohuar Tare. Kujtojmë që Cana u ble nga Gallatasaraji për shumën e 6 milionë eurove, në verën e 2010-ës. Por, duke parë kërkesat e shumta në drejtim të lojtarit shqiptar, sidomos pas ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi, ku Cana bëri një paraqitje të jashtëzakonshme, këta të fundit kanë ngritur vlerën e kërkesës për kartonin e lojtarit, kjo edhe për të nxjerrë fitimi nga shitja e tij. Nga ana tjetër, një rol në tratativa mund të luajë edhe Drejtori Sportiv i Lacios, Igli Tare. Ndërkaq, mbrëmjen e së shtunës, Tare ka ndjekur nga afër ndeshjen Bosnjë-Rumani (2-1), në Zenika, ku “shënjestra” e tij ka qenë sulmuesi boshnjak, Vedad Ibiseviç. Ky i fundit shënoi golin e barazimit, përpara se Edin Dzeko të siglonte fitoren e vendasve. Gjithsesi, nuk duhet harruar edhe fakti se Cana është kërkuar edhe nga disa skuadra angleze, si Aston Vila e Fulham si dhe nga gjermanët e Shtutgartit, të cilët kishin dërguar edhe vëzhgues për të parë lojtarin në ndeshjen me Bjellorusinë.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura