“Fitore ose revolucion”. Presioni i Kuzhesë dha efekt ndaj senatorëve të skuadrës, të cilët dje i kanë bërë një nga dhuratat më të bukura të viteve të fundit.Josip Kuzhe është i lumtur për suksesin e arritur dje, por është i lumtur akoma më tepër edhe për lojën që zhvilloi skuadra. “Mendoj se kjo ishte një ndeshje e shkëlqyer, e interpretuar mirë në çdo repart. Sigurisht që prisja më shumë vështirësi në fushë, por kur pashë se si po luanim, atëherë isha i bindur se do të bënim diçka të mirë dhe do të merrnim një rezultat të mirë”, ka thënë trajneri i përfaqësueses në konferencën për shtyp.
Çelësi i suksesit – “Nuk ishte e lehtë të ktheje skuadrën në binarët e duhur pas disa paraqitjeve jo të mira në dy miqësoret e fundit. Megjithatë, ne, ato miqësore na shërbyen për të parë se ku çalonte skuadra dhe për të korrigjuar disa probleme. Unë mendoj se kjo ishte një nga faktorët që na ndihmuan të bënim një ndeshje të mirë kundër Bjellorusisë, që është vërtet një kundërshtar i vështirë. Duhet theksuar se psikologjikisht e kishim përgatitur mirë ndeshjen, por edhe fizikisht lojtarët ishin në një nivel shumë më të lartë se ndeshjet e tjera, jo vetëm disa, por të gjithë. Kjo ndikoi shumë. Mendoj gjithashtu se edhe rikthimi i Skelës dhe i Lalës, dy lojtarë të rëndësishëm, ndikuan pozitivisht në skuadër. Skela mbetet një lojtar që i shkëlqyer dhe unë mendoj se ai do të vazhdojë t’i shërbejë Shqipërisë edhe në të ardhmen. Sulmi shpërdoroi shumë raste? Po, mbase, por ne fituam me golin e një sulmuesi, mos e harroni këtë. Bogdani bëri një ndeshje fantastike, madje u tregua i jashtëzakonshëm edhe në minutën e fundit, kur e pa se unë kisha ndërmend që ta zëvendësoja… (qesh). Jam i kënaqur gjithashtu edhe nga pjesa tjetër e skuadrës. Mbase mund të kishim shënuar më shumë se një gol që edhe unë të isha më i qetë, por edhe kështu mirë është”, ka thënë Kuzhe.
Objektivat – “Dëgjova se kjo është ndeshja më e mirë që ka zhvilluar Shqipëria në dekadën e fundit, por unë nuk mund ta them këtë me siguri. Unë mund të them se kjo është ndeshja më e mirë që ka zhvilluar Shqipëria nën drejtimin tim. Ne tani kemi hyrë sërish në garë dhe unë mendoj se kemi shanse për të synuar të shkojmë larg, por për ta bërë këtë, duhet të marrim pikë ndaj Bosnjës në qershor. Kualifikimi? Personalisht kam shpresa, por nuk duhet të jemi euforikë, përkundrazi, duhet të luftojmë më e seriozitet. Duhet ta bëjmë këtë për ata tifozë të jashtëzakonshëm që për mua sot (dje) meritojnë notën 10”.
Tifozet
Gjatë pjesës së parë të takimit, në shkallët e stadiumit pati edhe përplasje mes policisë dhe tifozëve. Me fillimin e fraksionit të dytë të ndeshjes grupimi “Tirona fanatiks”, “Shvercerat” Shkup dhe “Plisat” Prishtinë, në një deklaratë shpërndarë mediave, kanë denoncuar dhunën e policisë dhe të federatës ndaj tyre. Në shenjë proteste këta tifozë kanë braktisur pjesën e dytë të ndeshjes, duke mos pranuar që të mbështesin ekipin kombëtar. Gjithçka në fakt lidhet me një fishekzjarr të hedhur nga tifozët në fund të pjesës së parë.
Edvin Murati: Mund të fitonim edhe 5-0 me bjellorusët
Një prej legjendave të futbollit shqiptar, Edvin Murati, ka bërë rezymenë e ndeshjes së djeshme në “Qemal Stafa”, duke e konsideruar si një nga sfidat më të bukura të kuqezinjve. “Një ndeshje shumë e bukur. Presing nga minuta e parë deri në fund. Një kurajë e jashtëzakonshme dhe një trepikësh i jashtëzakonshëm. Bravo çunave për këtë ndeshje fantastike dhe sonte (mbrëmë), mund të themi me plot goja se e lagën vërtet bluzën që kishin veshur. Mund të kishim fituar pa frikë 4 apo 5 me zero dhe nuk do të kishte qenë ndonjë çudi. Gjykoj se më në fund kemi një skuadër, e cila të jep shpresa dhe garanci për deri në fund të këtyre kualifikimeve. Ka lojtarë shumë të mirë, paçka se një pjesë e tyre, Lala, Skela, Duro e Bogdani janë në perëndim të karrierës së tyre sportive. Mos harroni që në këtë ndeshje nuk kishim në dispozicion edhe Dallkun e Currin, dy lojtarë mjaft të mirë të kësaj Kombëtareje”, ka pohuar Edvin Murati.
Shtange: E merituat, ishit shumë lart
Trajneri i Bjellorusisë ka pohuar se skuadra shqiptare zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer kundër ekipit të tij dhe u ka thurur elozhe kuqezinjve. “Mendoj se Shqipëria e meritoi fitoren, pasi luajti vërtet shkëlqyeshëm. – ka thënë Shtange – Unë do të isha i kënaqur edhe me një pikë, pasi ne tri ndeshjet e tjera i luajmë në fushën tonë, por me kundërshtarët që kishim sot (dje) përballë dhe me shtatë mungesa shumë të rëndësishme në formacionin titullar, ishte e pamundur ta realizonim këtë objektiv. Të mos kesh më shumë se gjysmën e ekipit dhe të përballesh me një skuadër kaq të motivuar dhe kaq të ekzaltuar sa Shqipëria, është thuajse e pamundur të mos humbësh. Për këtë arsye, them se Shqipëria e meritoi fitoren dhe mendoj se tani jeni futur sërish në lojë për të siguruar vendin e dytë. Unë mendoj se vendin e parë Franca nuk ka për ta lëshuar më, ndërsa skuadrat e tjera kanë të gjitha shanset për të luftuar për vendin e dytë. Lojtari që më pëlqeu më shumë nga Shqipëria? Në përgjithësi, funksionuat mirë si skuadër, por unë mendoj se Bogdani bëri diferencën”.
JETMIR HALILAJ
© Panorama.al











