Është i vetmi “xholi” që Kuzhe ka në dispozicion për të manovruar në krahët e mbrojtjes. Kjo e shndërron Vangjelin në një element të rëndësishëm në radhët e Kombëtares.Futbollisti korçar e pranon se një humbje me Bjellorusinë do të hidhte në erë gjithë edicionin e Shqipërisë, por shprehet i bindur se tashmë kuqezinjtë kanë shansin t’i japin një “leksion” bjellorusëve.
Kombëtarja vjen me shumë probleme në mbrojtje dhe dilema e madhe është krahu i djathtë, pasi mungon Dallku, ju ku doni të luani?
Unë në kombëtare kam luajtur thuajse gjithnjë në të majtë dhe mendoj se jam përshtatur mirë, por te Arisi prej gjithë sezonit luaj si mbrojtës i djathtë. Mendoj se në krahun e djathtë jap diçka më shumë, sepse është pozicioni im natyral. Gjithsesi, të shohim se çfarë zgjedhjesh do të bëjë trajneri. Ne kemi mungesa të rëndësishme në mbrojtje dhe mendoj se ky repart do të pësojë ndryshime të rëndësishme për këtë sfidë kaq delikate.
Fakti që jeni i vetmi “xholi” që mund të përshtatet në të dy krahët, a ju bën të ndiheni i favorizuar?
Po, e ndiej veten pjesë e rëndësishme e skuadrës, por jo vetëm sepse kam këto aftësi, pra sepse përshtatem në disa role, por edhe për faktin se gëzoj një formë shumë të mirë.
Me Bjellorusinë nuk kemi fituar asnjëherë. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria që t’ia dalë mbanë kësaj radhe?
Mendoj se duhet të jemi më të kujdesshëm, pra të jemi të përqendruar deri në fund. Por, kur them të kujdesshëm, kjo nuk do të thotë se duhet vetëm të mbrohemi. Përkundrazi, unë mendoj se në këtë ndeshje kaq vendimtar duhet të jemi edhe shumë agresivë dhe cinikë. Kjo është një sfidë ku luhet gjithë edicioni ynë, ndaj duhet të japim gjithçka që ta fitojmë.
A do të quhej edicioni i dështuar nëse Shqipëria e humb këtë ndeshje me rivalin e saj direkt?
Po, mendoj se po. Nëse ndodh kështu do të kemi pak shanse që t’ia dalim mbanë deri në fund, por ama unë kam bindjen se Shqipëria mund të fitojë. Nëse luajmë si një skuadër kompakte dhe nëse japim gjithçka në fushë, unë jam i bindur se mund t’i japim leksion edhe një kundërshtari të tillë.
Për çfarë leksioni e keni fjalën?
Në kuptimin që t’i tregojmë këtij kundërshtari se nuk jemi edhe aq të lehtë për t’u mundur, se edhe ne dimë të luajmë dhe të ndalim skuadrat ndaj të cilave nuk kemi precedentë pozitivë.
Bjellorusia ka një lojë të shkëlqyer nga krahët. A ju shqetëson kjo?
Sigurisht, ata janë një skuadër e fortë dhe ndoshta duhet të evitojmë përballjet direkte. Unë mendoj se do të ishte më efikase që të luanim në grup, pra si trup unik.
Nëse e mundim Bjellorusinë, a mund të ëndërrojë Shqipëria kualifikimin?
Pse jo? Unë i referohem eksperiencës në këtë rast. Me Arisin këtë sezon në Ligën e Europës ishim në grup me skuadra të frikshme si Leverkuseni dhe Atletiko Madrid, por ama luftuam dhe besuam deri në fund dhe ia dolëm të kualifikoheshim për më tej. Gjithçka është e mundur, por fillimisht duhet të përqendrohemi te kjo ndeshje dhe më pas të bëjmë llogari të tjera.











