Universiteti “Luarasi” është universiteti i parë në Ballkan që sjell në Shqipëri programet akademike të London School of Economics (LSE), duke u ofruar studentëve mundësinë për të ndjekur studime sipas standardeve të një prej institucioneve më prestigjioze në botë.
Pedagogu Rinaldo Muça, pranë London School of Economics, e cilësoi këtë partneritet si një hap të rëndësishëm për arsimin e lartë shqiptar, duke theksuar se përfitimet nuk kufizohen vetëm te studentët, por shtrihen edhe te stafi akademik.
Ai nënvizoi se LSE është një institucion me reputacion ndërkombëtar, që ka nxjerrë personalitete të rëndësishme dhe fitues të shumtë të Çmimit Nobel, ndërsa vlerësoi se programi do të ndihmojë në rritjen e atraktivitetit të Shqipërisë për studentët vendas dhe të huaj.
Sipas Muçës, një nga avantazhet kryesore të programit është fakti se zhvillohet në gjuhën angleze dhe u jep studentëve mundësinë të përfitojnë një diplomë të integruar me standardet e arsimit perëndimor.
Ai theksoi gjithashtu se metodologjia e mësimdhënies mbështetet te rastet studimore, duke e bërë programin më praktik dhe më të orientuar drejt zhvillimit të aftësive profesionale.
Duke folur për sfidat, Muça u shpreh se ato lidhen kryesisht me krijimin e infrastrukturës së nevojshme për të përthithur një numër më të madh studentësh dhe për të zbatuar standardet akademike të LSE.
“Ky partneritet me London School of Economics duhet parë në disa nivele dhe plane. Kjo është një mundësi e artë për mentorim. Mentorimi vjen jo vetëm për studentët, por edhe për pedagogët e universitetit. Ka shumë për të mësuar, edhe pse jemi në rrugë të mbarë. Ky është një institucion që ka nxjerrë emra të mëdhenj dhe një dyzinë laureatësh me Çmime Nobel. Një pikë me rëndësi është edhe fakti që, përgjithësisht, si vend importojmë studentë. Programi ofrohet në gjuhën angleze. Një tjetër e mirë që mund të sjellë është për studentin marrja e një diplome që është e integruar me botën perëndimore.
Ky program e vë theksin te rastet studimore, ndaj është një avantazh i madh për të gjithë ata që do ta ndjekin. Sfidat e këtij programi në Shqipëri janë të lidhura me infrastrukturën për të përthithur studentët. Potencialet e këtij programi janë të mëdha. Ky është viti i parë dhe, duke u investuar, krijohet edhe eksperienca. Është një program që operon në një kulturë arsimore shqiptare, e cila nuk e ka përqafuar ende plotësisht këtë qasje. Anglezët janë shumë specifikë për lapsin dhe letrën; nuk duan aplikime të inteligjencës artificiale apo softuerike. Këto standarde krijojnë praktikën e mirë. Në universitet jepen të gjitha mbështetjet. Gjithçka mbetet te puna e përbashkët e pedagogëve dhe studentëve. Studenti sot është i lirë. Ky është një program që po hapet rishtazi jo vetëm për studentët, por edhe për pedagogët shqiptarë. Komunikimi është baza dhe kryesor është orientimi. Kurrikula të jep mundësi të zgjedhësh, por programi duhet respektuar.
Studentët që kërkojnë një arsim elitar nuk kanë nevojë të largohen nga familja apo të detyrohen të shpenzojnë më shumë, pasi programi i duhur ofrohet nga Luarasi. Nga pikëpamja akademike, kjo u jep atyre mundësinë të rriten si bashkëmoshatarët e tyre në botë. Pedagogët e huaj jo vetëm që testojnë studentët, por edhe ne pedagogët këtu. Pra, një student ndihet komod për të studiuar këtu, por me një kurrikulë si në Perëndim.”, tha ai.
© Panorama.al












