TIRANE – Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës do të monitorohen nga kamerat e sigurisë, që pritet të vendosen gjatë këtyre ditëve nga Policia e Shtetit. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e prezantoi dje këtë ide, duke thënë se vendosja e kamerave do të bëhet për të parandaluar shitjen dhe përdorimin e lëndëve narkotike nga nxënësit dhe pranë tyre, por edhe për uljen e kriminalitetit në përgjithësi. Sipas ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, ky do të jetë prioriteti kryesor në luftën kundër drogës për vitin 2011. Ky fenomen, sipas Bashës duhet luftuar me zero tolerancë nga Policia e Shtetit, duke qenë se tashmë Patrullës së Përgjithshme do i vijë në ndihmë edhe sistemi i vëzhgimit 24-orësh me kamera. “Nëse 2010-a shënoi përparime të jashtëzakonshme në luftën kundër trafikantëve dhe kultivuesve, 2011-a duhet të shënojë një intensifikim të plotë të luftës kundër shpërndarësve të drogës. 2011-a duhet të jetë viti i tolerancës zero për ata që u shpërndajnë këtë helm fëmijëve tanë”, deklaroi Basha gjatë takimit të djeshëm, në Konferencën Vjetore të Luftës Kundër Drogës. Kjo strategji fillimisht do të zbatohet në Tiranë, si qyteti me numrin më të madh të shkollave dhe potencialisht me tregun më të madh për përdorim dhe shpërndarje së drogës. Sipas ministrit Basha, vëmendja e policisë duhet të jetë absolute dhe në veçanti për këtë qytet, e më pas plani do të vihet në zbatim edhe në qendra të tjera të mëdha banimi. Basha foli për një premtim të mbajtur gjatë vitit 2010, për sa i përket luftës kundër drogës, të cilin e quajti si një komponent mjaft të rëndësishëm, që i dha mundësinë shqiptarëve të lëvizin pa viza drejt vendeve të BE-së. “Viti 2010 ishte vit i një premtimi të mbajtur, ku thamë se do të kemi një vit rekord në luftën kundër drogës dhe, rezultatet në çdo plan vërtetojnë se premtimi u mbajt plotësisht. Komponent jashtëzakonisht i rëndësishëm i vendimmarrjes që u mundësoi shqiptarëve të udhëtojnë me dinjitet në Bashkimin Europian, ka qenë pikërisht arritja e Policisë së Shtetit, mbajtja e premtimit në luftën kundër drogës në vitin 2010”. Ndërsa ambasadori i OSBE, Eugen Volfarth, gjatë fjalës së tij, ka pohuar se Shqipëria ka bërë arritje në luftën kundër kultivimit të bimës narkotike, por kjo nuk do të thotë se është fundi i historisë së kultivimit. “Rezultatet e këtij viti tregojnë se kultivimi i bimëve narkotike është reduktuar me 50 për qind, krahasuar me vitin e kaluar”, u shpreh Volfarth. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, prezantoi gjatë takimit statistikat e vitit 2010, si dhe planin e veprimit për vitin 2011, fazën sensibilizuese parandaluese dhe atë operacionale. e.d
Antidroga, 2010
37216 bimë narkotike të asgjësuara
176 raste kultivimi, të zbuluara 60
52 persona të arrestuar, 14 në kërkim
7304 kg hashash i sekuestruar
23 kryepleq, 10 inspektorë pyjorë të proceduar
86 fluturime për monitorime nga ajri
30 fluturime për transport të forcave në zona tepër të thella
JANAR-SHKURT 2011
82 raste të trafikimit të kanabisit
2 tonë dhe 11 kilogramë kanabis i sekuestruar
83 persona të arrestuar, 3 në kërkim











