Gjykata Kushtetuese vendosi sot që të kalojë për shqyrtim ankimimin e qeverisë për pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i ministres dhe zëvendës kryeministres, e marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë si edhe nën hetim edhe për Lotin 4 të Unazës së Madhe.
Kushtetuesja vendosi që ta rikthente në detyrë Ballukun deri në shqyrtimin e kërkesës më 22 janar, një seancë e cila do të jetë publike. Por çfarë mund të bëjë SPAK?
Gazetarja Klodiana Lala tha se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk e prek hetimin e Prokurorisë së Posaçme. Megjithatë pritet të shihet lëvizja që mund të ndërmarrë Prokuroria, nëse do të shkojë më tej me një masë më të ashpër si ajo e arrestit shtëpiak apo të arrestit në burg, për të cilën do të duhet që të kërkojë autorizimin nga Kuvendi.
“Ligji parashikon se nëse gjatë kësaj kohe SPAK ka siguruar prova të tjera që e rëndojnë pozitën e Ballukut, mund t’i drejtohet Kuvendit, Komisionit të Mandateve dhe të kërkojë autorizim për masa të tjera të sigurisë ndaj Ballukut. Për masa të tjera si ajo e arrestit në shtëpi, kontrollit personal, të banesës apo arrestit në burg, do të duhet do të duhet të merret autorizim nga Kuvendi. Ende nuk kemi një reagim nga SPAK se si do të sillet në raport me këtë vendimmarrje të Kushtetueses. Cili do të jetë qëndrimi i SPAK. A do të bëjë SPAK ndonjë hap tjetër për të kërkuar autorizim në kuvend për caktimin e një mase më të ashpër ndaj Ballukut. Së dyti, çfarë do të ndodhë në 22 janar, cili është vendimi në themel i Kushtetueses. ”, tha Lala.
© Panorama.al











