Cili është ndryshimi midis një analisti dhe një politikani? Ata ndryshojnë sa ç’ndryshon moralpolitika nga realpolitika! Por kjo, deri në cakun kur me pasojat e saj, realpolitika nuk synon të dëmtojë çështjen kombëtare. Në të kundërt, kjo realpolitikë do të quhej krim dhe duhej të dënohej nga ligjet. E hapa këtë koment me këtë parantezë, për të treguar se në çështjen e ndjeshme të të gjithë shqiptarëve të numërimit të përgjithshëm të popullsisë, edhe analisti, edhe politikanët, janë në fushën e përbashkët të moral dhe realpolitikës. Natyrisht, që të pranosh një gjë të tillë, pikësëpari duhet rrëzuar ideja e Z.Pollo, se ndjeshmëria e lartë e kombit shqiptar dhe frika e tij për pasojat që mund të prodhojë regjistrimi fyes fetar/etnik mbi bazë vetëdeklarimi, është një legjendë urbane; ai në fakt është një realitet. Z.Pollo nuk mund të marrë dot dhe nuk do t’i interesonte roli i Zeus bubullimës, për t’u mbyllur gojën njerëzve të shumtë, që nuk mendojnë si ai për këtë çështje. Kjo në fakt është një matricë me shumë kosto dhe ne që jemi shumica, e që mendojmë ndryshe nga ai, nuk mund të pranojmë të shkruajmë mbi lëkurën e kombit tonë një hap mbrapa të kalkuluar mirë nga Athina, vetëm e vetëm që ai dhe Berisha t’i marrë grekët me të mirë apo që edhe kryetari i opozitës, z.Rama, të vijë nesër në pushtet me të njëjtin premtim të ‘pambajtur të Doktor mashtruesit’, në raport me N.Gejxhin qysh më 2002. Dikush mund të pyesë se ç’hyn Rama në këtë histori?
Përgjigja është fare e thjeshtë: në të gjitha rastet kur qeveritë e vendeve të vogla janë nën presione strategjike, qeveritë priren të dorëzohen, për shkak të interesave të tyre ekzistenciale afatshkurtra; Opozitat janë më komode për të rezistuar dhe për të ofruar parashutat e tyre. Në raste të tilla, dy liderat kryesorë harmonizojnë veprimet e tyre të realpolitikës në funksion të çështjeve madhore me interes kombëtar e strategjik. Druaj se zgjidhja e marrëveshjes së shumëpërfolur të ujërave me Greqinë, të ketë ndodhur me një skemë të tillë. Gjithsesi, mbyllja me një ‘happy end’, pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese, kishte si kumbar z.Rama. Dhe kjo është për t’u falënderuar. Por duket se në rastin e numërimit të përgjithshëm të popullsisë (të na falë z.Pollo që s’jemi mësuar ta quajmë me termin modern ‘census’-regjistrim i përgjithshëm), Partia Socialiste, ndoshta edhe nga frika e zgjedhjeve lokale në prag, është tulatur dhe është bërë mace e urtë përballë grekërve. Z.Rama, ndoshta e di mirë shprehjen ‘Ruaju grekërve, edhe kur të bëjnë dhurata’. Ai mund të mos e pranojë faktin se nëse do të udhëhiqte një betejë ligjore e kombëtare kundër qeverisë për vetëdeklarimin e kombësisë, do të merrte shumë vota më tepër nga ato që do të humbiste prej influencës greke në votime. Edhe pse ai ka rreshtuar në krah të tij Vangjel Dulen, Athina beson te procesi i nisur prej Berishës dhe Pollos dhe ata nuk do të guxojnë hapur të intimidonin kundër tyre votën e grekomanëve (dhe atyre grekofilëve që zjarriten për dy lecka të ndërrojnë edhe kombësinë e stërgjyshërve të tyre), që janë me shtetësi shqiptare. Kështu që zotit Rama, edhe pas përqafimeve e sigurimeve të Papandreut (po të doni shtojmë edhe të d’Alemës, pasi që kjo dyshe na kujton marrëveshjen Titoni-Venizellos për Shqipërinë), ashtu si më 2009, i lipset të kuptojë se kostumi i tij i pas 8 majit nuk pritet më as në Athinë, as në Stamboll e as në Romë. Me këtë logjikë, i ndikuar nga këto qarqe dhe nga një ekip diletantësh e të paduruarish që ka pranë, ai ndoshta nuk e kishte kuptuar ende, as më 21 janar se që të hedhësh gurë e zjarr sot mbi Kryeministrinë e Tiranës, është sikur të hidhen gurë e zjarr mbi Shtëpinë e Bardhë, mbi Down Street 10, apo te zyra