Lorenz Gynter Kostner është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Kombëtares. Gjermani 59-vjeçar mësohet se dje ka qenë në Tiranë për të biseduar për detajet e kontratës së tij, por nuk bëhet e ditur ende nëse është arritur ndonjë akord me presidentin Duka. Kostner ka drejtuar shumë skuadra në karrierën e tij, por përgjithësisht të nivelit të ulët. Karrierën si trajner e ka nisur më 1982-1986 te FC Bajern Hof, për të vazhduar më pas me SSV Reutlingen, SC Frajburg, KSV Hesen Kasel, Shtutgarter Kikers, SpVgg Unterhahing, FC Këln, Karlsruher, Hofenhajm, Rot-Vajs Esen dhe në tri vitet e fundit, skuadrën e dytë të Volfsburg. Thuhet se Duka ka pasur tratativa me këtë trajner këtë fundjavë dhe nuk është çudi që ai të marrë drejtimin që në ndeshjen miqësore që Shqipëria luan ndaj Azerbajxhanit këtë fundjavë. Sakaq, kandidat kryesor mbetet edhe slloveni, Matjazh Kek. Ky i fundit ka shprehur dëshirën për të marrë postin e trajnerit të Kombëtares shqiptare, por ka sqaruar disa ditë më parë, në një intervistë për mediat e vendit të tij, se nuk është kontaktuar asnjëherë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Gjithsesi, Kek shihet si person i pranueshëm nga presidenti jo vetëm për CV-në që ka, por edhe për anën financiare.











