Kukësi në etje, mblidhet Këshilli Bashkiak për situatën

Sep 3, 2011 | 11:02

KUKES – Mungesa e ujit të pijshëm në Kukës ka irrituar jo vetëm banorët, të cilët nuk furnizohen më shumë se 30 minuta gjatë 24 orëve, por njëherazi ka nxitur dhe një reagim në bllok të Këshillit të Bashkisë, i cili mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme për situatën e krijuar. Në raportin e paraqitur nga Ndërmarrja e Ujësjellësit në këtë mbledhje u tha se tri burimet që furnizojnë qytetin dhe 14 fshatrat përreth, ai i Kolesjanit, Domajve dhe Lojmes, sjellin së bashku 50 litra ujë/sek, pra tri herë më pak se mesatarja. Kjo sasi e vogël është diktuar nga thatësira e tejzgjatur. Por specialistët janë shprehur se nëse kjo shifër është e vërtetë, atëherë kjo mjafton për 24 orë ujë pasi edhe projekti i ujësjellësit të ri me këto burime do të operojë dhe nuk do të këtë burime të reja. Gjithashtu, në këtë krizë ka ndikuar dhe keqpërdorimi i ujit nga ndërhyrjet e paligjshme, sidomos nga 17 lavazhet dhe mospagesa e faturave, që aktualisht për 3771 lidhje me kontratë në privatë dhe ente publike, shkon në masën 23 për qind. Rozafat Sopi, këshilltar i PS-së, tha se deklaratat e Ujësjellësit për 4 orë furnizim në 24 orë ishin demagogji, pasi banorët e kateve të para furnizohen me 30 minuta, e në disa kate e lagje uji nuk shkon fare. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë, Hasan Halili, tha se ky është një shqetësim, të cilin ai to ta ndjekë hap pas hapi. “Kukësi realisht është pa ujë, por zgjidhja është vetëm ndërtimi i ujësjellësit të ri”, u shpreh kryebashkiaku. j.h

© Panorama.al

Te lidhura