UPDATE- Kryeministri, Berisha kërkoi sot nga opozita bashkëpunim në të mirë të vendit për një seri reformash.
Duke e cilësuar një vajtim për atë që shkoi, fjalimin e Ruçit, Berisha tha se “dua të besoj se sot ne hapim një kapitull të ri në bashkëpunimin maxhorancë- opozitë, në të mirë të vendit”
Ai kërkoi bashkëpunim në luftën kundër korrupsionit, për heqjen e imunitetit, reformën në shëndetësi, arsim, pensionet, etj.
“Procesi zgjedhor më i mirë, në tërë historinë e pluralizmit” Kështu e quajti kryeministri, procesin zgjedhor të 8 majit.
“Këto u vlerësuan nga ndërkombëtarët. Zgjedhjet garantuan dy shtyllat kryesore, lirinë dhe ndërshëmërinë. Zgjedhje transparente do të thotë secili pati vlerësimin e ndershëm”- tha Berisha.
Ai ftoi opozitën për të nisur menjëherë punën për reformën zgjedhore, duke ftuar të gjithë aktorët që të kontribuojnë, duke adresuar edhe sugjerimet e OSBE/ODIHR.
Kryeministri, Berisha vlerësoi si dy objektiva kryesorë të qeverisë dhe maxhorancës, “Shqipëria vend i zhvilluar” dhe “Integrimi”.
“Bazuar në këto dy objektiva, maxhoranca është e vendosur të procedojë me një tërësi reformash politike, ekonomike, sociale dhe në të githa fushat në mënyrë që ritmet e ndryshimeve të ketij vendi të mos ndalen.”- tha Berisha.
Ruçi: Maskarada zgjedhore, fajtor Berisha
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi në fjalën e tij në seancën e parë plenare e quajti kryeministrin, Sali Berisha si “fajtorin publik, politik dhe personal te maskaradës zgjedhore të 8 majit”
“Sikur të kishim bërë punë që na takonte do të ishim të gjithë të nderuar, por jo nuk jemi. Nëse do tu kishim dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme do të kishim arsye të uronim njëri- tjetrin. Por nuk kemi asnjë arsye. Jo vetëm zgjedhje që nuk bëmë dot, por u dhamë shqiptarëve ato palo zgjedhje që kishim harrruar, mbase edhe më të këqija. Nga ato që nuk klasifikohen nga asnjë standart, sepse nuk përmbushin asnjë të tillë”- tha Ruçi.
Sipas tij, fajtori publik, politik, e personal i maskaradës zgjedhore, që ndodhi në zgjedhjet për pushtetin vendor të këtij viti, është kryeministri Berisha, duke shtuar se opozita bëri gjithçka që ishte në dorën e saj për të garantuar standarte demokratike.
Për këto arsye, sipas Ruçit, dështimin nuk e ndajmë dot të gjithë, pasi dështuat ju, iu drejtua ai zotit Berisha.
Duke e quajtur mandatin e kreut të Bashkisë së Tiranës, si një mandat të grabitur, Ruçi u ndal në raportin e OSBE/ODIHR, për të cilin tha se, nuk flet fare për standarte.
“Sali Berisha mbylli të vërtetën e 2009-tës për të sajuar atë të 2011. OSBE/ODIHR ishte i qartë, kryeministri nuk mund të bëjë sikur nuk e dëgjon. Maskaradën zgjedhore nuk e mbulon dot me togfjalëshin “transparente dhe konkuruese”- tha ai.
Sipas Ruçit, arroganca dhe babëzia për pushtet nëpërkembi votën e lirë.
Kuvendi, Topalli: Të fitojmë kohën e humbur
Në fjalën e saj hapëse, kryeparlamentarja, Jozefina Topalli tha se “çdo sesion i ri, është një fillim i ri, agjenda që na pret e ka emrin, agjendë reformash”
“Na presin prej dy vitesh ligje që kërkojnë votimin e të gjitha Grupeve Parlamentare. Fjalët duhet të kthehen në vepra, 12 rekomandimet janë detyrim, duhen votuar. Në të gjithë sëbshku kemi privilegjin dhe detyrën për të bërë ta mundur, për të miratuar ligje, reforma zgjedhore dhe 12 rekomandimet”- tha Topalli.
“…dua të jem besim plotë se ju të gjithë do të merrni përgjegjësit dhe do t’i shërbeni Shqipërisë. Të fitojmë kohën e humbur, unë jam optimiste”- tha ajo.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka për të mos përkeqësuar gjendjen e shqiptarëve. Sot jemi gati për alternativën e shekullit të ri. Do ta bëjmë këtu në parlament, e kudo ku ka shqipatrë. Jemi gati të qeverisim këtë vend. Jemi gati t’i japin një alternativë të re. Rekomandimet e OSBE/ ODIHR është detyrim, reforma nuk mund të mjaftohet me disa ndryshime të vogla. Duhet t’i rikthejmë dinjitetin e munguar KQZ-së”- tha Ruçi.
***
Seanca e parë e sesionit të ri parlamentar nisi pak pas orës 18:00 me ekzekutimin e himnit kombëtar, ndersa zgjati per 1 e 30 minuta
Kjo seancë shënon fillimin e sesionit V të Legjislaturës XVIII, ku pritet edhe rikthimi i opozites pas nje kohe te gjate bojkoti.
Në këtë seancë morën pjesë edhe trupi diplomatik në Tiranë, si ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, ambasadorja franceze, Maryse Daviet dhe zëvëndësambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Dan Redford.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ku u miratua në unanimitet kalendari 3-javor i punimeve të Kuvendit për priudhën 5-23 shtator, si dhe programi i punës në periudhën 5 shtator-4 tetor, kryetarja Topalli ftoi krerët e grupeve parlamentare të nisin punën për ngritjen e Komisionit për reformën zgjedhore, si dhe theksoi domosdoshmërinë e votimit sa më parë të ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave të Parlamentit.
Ndërkohë sot në mesditë janë mblidhur edhe grupet parlamentare të PD dhe PS nën drejtimin e krerëve të partive.
Në këtë sesion të ri parlamentar pritet miratimi i shumë ligjeve të rëndësishme për integrimin e vendit dhe çuarjen përpara të reformave, sidomos pas vendimit të opozitës për tu rikthyer në parlament.
© Panorama.al











