Në mbledhjen e Asamblesë kombëtare socialiste, që zhvillohet sot në orën 11:00 në restorant “Xibraku” në periferi të Tiranës, kryesocialisti pritet të shpallë dhe kushtet e PS-së për garancitë e kërkuara për zgjedhjet e 8 majit. Gjatë fjalës së tij, Rama do të qartësojë dhe strategjinë e qëndrimin e socialistëve për këto zgjedhje. Por asambleja do të miratojë dhe udhëzimin e ri që mori mbështetjen e djeshme nga kryesia. Udhëzimi i cili do të diskutohet dhe miratohet sot në Asamblenë Kombëtare, do të bëjë seleksionimin e kandidatëve socialistë për zgjedhjet e 8 majit. Duke shprehur parimet e përgjithshme universale që janë zbatuar në të gjitha zgjedhjet vendore e mëparshme. Ndërsa kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, do të bëjnë automatikisht dhe seleksionimin e propozimeve që do të vijnë nga baza socialiste dhe që do të jetë kryesia e PSSH-së që do miratojë listën përfundimtare të kandidatëve socialistë. Socialistët përjashtojnë nga listat e kandidatëve të gjithë ata persona që më parë kanë kandiduar nën siglën e PS dhe kanë rezultuar humbës. “Kandidatët për kryetarë të njësive vendore që kanë rezultuar humbës në proceset zgjedhore të mëparshme, nuk përfshihen në listat me kandidaturat për kryetar të bashkive/komunave që i paraqiten për shqyrtim e miratim kryesisë së PSSH-së, me përjashtim të rasteve kur kryesia e gjykon ndryshe”, thuhet në Udhëzimin e miratuar nga kryesia socialiste.
Zgjedhjet për pushtetin vendor do të zhvillohen në 8 maj. Kjo datë përcaktohet në një udhëzim që kryesia e Partisë Socialiste miratoi dje për nisjen e procesit të përzgjedhjes së kandidaturave. Pak javë më parë, kryetari socialist Rama u shpreh se nuk është e sigurt nëse zgjedhjet do të zhvillohen apo jo në 8 maj. Përcaktimi në dokumentin e kryesisë heq çdo dilemë se zgjedhjet mund të mos zhvillohen në 8 maj.
Procedurat
Udhëzimi i kryesisë socialiste për përzgjedhjen e kandidaturave përcakton dhe procedurat dhe grafikun se si dhe kur do të zhvillohet procesi i propozimeve dhe seleksionimit të kandidaturave për kryetarë bashkish, komunash dhe këshilltarë. Deri më 19 mars do të zhvillohen mbledhjet e asambleve të bashkive dhe komunave, ku do të bëhen propozimet për kandidaturat, në prani të kreut të PS-së, Asamblesë, por dhe deputetit të caktuar për çdo ZAZ. Deri më 22 mars, do të jetë Këshilli Koordinues i partisë në qark ai që miraton listat përfundimtare të këshilltarëve, ndërsa shqyrton përputhshmërinë e kritereve të kandidatëve për bashki dhe komuna. Kryesia socialiste, e cila do të mblidhet deri në 26 mars, do të miratojë listën përfundimtare të kandidatëve për kryetar bashkie dhe komune dhe të këshilltarëve, por do të vendosë dhe për aleancat me aleatët në të gjithë vendin.
Rama: Do shkojmë në zgjedhje për të larguar Berishën nga pushteti
Kryetari socialist, Edi Rama, vijoi turin e tij dje pasdite në qytetin e Durrësit, nën sloganin “Fajin e ka Saliu”. Takimi me socialistët dhe mbështetësit e PS-së, i cili u ndalua për mediat televizive, pati një thirrje: të largohet qeveria përmes zgjedhjeve vendore. Kryesocialisti theksoi dhe nga Durrësi se zgjedhjet vendore janë zgjedhje politike mes opozitës dhe qeverisë. “Ne do të shkojmë në zgjedhje për largimin e qeverisë “Berisha” nga pushteti. Zgjidhja e krizës në të cilën Shqipëria ndodhet për faj të Saliut, fillon me largimin e tij dhe zgjedhjet e lira”, u shpreh kryesocialisti. Gjithashtu, Rama ka bërë thirrje për bashkim, për të lënë mënjanë qejfmbetjet dhe kërkoi angazhim maksimal për të nxjerrë vendin nga kaosi ku është zhytur. Duke folur për regjistrimin e PS-së në momentin e fundit pranë KQZ-së, Rama tha se mosregjistrimi ishte një mundësi që Saliu e priste prej kohësh, për të mos ndalur akuzat e tij se Partia Socialiste është kundër popullit të saj. Sipas Ramës, zgjedhjet vendore janë pjesë e aksionit politik të opozitës. “Procesi i aksionit politik të opozitës ka në zemrën e vet domosdoshmërinë për të larguar Saliun dhe për të sjellë në duart e çdo shqiptari mundësinë për të votuar i lirë”, tha Rama. Më tej, kryesocialisti ka zhvilluar një takim me Asamblenë e rrethit të Durrësit, takim që zgjati rreth tri orë, ku ka pasur diskutime për kandidatura të komunave dhe bashkive të vogla të këtij qyteti. Anëtarët e Asamblesë socialiste i kanë kërkuar kreut të PS-së të bëhet kujdes me aleatët dhe të mos u lihen atyre komuna dhe bashki të lira, pasi kandidaturat e tyre nuk janë më shumë përfaqësuese sa kandidaturat socialiste. l.m.
Kriteret e kandidatëve
Kandidatët e përzgjedhur nga PSSH duhet;
Të plotësojnë kërkesat e përcaktuara në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë
Të kenë kontribut e angazhim politik dhe të kenë njohuri për programin e politikat e PSSH-së në nivel kombëtar e vendor
Të kenë arsim të lartë, të zotërojnë aftësi të spikatura profesionale e menaxhuese
Të gëzojnë reputacion dhe të kenë mbështetje të gjerë në komunitet, të jenë aktivë dhe të angazhuar për të njohur, ndjekur e zgjidhur problemet e elektoratit
Të kenë njohuri mbi organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, aftësi drejtuese, organizuese e të punës në ekip, të zotërojnë eksperiencë për menaxhimin e burimeve njerëzore e materiale
Të kenë integritet moral dhe kurajo civile për të luftuar korrupsionin, abuzimet me pushtetin dhe shkeljet e ligjit
Kandidatët për kryetarë të njësive vendore që kanë rezultuar humbës në proceset zgjedhore të mëparshme, nuk përfshihen në listat me kandidaturat për kryetar të bashkive/komunave që i paraqiten për shqyrtim e miratim kryesisë së PSSH-së, me përjashtim të rasteve kur kryesia e gjykon ndryshe
Kriteret për këshilltarë
Përfshirja e kandidaturave me kontribute të spikatura politikisht gjatë viteve të fundit
Përfshirja e kandidaturave në respekt të përfaqësimit sipas vendbanimit
Parimi i barazisë, shanseve të barabarta, sipas moshës e gjinisë, duke zbatuar kërkesat e Kodit Elektoral dhe të statutit të PSSH-së
Përfaqësimi i të gjitha kategorive sociale
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











