Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ka preferuar dje paradite të veçojë nga grupi katër lojtarë titullarë. Nga sa mësohet, në orët e paradites ai ka diskutuar me Lalën, Skelën, Canën dhe Bogdanin. Kuzhe i ka kërkuar një mendim senatorëve kuqezi për mënyrën e lojës kundër Bjellorusisë. Lojtarët kanë dhënë mendimet e tyre dhe trajneri ka nxjerrë konkluzione. Kjo është një praktikë pune para ndeshjeve të rëndësishme, teksa kroati e ka bërë shpesh me lojtarët më të rëndësishëm. “Thjesht ka qenë një bisedë për mënyrën e lojës që ne do të bëjmë kundër Bjellorusisë. Trajneri ishte i paqartë për disa gjëra,”- tregon një burim pranë lojtarëve kuqezi. Vlen për t’u theksuar se në skuadrën kuqezi ka harmoni dhe këtë e kanë konfirmuar vetë lojtarët. Madje, ka pasur edhe raste kur lojtarë si Skela kanë thënë se ky grup nuk ka për t’i ardhur ndonjëherë Shqipërisë, sigurisht për sa i përket marrëdhënieve që kanë me njëri-tjetrin.











