Krimi në familje, burg vëllezërve

Mar 22, 2011 | 10:37
Viktimat: Donika dhe Manjola Leka

Dy vëllezërit, Leonard dhe Dritan Leka, do ta vuajnë në të njëjtën qeli vrasjen e nënës dhe motrës së tyre. Të paktën deri në fund të hetimit nga ana e organit të akuzës, të rinjtë do të qëndrojnë në burg.Gjykata e Elbasanit caktoi dje masën e sigurisë në ngarkim të dy vëllezërve, duke pranuar akuzën e Prokurorisë ndaj tyre, atë të vrasjes së kryer në bashkëpunim të Donika dhe Leonora Lekës. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes, pasi u qëlluan me pushkë nga djali i madh i shtëpisë, 27-vjeçari Leonard Leka. Gjatë seancës së djeshme ai nuk ka tentuar që ta mohojë akuzën e vrasjes, duke u shprehur se ngjarja ka ndodhur në grindje e sipër, për motive të dobëta, me nënën dhe të motrën. Kjo gjendje e acaruar ishte e pranishme prej kohësh në familjen Leka, e cila kishte përjetuar më parë edhe ndarjen e kryefamiljarëve. Pasi trupi gjykues ka dëgjuar prokurorin e çështje dhe ka marrë prej tij kërkesën për vendosjen e masës së sigurisë “burg pa afat”, ka kërkuar nga ana e Leonard Lekës të japë dëshminë e tij mbi atë që ka ndodhur dhe që e shtyu drejt vrasjes së nënës dhe motrës. Ai ka pranuar se krimi ka ndodhur për motive të dobëta, pasi nuk pranonte kthimin vonë të grave të shtëpisë e, për më tepër, kishte pasur konflikte me të motrën për një lidhje të saj. Ndonëse ka shfaqur pendesë në sallën e gjyqit për krimin e dyfishtë në familje, gjykata ka pranuar kërkesën e Akuzës për ta lënë 27-vjeçarin në burg pa afat. E njëjta akuzë, ajo e vrasjes në bashkëpunim, rëndon mbi djalin e dytë të familjes Leka, Dritanin, 24 vjeç. Ky i fundit ka dhënë disa variante mbi pozicionin e tij në momentin e vrasjes së motrës dhe n ën ës s ë tij. Ai u kap disa orë pas krimit te njerëzit e tij në qytetin e Pogradecit, ndërsa autori ishte dorëzuar më parë në policinë e Elbasanit. Në deklarimet e tij, 24-vjeçari herë ka pohuar se ka qenë në gjumë, e herë të tjera se nuk ndodhej në shtëpi kur ka ndodhur ngjarja. Në të gjitha rastet ai e ka shpjeguar arratinë nga Elbasani nga tronditja e madhe që kishte pësuar. Pritet që gjatë hetimeve të mëtejshme të zbardhet dhe çështja e tij në ngjarjen e rëndë, edhe pse për momentin akuza është e njëjtë me atë të vëllait të madh, ajo e vrasjes në bashkëpunim.  Trupat e pajetë të Donika dhe Leonora Lekës, 62 dhe 32 vjeçe, u gjetën në orët e para të së premtes. Ato u qëlluan për vdekje gjatë mbrëmjes, por askush nga lagjja “11 Janari” e Elbasanit nuk kishte dyshuar, pasi krismat u ishin dukur si fishekzjarrë. Të afërm të familjes zbuluan nënë e bijë të vrara me nga 3 plumba secila rreth 12 orë pas krimit.

Babai i dyshuar

Ndonëse çifti Leka ishte i divorcuar, babai i djemve dhe i njërës prej viktimave jetonte pranë shtëpisë së ish-gruas. Sokrat Leka mësohet se pas zbulimit të vrasjes së Donika dhe Leonora Lekës është shpallur në kërkim nga policia, i dyshuar si person i përfshirë në krim. Pas ndalimit ai u shoqërua disa orë, por nuk rezultoi të kishte qenë në vendin e ngjarjes. Ndaj tij po kryhen veprime hetimore në gjendje të lirë për të zbardhur nëse kishte dijeni për vrasjen e dyfishtë.

 

ELBASAN/ ALDO KOZARIA

© Panorama.al

Te lidhura