“Kryetar i uzurpuar”- PD bojkotoi Parlamentin, reagon Salianji: Berisha ka zgjedhur t’i shërbejë deri në fund Edi Ramës! Zgjedh të shkatërrojnë edhe partinë

Jul 2, 2026 | 12:17

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka sulmuar kreun e PD, Sali Berisha, duke e akuzuar se me vendimin për të bojkotuar seancën e sotme parlamentare i ka shërbyer kryeministrit Edi Rama.

salianji01

Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji shkruan se në ditën kur qytetarët protestojnë para Kuvendit, Berisha duhej të përballej politikisht me mazhorancën në Parlament.

Ai kritikon gjithashtu mënyrën se si po drejtohet Partia Demokratike, duke akuzuar Berishën për përjashtimin e figurave me kontribut dhe për mosrespektimin e votës së demokratëve në përbërjen e Kryesisë.

“Sali Berisha ka zgjedhur t’i shërbejë deri në fund Edi Ramës. Ditën kur qytetarët protestojnë përballë Parlamentit, në vend që të përballet me Edi Ramën dhe të jetë mburojë politike për protestuesit, ai braktis Parlamentin dhe largohet. Në ditët më të zeza per Edi Ramën, Berisha zgjedh te shkatërrojë Partine Demokratike!

E njëjta logjikë sundon edhe brenda Partisë Demokratike. Si kryetar uzurpator, përjashton nga Kryesia njerëzit me kontributin më të madh. Më të votuarit nga qytetarët rezultojnë më të pavotuarit në Kryesinë e Sali Berishës. Ata që kanë mbajtur peshën e opozitarizmit për 13 vite ose lihen jashtë, ose renditen në fund. Qarqe si Korça dhe Shkodra mbeten pa asnjë përfaqësues, ndërsa edhe qarqet fituese injorohen dhe nuk përfaqësohen siç duhet.

Një opozitë nuk mund të fitojë duke përjashtuar meritën, votën dhe kontributin dhe duke futur anonimë që nuk i njeh askush përveç rrjeteve sociale si fansa të uzurpatorit!

Nëse duam të largojmë Edi Ramën, duhet të largojmë më parë pengesën më të madhe të opozitës: Sali Berishën, i cili është kthyer në kambalecin politik të Edi Ramës.

Ne nuk do i lemë demokratët të vetëm, kontributi i tyre do të vlerësohet”, shkruan Salianji.

© Panorama.al

Te lidhura