Kushtetuesja: Pezulluam çështjen e Himallarit

Mar 29, 2011 | 12:26

Gjykata Kushtetuese, përmes një sqarimi bërë për gazetën “Panorama”, lidhur me shkrimin “Berisha e shkarkoi Himallarin, Kushtetuesja e riktheu në detyrë”, saktëson se kërkesa e bërë nga Bajram Himallari në këtë gjykatë, është pezulluar për shkak se kërkuesi ishte në ndjekje penale. “Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim kërkesën e shtetasit Bajram Himallari me objekt ‘Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr.711, datë 25.08.2010 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kryetarit të komunës Kala e Dodës’. Gjykata, gjatë gjykimit ka konstatuar se në lidhje me këto shkelje të pretenduara, kërkuesi Bajram Himallari është vënë në ndjekje penale nga organi i akuzës për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal. Sipas kësaj gjykate, në këtë gjykim është konstatuar se “në lidhje me këto shkelje të pretenduara, kërkuesi Bajram Himallari është vënë në ndjekje penale nga organi i akuzës për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal. Për këtë shkak, bazuar në nenet 297/a dhe 298 të Kodit të Procedurës Civile, Gjykata ka vlerësuar se çështja në shqyrtim nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet çështja penale në ngarkim të kërkuesit dhe për këtë arsye ka vendosur “Pezullimin e shqyrtimit të çështjes me kërkues Bajram Himallari”. Pra, kërkuesi Bajram Himallari nuk është kthyer në detyrë nga Gjykata Kushtetuese, siç pretendohet në shkrimin e mësipërm, por pritet zgjidhja e çështjes penale në ngarkim të tij”. Gjithashtu, lidhur dhe me shkrimin tjetër “Gabimet e gjyqtarëve, Kushtetuesja anuloi gjobën për ish-mjeken e Korçës”, Gjykata Kushtetuese sqaron se “pasi ka marrë në shqyrtim kërkesën e Zhaneta Melonashit me objekt ‘Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, së Apelit dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (dhomë këshillimi)’, ka vendosur: Pranimin pjesërisht të kërkesës; shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në këtë gjykatë; rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr.212, datë 10.06.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe të vendimit nr.110, datë 09.10.2008 të Gjykatës së Apelit Korçë”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese, në saktësim të përmbajtjes së shkrimeve të gazetës sonë.

© Panorama.al

Te lidhura