e Angela Merkel në Berlin. Një konceptim i tillë i ndryshimit të sferës së fuqisë, në fakt duhej të kishte filluar të perceptohej nga politikanët tanë qysh pas Luftës së Parë Botërore (A.Zogu dukej se e pati kuptuar mirë këtë ‘risi’). Ai i njihte strukturat e fshehta të fuqisë. Për ta ilustruar atë që thamë, po ju sjellim në kujtesë disa ngjarje të asaj kohe, ndryshime që ndoshta nuk janë mbajtur shënim nga politikanët dhe diplomatët tanë, shumica e të cilëve duket se kanë qenë të vagullt ndaj llogaritjes së vektorëve të forcave në rrafshin diplomatik, me ndikim thelbësor të brendshëm politik. Ky ndikim thelbësor, natyrisht që duhet besuar, sepse ka qenë faktor themelor në tërmete më të mëdha njerëzore e territoriale, si në ngjarjet e Revolucionit Francez, Revolucionit të Tetorit, dy Luftërat Botërore, në tërmetet ciklike të shekullit të 19-të e deri në ngjarjet e sotme në Lindjen e Mesme. Kthehemi pak në retrospektivë.
Në fillim të vitit 1919, kur në Paris po diskutohej, krahas të tjerave, edhe çështja e ekzistencës së Shqipërisë, në territorin tonë kishin ndodhur ndryshime. Forcat e Aleancës Tripalëshe (Austro-Hungaria dhe Bullgaria) ishin tërhequr. Pjesa më e madhe mbahej nga Italia (nga Gjirokastra deri në Kolonjë), Korçën e Pogradecin e mbante të zaptuar Franca dhe Dibrën- Serbia. Greqia priste të kapte vijën Llogara-Salari-Qafë e Kiçokut-Maliq (Vorio-Epirin) dhe të dyja me Italinë përpiqeshin t’i linin qeverisë së përkohshme të Turhan Pashës territorin nga Mati në Vjosë, nën suzerenitetin ‘e përkohshëm’ italian. Mbi Shqipërinë e cunguar të 1913-ës qëndronte hija e thyer e Marrëveshjes së Fshehtë të Londrës më 1915. Kur Austria kishte qeverisur tokat shqiptare deri në Vjosë, ajo kishte ngritur një administratë të hekurt të përzier me shqiptarët dhe, në zonën e Urës Vajgurore e Patosit zbuloi naftë, me shpresë për sasi të mëdha rezervash e gabimisht me cilësi të lartë. Kompanitë-shtet të Teksasit(Rokfelerit) dhe Anglo-Iranian Oil (në SHBA e Angli), shfaqën interes për tokat shqiptare. Atëbotë, këto kompani nuk kishin arritur si sot që ta ndërkombëtarizonin pasurinë fosile energjetike dhe, ata ishin të interesuar për shtete të dobëta për të lidhur kontrata me kushte më me interes; kësisoj, në pah doli si rrugëzgjidhje ‘Plani A’ për kufijtë e Shqipërisë (Londra e vitit 1913). Në terren erdhën, krahas të tjerëve, ekspertë të inteligjencës të të dy vendeve. Nga anglezët erdhi Mr.Eden dhe nga amerikanët konsulli i Torinos, J.Heven. Ky i dyti u shoqërua gjithkund nga patrioti Tefik Mborja. Të parin, me një intrigë me gjasa me përfshirjen edhe të inteligjencës italiane, u synua ta eliminonin fizikisht (kur u plagos në një pritë ku do të vritej Zv.kryeministri i qeverisë së Durrësit, Preng Pasha i Oroshit); i dyti, ndoshta edhe i nënvleftësuar si përfaqësues i një shteti pa shumë ndikim në fatet e Europës së atëhershme, pati më shumë fat. Ai shëtiti gjithë Shqipërinë e jugut, nga Durrësi, Vlora, Himara(çuditërisht, përfaqësuesit e kësaj i kërkuan – të ndarë në dy pjesë – që Himara të rrinte me Shqipërinë ose me Italinë, por askush nuk kërkoi bashkim me Greqinë!!!); në Vuno e priti vëllai i Spiro Kolekës (i afërt nga gjaku me nënën e Edi Ramës), i cili i kërkoi në emër të banorëve bashkimin e bregdetit me Shqipërinë. E njëjta gjë ndodhi edhe në Gjirokastër (me përjashtim të disa kërkesave në minorancë të grekomanëve), në Përmet, Leskovik, Kolonjë e Korçë. Madje kur Dhespot Jakovi i Korçës e ftoi në Mitropoli zotin Heven, ai nuk u tund nga shtëpia e ‘Kenedëve’, ku kishte bërë konak së bashku me T.Mborjen dhe nuk pranoi ta largonte këtë të fundit nga bisedimet me grupin e vogël filogrek të kishës së Korçës, me ndikim nga Fanari, të dërguar në konakun e tij.
