Takimi në fakt nisi mjaft mirë për vendësit, të cilët kaluan të parët në avantazh me anë të Kulit. Ky i fundit ktheu në gol një penallti të marrë nga Dervishi. Në këtë sens, dukej se dita do të ishte e mbarë për peqinasit, por tjetër gjë menduan laçianët, të cilët u hodhën menjëherë në sulm, duke rrezikuar disa herë portën e Bejtes. Në minutën e 37-të, është Dragiçeviç ai që barazon shifrat pas një aksioni personal, duke vënë në gjumë mbrojtësit vendës. Sikur të mos mjaftonte kjo gafë e dyshes së mbrojtjes peqinase, Mujdragiç-Gurdijeljac, dy minuta më vonë është sërish Dragiçeviç ai që përmbys gjithçka dhe kalon laçianët në avantazh, pas një kombinimi me kolegun e sulmit Selimi dhe sërish janë këta dy mbrojtës që gabojnë. Peqinasit duken të gjunjëzuar, ndërsa tifozët nisin kontestimet. Me fillimin e pjesës së dytë, vjen edhe goditja e radhës nga Laçi. Këtë herë është Selimi që gjen golin, në minutën e 48-të, pasi shfrytëzon edhe mefshtësinë e mbrojtjes peqinase. Shkumbini e humb toruan dhe laçianët përfitojnë më maksimum. Në minutën e 54-t vjen goli i 4-t dhe është përsëri Dragiçeviç, i cili ka zhvilluar dje ndeshjen më të mirë që nga janari, kur erdhi te skuadra laçiane. Ndërkohë, trajneri Daiu ka bërë disa ndryshime në ekipin e tij, të cilat vetëm në minutën e 67-të sjellin frytet e kërkuara. Sulmuesi boshnjak Gërboviç merr një asist nga Kuli dhe përballë Vashakut shënon golin e dytë, por pozicioni i tij është disi i dyshimtë, paçka se kurbinasit nuk protestojnë. U duk sikur vendësit do të reagonin, por 10 minuta më vonë, Vilfor Hysa shënon golin e pestë, duke mbyllur kështu goleadën në fushën sportive të Peqinit. Pas këtyre tri pikëve të fituara në transfertë, Laçi gjendet në vendin e katërt me 37 pikë, duke kaluar në renditje Tiranën dhe duke rritur shpresat për një vend në Ligën e Evropës. Kujtojmë se në javët në vazhdim kurbinasit do presin në fushën e tyre Vllazninë dhe do luajnë në kryeqytet ndaj Tiranës. Në përfundim të takimit, trajneri Përparim Daiu dha dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i Shkumbinit.
Superiore/Java 24
Dje
Shkumbini-Laçi 2-5
Shënues: Kuli 11’ (p), Gërboviç 67’/ Dragiçeviç 33’, 36’, 53’, Selimi 48’, Hysa 75’
Sot
Besa-Skënderbeu 14:00
Teuta-Vllaznia 14:00
Kastrioti-Tirana 14:00
Dinamo-Elbasani 14:00
Nesër
Bylis-Flamurtari 13:00
Renditja
Ekipi ND F B H P
1. Flamurtari 23 17 1 5 52
2. Skënderbeu 23 15 3 5 48
3. Vllaznia 23 12 6 5 42
4. Laçi 24 11 4 9 37
5. Tirana 23 8 10 5 34
6. Dinamo 23 9 6 8 33
7. Shkumbini 24 8 5 11 29
8. Teuta 23 7 6 10 27
9. Kastrioti 23 6 8 9 26
10. Besa 23 5 7 11 22
11. Bylis 23 6 3 14 21
12. Elbasani 23 4 3 16 12
Shënim: Elbasani, minus 3 pikë në renditje, i dënuar nga FIFA për shkak të çështjes “Darko Periç”.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











