Gjykata Kushtetuese në Prishtinë ka rrëzuar dje legjitimitetin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës, Behgjet Pacolli.Sipas Kushtetueses së Republikës së Kosovës, ankesa e iniciuar prej Lidhjes Demokratike të Kosovës është e pranueshme. LDK-ja, e mbështetur nga AAK-ja dhe Vetëvendosje, ishte ankuar në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, duke e vlerësuar procesin jo-kushtetues. “Gjykata Kushtetuese, njëzëri, vendosi që të shpallë kërkesën të pranueshme dhe, me shumicë votash, me vetëm dy gjyqtarë mospajtues, shpall se Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me datë 22 shkurt 2011, është jo-kushtetues, pasi është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”, thuhet në një komunikatë për media, të lëshuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Në pikën 4 të Nenit 86 thuhet se në votimin e Presidentit, duhet të jenë të pranishëm dy të tretat e deputetëve. Ndërkohë gjatë votimit në sallë kanë qenë të pranishëm 67 deputetë nga 120 që ka Kuvendi i Kosovës. Në njoftimin e Kushtetueses nuk saktësohet se a do të hyjë në procedurë të rivotimit edhe një herë Presidenti Pacolli apo duhet të zgjidhet një president i ri. Gjatë votimit të Presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, më 22 shkurt 2011, pas raundit të dytë të votimit është kryer një pushim gjysmë orësh, sipas gjasave, i provokuar nga ndërhyrja e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Kristofer Dell. Ky i fundit e ka mohuar përfshirjen e tij dhe ka akuzuar median për interferim në çështje personale, ndërkohë që janë publikuar gjashtë mesazhet e dërguara nga këshilltari i Pacollit për Presidentin e ri, ku thuhej se si duhej të vepronte dhe se çfarë marrëveshjesh ishin bërë me Thaçin. Në mesazhe flitej edhe për “kërcënime” ndaj deputetëve të tjerë mospajtues të LDK-së dhe përmendej qartazi emri i ambasadorit Dell. Votimi për Pacollin, kandidati i vetëm për President në Kosovë, dështoi në dy raundet e para pas rebelimit të një grupi të deputetëve brenda PDK-së. Në raundin e tretë, pas pushimit jo-legjitim të konsideruar shkelje kushtetute edhe nga Jakup Krasniqi, Pacolli mori votat që i duheshin për presidencën. Ndërkohë, grupet opozitare e kishin lënë të gjitha sallën e Kuvendit përpara se të bëhej votimi, duke arsyetuar se nuk e dëshironin këtë kandidat, dhe se zgjedhjet e fundit nuk ishin legjitime. Pacolli rrezikonte edhe një tjetër përballje me Kushtetuesen, për votën që i dha qeverisë Thaçi ndërsa ishte zgjedhur President, por AAK-ja nuk i mblodhi dot 30 vota për ta dërguar në shqyrtim këtë çështje. Ky vendim nuk ka të bëjë me qeverinë e Kosovës e cila më 22 shkurt është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës dhe në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi nuk ka qenë i nominuar nga Presidenti Behgjet Pacolli, por nga ushtruesi i detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi. Masat që duhet të merren pas këtij vendimi nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata Kushtetuese do t’i bëjë publike të mërkurën.
Presheva: Duam bashkimin me Kosovën
Një ekip hulumtues i agjencisë informative “Presheva Jonë” ka publikuar të dhënat e një sondazhi në Luginën e Preshevës, mbi perspektivën e statusin e tri komunave (Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës) të banuara me shqiptarë etnikë. Kjo anketë, e cila u organizua paralelisht me fillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, tregoi se pothuajse të gjithë kërkonin që Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, të bashkoheshin me Kosovën, pa shkëmbime territoresh të tjera.
Nis faza e dytë e dialogut, do të diskutohet edhe telekomunikacioni
Kosova dhe Serbia janë ulur në raundin e dytë të dialogut në Bruksel. Dialogu zhvillohet sërish në zyrën e Robert Kuper, këshilltari i kryediplomates europiane, Katerin Ashton. Përveç çështjeve të takimit të 8 marsit, për të cilat nuk u arrit një marrëveshje mes palëve, dje u diskutua edhe problemi i energjisë dhe telekomunikacionit. “Ne do vazhdojmë me çështjet e mbetura nga tryeza e parë e bisedimeve, por do të përpiqemi që të flasim për lëvizjen e lirë dhe çështje të tjera si telekomunikacioni dhe energjia. Po përpiqemi që të normalizojmë marrëdhëniet mes dy shteteve. Ka ndërhyrje nga Serbia në sistemin kosovar të telekomunikacionit dhe atë të energjisë, gjë që nuk po dëmton vetëm cilësinë e shërbimit dhe pritshmërinë e qytetarëve për këto shërbime, por po krijon edhe dëme materiale, si dhe pengon bashkëpunimin rajonal mbi këto dy fusha”, tha para bisedimeve Edita Tahiri, kryenegociatorja e palës kosovare. Ndërkohë, të dy përfaqësuesit e delegacioneve janë shprehur optimistë për vazhdimin e bisedimeve dhe kanë deklaruar se ato do të ndikojnë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve nga të dyja palët. Ndërsa diskutimet janë limituar në kornizën “teknike”, Beogradi shpreson që pas kësaj do të ketë edhe çështje më themelore që do të diskutohen mes tyre, pa përcaktuar se çfarë. E rëndësishme është “që të mos dalë e fituar vetëm një palë, dhe tjetra të humbasë gjithçka”, është shprehur Presidenti serb, Boris Tadiç. Ndërkohë, zëvendëskryeministri kosovar, Hajredin Kuçi, është shprehur i bindur se në fund të dialogut do të arrihet një marrëveshje paqësore, ose ndonjë traktat paqeje. Nga takimi i parë mes palëve nuk është zgjidhur çështja e regjistrit civil, njohja e vulës doganore dhe marrëveshja rajonale për hapësirat ajrore.
© Panorama.al











