Kriza, rritet papunësia dhe çmimet e lëndëve të para, ulet fuqia blerëse

Mar 11, 2011 | 12:20

Tre muajt e fundit të vitit 2010 nuk kanë qenë aspak të favorshëm për biznesin, i cili, përveç rritjes së kostos së prodhimit, është ndeshur edhe me rënien e fuqisë blerëse. Instituti i Statistikave publikoi dje dy nga raportet e tij lidhur me Indeksin e Çmimeve të Prodhimit si dhe atë të Tregtisë me Pakicë. Sipas INSTAT-it, gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë arriti 176.8 për qind, kundrejt vitit bazë (2005=100). “Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 1.1 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është rritur 1.3 për qind”, thuhet në raport. Të marra veç e veç, grupet në volum shitjeje krahasuar me tremujorin e tretë të 2010-s kanë njohur rritje të konsiderueshme. Kështu, është rritur volumi i shitjes për artikujt ushqimorë, pije dhe duhan. Po kështu, rritje ka njohur edhe grupi “Tregtia dhe riparimi i automjeteve”, ku indeksi i volumit të shitjeve është rritur 10.8 për qind në tremujorin tetor-dhjetor krahasuar me tremujorin korrik-shtator 2010. Ndërkohë, brenda këtij grupi, rritje ka njohur edhe shitja e karburanteve me pakicë, kjo në fakt ka ardhur në kontrast me rritjen e vazhdueshme të çmimeve që filloi në nëntor. Një tjetër tregues aspak pozitiv është ulja e punësimit. “Indeksi i punësimit në “Tregtinë me pakicë” në tremujorin e katërt të këtij viti arriti 165.5 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky indeks është ulur 1.8 për qind”, shprehet INSTAT-i. Sa i përket kostos së prodhimit, ajo shënoi rritje në tremujorin e fundit të 2010-s, ku indeksi i çmimeve u rrit 0.8 për qind kundrejt tremujorit të tretë. Sektorë që pësuan rritje të çmimeve të prodhimit janë ato të nxjerrjes së produkteve energjetike apo industrive përpunuese.

© Panorama.al

Te lidhura