Ato që panë e raportuan këta dy misionarë të inteligjencës të super të fuqishmeve think tank-e anglo-amerikane ‘Round Table-RT’ dhe ‘Counsil of Foreign Affairs-CFR’ dhe te përfaqësuesit e tyre me fuqi të madhe vendimmarrëse, Alfred Milner e kolonel Eduard House, bënë që rrjedha e fatit të Shqipërisë të bëhej Plani A
(kufijtë e 1913-ës). Kjo shpjegon edhe tërheqjen e Francës (progreke) fshehurazi grekërve nga Korça e dorëzimi i saj te Eshref Frashëri dhe nënshkrimi i Protokollit të Kapshticës me Greqinë.
Ajo që duhet thënë nga gjithë kjo histori e shkurtër, është fakti se për fatet e Shqipërisë, qysh në fund të Luftës së Parë Botërore, kanë ndikuar thelbësisht anglo-amerikanët, sot, në aleancë me gjermanët për çështjen e Ballkanit. Ashtu siç u përpoq më kot ndonjë antishqiptar kokëndezur ta shfrytëzonte 1997-ën me idetë e çmendura të Megali Idhesë (kujtoni zv.ministrin J.Kranidiotis, i cili ra pak më vonë me avion), apo duke e parë këtë vit humneror të shqiptarëve si një garanci për ruajtjen e pushtimit serb mbi Kosovë, po ashtu të njëjtat forca të jashtme e të brendshme (fatkeqësisht opozita jonë ngjan me të gjithë ata politikanë kapitullues që s’rrinin dot pa u lidhur pas një qerreje të huaj serbo-greke-italiane, që punonte atëbotë kundër Shqipërisë si Halit Lleshi, E.P.Toptani T.Pasha, L.Gurakuqi, T.Toçi, M.Kruja, etj.), u përpoqën më kot me Gërdecin të ndalnin hyrjen e Shqipërisë në NATO, apo edhe në BE. Zotin Rama nuk mund ta purifikojë simbolikisht ndaj heshtjes së tij për numërimin e përgjithshëm të popullsisë, as akti kinse domethënës patriotik i vizitës së tij me rastin e 7 marsit te dijetari Kristo Frashëri. Kjo vizitë, më kot u përpoq të japë një mesazh për shikuesit (edhe pse disa ide të tij për librin, kulturën dhe dilemën të kesh apo të jesh, ishin të drejta) se e majta e mbështet kauzën e drejtë të dijetarit dhe polemizuesit Frashëri kundër Kryepeshkop Anastas Janullatosit, uzurpatorit të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, i cili duket se po luan një rol të spikatur në sipërmarrjen e mbrojtur edhe nga z.Pollo. Z.Rama, para se të na mbushë mendjen te qëllimet e mira të mbështetjes ndaj tij prej Papandreut dhe D’Alemës (që ngjajnë si mbështetja e Titoni-Venizellosit për T.Pashën e urtë), është mirë të na mbushë mendjen ne shqiptarëve te qëllimet e mira në lidhje me numërimin e popullsisë. Ai duhet ta sfidojë realitetin e strucit, ku po qëndron për këtë çështje dhe t’u bëjë me dije shqiptarëve dhe të huajve se nuk mund të qëndrojë në terrenin e realpolitikës, por të moralpolitikës. Ai duhet t’i hedhë dorashkën e sfidës qeverisë dhe të ndahet nga kauza e shtrembër e Pollos dhe të bashkohet me ‘legjendën urbane’, që mbron interesat e shqiptarëve dhe nuk i poshtëron ata, duke u bërë pyetjen në se besojnë në cilën fe dhe t’i lejojë ata të vetëdeklarohen për çështjen e kombësisë. Në këtë sfidë, mendojmë se nuk duhet të heshtë as Presidenti i Republikës, por për këtë çështje do të flasim njëherë tjetër.
© Panorama.al












