Disa protestues pësuan komplikacione shëndetësore ditën e sotme gjatë përballjes te Kuvendi me Policinë, pasi kjo e fundit përdori spraj me piper apo me gaz lotshellës.
Një prej të dëmtuarve ishte edhe aktivistja Luçiana Kokaj, banore e Rrjollit, e cila u pa dhe filmua nga kamerat teksa ishte e ulur dhe mundohej të qetësohej me ujë për të shpëlarë fytyrën nga spraji djegës.
Edhe pse mbërriti ambulanca në vendngjarje, sipas rrëfimit dhe denoncimit të saj, Policia nuk i ka lejuar të mjekohen, edhe pse i digjte lëkura dhe gjendja ishte e rënduar, si e saj edhe e dy apo tre të tjerëve po të dëmtuar.
Kokaj denoncoi se efektivët jo vetëm nuk i lejuan të shkonin në spital, por edhe i mbyllën në një lokal aty, teksa ndihmuan vetëm kolegët e tyre.
Kokaj tha:
“Ishim para Parlamentit, pastaj Policia na hodhi spraj me piper p♪7r arinj. Thirrëm ambulancën, kanë qenë dy-tre veta. Ka ardhur ambulanca, por mua më zbritën nga ambulanca, erdhi Policia, as ndihmën e parë nuk ma dhanë. Ndërkohë që po më djeg lëkura dhe nuk e duroj dot më. Me këtë djegie që kam patjetër duhet të marrë ndihmë mjekësore sepse nuk e duron dot lëkura. Dhe më kanë lënë kështu, na mbyllën këtu te kafja, na mbyllën dhe derën. Policia mori vetëm kolegët e saj në ambulancë dhe ne na lanë këtu. Na hodhën spraj apo çfarë hodhën dhe na lanë në këtë gjendje. Ata provokonin, ne nuk bëmë asgjë, një nga policët hodhi spraj dhe gjithë kamera e kanë kapur. Ka gjujt protestuesit me spraj, e kam parë me sytë e mi, e kanë kapur edhe kamerat”.
© Panorama.al












