Krimi për lojën e dominosë, “do na vriste të gjithëve”

Nov 8, 2011 | 10:58
Viktima në vendin e ngjarjes

Tre të plagosurit me armë zjarri në mbrëmjen e Kurban Bajramit në Vlorë kanë rrëfyer për grupin e hetimit momentin kur u gjendën para plumbave të shtëna nga 37-vjeçari Altin Leskaj. Burime të Policisë bënë të ditur se Leskaj ka pranuar autorësinë e krimit, ku mbeti i vrarë Niko (Ridvan) Mataj dhe u plagosën tre miqtë e tij. Blutë kanë shpallur në kërkim edhe vëllanë e tij, Edlir Leskaj, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e ngjarjes. Sipas policisë, 35-vjeçari po hetohet jo vetëm si bashkëpunëtor në krim, por dyshohet se ai mund të jetë autori i vrasjes së Niko Mataj dhe plagosjes së Elidon Aliajt, 27 vjeç, si dhe vëllezërve Arben dhe Zaim Çela, 42 dhe 33 vjeç. Të plagosurit kanë dalë nga rreziku për jetën dhe grupi hetimor ka arritur t’iu marrë edhe dëshminë për ngjarjen. “Ishim duke luajtur të katërt, si çdo ditë tjetër. Në një moment doli Altin Leskaj nga pallati dhe erdhi drejt nesh. Ai ishte i irrituar dhe filloi të na shante e fyente. Në sherr u përfshi edhe vëllai i tij, Edliri. Ata përdorën dhunë ndaj nesh. Sherri mori përmasa të mëtejshme duke u qëlluar me njëri-tjetrin me se të mundeshim për të shpëtuar. Pastaj vumë re se njëri prej tyre ishte i armatosur. Ai nxori pistoletën dhe qëlloi drejt nesh. Niko ra përtokë i vdekur, ndërsa ne u plagosëm. Gjatë përleshjes ne nuk arritëm t’ia merrnim pistoletën, por fatmirësisht i ra karikatori përtokë. Në të kundërt, ne do të ishim të gjithë të vdekur”. Kështu mësohet se kanë deponuar të plagosurit. Dëshmia e tyre ka qenë thuajse identike, por burimet policore nuk saktësuan se cili prej vëllezërve ka shtënë me armë. Ata kanë dëshmuar se konflikti mes palëve kishte filluar si pretekst se gjatë lojës ata bërtisnim dhe përdornim fjalë fyese, duke shqetësuar banorët e pallatit. “Ne luanim gjithnjë në trotuar. Ndoshta kishte dhe momente ngritje zëri, por nuk shqetësonim askënd”, kanë pohuar të plagosurit. Mësohet se vëllezërit Altin dhe Edlir Leskaj, nga Vlora ishin pronarë të një aktiviteti privat, gurore, në periferi të qytetit. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, rreth orës 18:30, në lagjen “Isa Boletini”, përpara një zdrukthëtarie që ishte pronë e njërit prej të plagosurve, shtetasit Arben Çelaj. Nga hetimet e deritanishme, ka rezultuar se konflikti ka ndodhur si pasojë e një grindjeje të çastit për shkak se shtetasit Elidon Aliaj, Niko Mataj, Arben dhe Zaim Çela, duke luajtur tavëll e domino krijonin zhurmë e shqetësim për banorët e pallatit ku jetonin shtetasit Altin dhe Edlir Leskaj. Këta të fundit u kanë kërkuar të mos bënin zhurmë, por më pas ballafaqimi përfundoi tragjikisht.

1 person
mbeti i vdekur si pasojë e konfliktit që ndodhi dy net më parë në lagjen “Isa Boletini” në Vlorë. Ai u vra me armë zjarri pas përleshjeve fizike

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura