KQZ miraton rezultatin e 8 majit, PS braktis votimin

Sep 16, 2011 | 11:35
Nga mbledhja e djeshme e KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton me katër vota pro rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale të 8 majit.Megjithëse mbledhja e fundit për këtë proces elektoral, nuk kanë munguar debatet mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe atyre të opozitës, çka bëri që këta të fundit të braktisin mbledhjen përpara se kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, të hidhte në votim projektvendimin. Në fund, sipas tabelës së përgatitur nga administrata e KQZ-së, koalicioni i djathtë ka fituar rreth 140 mijë vota më shumë se e majta, ndërsa PS-ja, si parti më vete, ka marrë 101 mijë vota më shumë se PD-ja.
Debatet
Replikat dhe debatet mes anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste nisën që në fillim të mbledhjes, kur Genc Gjonçaj mori fjalën për të diskutuar në parim për projekt-aktin. “Zoti Ristani, më duhet t’ju drejtohem vetëm në mbiemrin tuaj, pasi me të vërtetë ju nuk përfaqësoni kryetarin e Komisionit Qendror të zgjedhjeve”, u shpreh avokati i PS-së, dhe kaq ka mjaftuar që të reagojë kreu i KQZ-së, Arben Ristani. “Këtu që s’ka më vend, të tilla deklarata mund t’i bëni jashtë. Tjetërkush e do fjalën?”, iu përgjigj drejtuesi i mbledhjes Gjonçajt, dhe nga ky moment nuk e lejoi të merrte asnjëherë fjalën gjatë 45 minutave kur u zhvillua debati. Pavarësisht se Ristani i ndërpreu fjalën, Gjonçaj vazhdoi të lexonte pa mikrofon diskutimin e tij. Në tavolinën e mbledhjes, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, i kërkoi kryetarit që t’i jepte fjalën përfaqësuesit të PS-së. “Sipas Kodit, kur prishet rendi, ndërpritet seanca dhe bën një pushim për të rifilluar. Unë në këtë tavolinë jam ndjerë e fyer disa herë dhe s’ka pasur kush të na e ndërpresë fjalën”, u shpreh Subashi. Por, pavarësisht insistimit të përfaqësuesve të opozitës, Ristani nuk ka pranuar t’ua japë më fjalën avokatëve të PS-së, duke tentuar disa herë të hedhë për votim në parim projektvendimin përpara se të mbaheshin qëndrimet nga anëtarët. “Nuk kam më punë me ju unë. Jemi në një institucion që funksionon në bazë të Kushtetutës. Në momentin kur dy njerëz deklarojnë se nuk njohin institucionin, nuk mund të ketë komunikim me këta njerëz”, u shpreh kreu i KQZ-së. Pas disa tentativave për të marrë fjalën, avokatët socialistë u larguan së bashku me Dëshira Subashin dhe Artan Lazen, çka i hapi rrugë votimit për të nxjerrë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve me katër votat e anëtarëve të maxhorancës.
Shifrat
Koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike, “Aleanca për qytetarin”, ka fituar zgjedhjet me 141 723 vota më shumë se koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste “Aleanca për të ardhmen”. Më konkretisht, koalicioni djathtë ka marrë 813 335 vota, ndërsa koalicioni i majtë ka marrë 617 612 vota. Përveç këtyre koalicioneve, 9 parti kanë garuar më vete, përfshi këtu PBDNJ-në dhe LZHK-në, dhe në total ato kanë marrë 75 813 vota. Në koalicionin “Aleanca për të ardhmen”, forcë e dytë politike është renditur PDS-ja, e cila në zgjedhjet lokale ka marrë 53 203 vota dhe pas saj vjen PDK, që ka marrë 47 930 vota. Dikur, forca e dytë brenda së majtës, Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit, ka marrë 43 828 vota, ndërsa partia e Petro Koçit, PSV 91, ka marrë 23 617 vota. Përsa i përket koalicionit të djathtë, pas Partisë Demokratike është renditur Lëvizja Socialiste për Integrim. Partia e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta ka fituar në total në zgjedhjet e 8 majit 117 707, ndërkohë, në vend të tretë është renditur Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Sipas tabelave përfundimtare të hartuara nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se nga 65 bashki që janë në të gjithë vendin, 35 prej tyre janë fituar nga kandidatët e mbështetur nga koalicioni i majtë “Aleanca për të ardhmen” dhe 30 të tjerat nga kandidatët e koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin”. Qarku ku PD-ja ka dalë më mirë është ai i Shkodrës, ku i ka fituar të pesë bashkitë, ndërsa PS-ja ka dalë më mirë në qarkun e Vlorës, ku ka fituar gjashtë bashki, ndaj një të demokratëve, por edhe në qarqet Fier e Gjirokastër, ku ka marrë drejtimin e pesë bashkive, nga gjashtë në secilën prej këtyre zonave.

Debatet në KQZ
Genc Gjonçaj: Do të doja që para se të marrë diskutimin tim në parim për këtë projekt-akt, do të doja të mos ndërpritesha, paçka se do t’ju pëlqejnë apo jo gjërat që do të them.
Hysen Osmani: Sa të gjatë e ke fjalën?
Genc Gjonçaj: Hysen, e kam aq sa zullumin e keni zgjatur kësaj radhe ju. Janë 36 faqet e raportit të ODIHR-it, atij i referohem. Zoti Ristani, më duhet t’ju drejtohem vetëm në mbiemrin tuaj, pasi me të vërtetë ju nuk përfaqësoni kryetarin e Komisionit Qendror të zgjedhjeve.
Arben Ristani: Si thatë?
Genc Gjonçaj: Ju nuk përfaqësoni kryetarin e KQZ-së.
Arben Ristani: Këtu që s’ka më vend, të tilla deklarata mund t’i bëni jashtë. Tjetërkush e do fjalën?
Gjonçaj vazhdon të flasë për aktin në parim.
Dëshira Subashi: Sipas Kodit, kur prishet rendi, ndërpritet seanca dhe bën një pushim për të rifilluar. Unë në këtë tavolinë jam ndjerë e fyer disa herë dhe s’ka pasur kush të na e ndërpresë fjalën.
Arben Ristani: Çështja është fare e thjeshtë, jemi në një institucion shtetëror dhe po bëjmë detyrën tonë. Në momentin që kemi përballë njerëz që nuk njohin institucionet, deklarata të tilla mund të bëhen jashtë dhe ku të duan ata.
Genc Gjonçaj: Nuk është salla juaj personale kjo, zoti Ristani, është salla e KQZ-së.
Arben Ristani: Për sa kohë nuk respektoni institucionin, nuk ju dëgjoj më ju. Nëse nuk ka diskutime në parim me aktin, e hedh në votim.
Genc Gjonçaj: A ka mundësi, të lutem?
Arben Ristani: Jo, nuk ka mundësi.
Eridian Salianji: Si nuk ia jep fjalën opozitës ti?
Genc Gjonçaj: Vetëm kaq mund të bësh ti, jo më shumë.
Eridian Salianji: Për çfarë i ke thirrur kamerat ti, për të thënë që je çun i bukur?
Arben Ristani: Nuk kam më punë me ju unë. Jemi në një institucion që funksionon në bazë të Kushtetutës. Në momentin kur dy njerëz deklarojnë se nuk njohin institucionin, nuk mund të ketë komunikim me këta njerëz.
Genc Gjonçaj: Mos gënje. Unë thashë që ju nuk përfaqësoni kryetarin e KQZ. Me leje?!
Arben Ristani: Mos e kërkoni kot, se nuk jua jap fjalën.
Genc Gjonçaj: A të ikim ne?
Arben Ristani: Ik. Si ta mendosh. Je i lirë.
Genc Gjonçaj: Po pse na thërrisni kot.
Njazi Kosovrasti: Sipas Kodit, përfaqësuesit e partive kanë të drejtë të marrin fjalën në përputhje me rregullat e parashikuara.
Eridian Salianji: Ju keni kërcënuar anëtarët e KQZ-së, në mes të sallës i keni kërcënuar.
Klemend Zguri: Ne nuk jemi këtu për të pranuar fyerjet e kurrkujt. Mund të mos ju pëlqejë vendimi ynë, por kjo është demokracia.
Eridian Salianji: Nuk ju ka sharë njeri juve. Ku është fyerja këtu?
Vera Shtjefni: Për të çtensionuar situatën, të kërkohet falje këtu nga përfaqësuesi i partisë që nxori ato fjalë. Unë ndihem e fyer sepse jam pjesë e këtij komisioni.
Genc Gjonçaj: Me leje, se dua të kërkoj falje. U bë si në klasë të parë, o burrë. Ku e pe fyerjen ti te falja ime.
Arben Ristani: Me juve nuk bëj debat.
Genc Gjonçaj: Mos u turpëro nga konsiderata e opozitës për ty, por nga ato që ka thënë bota për ty.
Arben Ristani: Nuk ju merr njeri seriozisht juve.
Dëshira Subashi: Ju nuk doni që ne të themi atë që ka ndodhur në procesin zgjedhor. Por këtë nuk do keni shans të ma mohoni për ta thënë. Jam në të drejtën time. Juve ju tremb analiza.
Arben Ristani: Mua nuk më tremb asgjë. Thërrisni mbledhjen me rendin e ditës që doni dhe hajt ta diskutojmë ashtu siç doni ju.
Përfaqësuesit e PS dhe anëtarët e Komisionit, Subashi e Laze, largohen nga mbledhja. Ristani hedh në votim vendimin, i cili merr katër vota.

Votat e aleatëve të PD e PS
Aleatët e Partisë Demokratike rezultojnë vendimtarë në fitimin e zgjedhjeve nga kjo e fundit. Nga përllogaritja e shifrave del që, nga 671 612 vota që ka marrë i gjithë koalicioni i majtë, 238 789 vota kanë qenë të aleatëve dhe pjesa tjetër e Partisë Socialiste. Ndërkohë që situata paraqitet krejt ndryshe në kampin e djathtë. Nga 813 335 vota që ka marrë i gjithë koalicioni “Aleanca për qytetarin”, 482 385 vota janë të aleatëve dhe pjesa tjetër e PD-së.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura