Eurodeputeti Michael Gahler është takuar me Sali Berishën në selinë e Partisë Demokratike. Siç shihet në pamje, diplomati evropian është i shoqëruar nga deputetja demokrate, Jorida Tabaku teksa hyn në selinë blu.
Gahler është pjesë e delegacionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian që ndodhet në Shqipëri, ku mbajtën disa takime me zyrtarë të të dyja palëve politike.
Më herët, në konferencën për mediat, kryetari i Komisionit të Jashtëm të PE-së David McAllister theksoi se nuk do ta takonte kryedemokratin për shkak se do të lëvizte direkt në aeroport.
“U takova me Bardhin, Tabakun dhe Vokshin, por nuk do të takohem me Berishën sepse do të iki në aeroport.”, tha ai.
Zyrtari i PE theksoi se BE e mbështet integrimin e Shqipërisë por kërkoi më shumë punë në procesin e negociatave.
Po ashtu u pyet edhe për Belinda Ballukun, zëvendës kryeministren dhe ministren e pezulluar dhe nën akuzë nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, për të cilën tha se trajtimi i kësaj çështjeje është “një test kritik për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit”.
Një mesazh përcolli edhe për partitë politike, të cilave iu kërkoi të angazhohen në dialog.
© Panorama.al











